Kosova

“Mahagoni” bind zviceranët se edhe në Kosovë punohet me përkushtim

“Tani është koha e patriotizmit ekonomik dhe sa më shumë e ndihmojm vendlindjen aq më të fuqishëm do të bëhemi edhe atje edhe këtu në Zvicër” thotë Metë Gashi, drejtor i "Mahagoni Küchen"

Metë Gashi me dy vëllezërit … nga Peja, pasi kishin jetuar dhe punuar një kohë të gjatë në Austri pak vite më parë kanë kaluar të jetojnë në Zvicër. Këtu ata kanë themeluar dhe drejtojnë ndërmarrjen për shitjen e mobileve “Mahagoni Küchen”, e cila bazën e prodhimit e ka në Kosovë, në Pejë. Se çfarë i shtyri të bëjnë këtë “mërgim të dytë”, ku i shohin dallimet në mes të jetës dhe biznesit në Zvicër nga Austria dhe nëse ia ka vlejtur ta bëjnë këtë ndryshim në jetët e tyre, do të mësoni në intervistën në vijim.

 Albinfo.ch: Ju keni jetuar një kohë të gjatë në Austri, pastaj jeni shpërngulur në Zvicër. Përse keni marrë këtë vendim?

Metë Gashi: Në jetë mendoj që njeriu duhet ta kërkojë më të mirën për vete dhe familjen e vet. Kështu, duke e vizituar shpeshherë Zvicrën, e kam parë që mundësitë e të bërit biznes dhe të jetuarit janë më të shumta e më të mira në Zvicër sesa në Austri, kështu që morëm vendimin që të vendosemi në Zvicër, për një perspektivë më të mirë. Unë dhe familja ime jemi ambientuar shumë lehtë me jetën në Zvicër dhe me plot gojë mund të them se ja ka vlejtur që e kemi marrë këtë vendim.

Ku i shihni dallimet në mes të Austrisë dhe Zvicrës sa u përket kushteve të jetesës, çmimeve, pagave…?

Siç e thashë edhe më lart, mundësitë në Zvicër janë më të mëdha. Jeta sigurisht që është më e shtrenjtë sepse këtë e dikton standardi i jetesës, mirëpo kjo tregon edhe për cilësinë e të jetuarit.

Ju zhvilloni një biznes këtu në Zvicër, gjegjësisht shitni mobile të prodhuara në Kosovë. Si e keni rregulluar punën: Keni një pjesë të firmës në Kosovë (në Pejë) dhe një në Zvicër?

Ne kemi një biznes familjar për prodhimin e kuzhinave dhe mobileve të ndryshme në Kosovë gjegjësisht ne Pejë, ku kemi të punësuar mbi 40 punëtorë. Ndërsa këtu, në Zvicër, jemi 6 punëtorë fiks si dhe kemi firma që i nënkontraktojmë për montazha. Këtë biznes ne e kultivojm me dekada, gjegjësisht ne jemi gjenerata e tretë që merremi me kete veprimtari. Prandaj, duke i parë mundësitë dhe cilësinë e produktit tonë, ne kemi filluar që të eksportojm në tregun zviceran para 5 viteve. Në fillim nuk ka qenë aspak e lehtë që t`i bindim klientët se edhe në Kosovë bëhet punë me përkushtim dhe kualitative, sepse ne nuk e fshehim vendin e origjinës së produktit. Mirëpo tani nuk ballafaqohemi më me këtë problem, sepse kemi krijuar klientelën tonë e cila është shumë e kenaqur me produktin dhe çmimet tona.

Duke qenë se jeni tre vëllezër, si i keni ndarë punët?

Ne këtu jemi tre vellezër dhe i kemi përgjegjësitë e ndara. Unë jam drejtor gjeneral, njëri nga vëllezërit është përfaqësues dhe përgjegjës i Mahagonit për pjesën e Zvicrës frankofone ndërsa vëllai tjetër është përgjegjës i organizimit të montazhave. Në kosovë e kemi produksionin ndërsa këtu e kemi ekspozitën ku bëjm shitjen e produkteve tona dhe pastaj bëjmë vetëm shpërndarjen dhe montimet.

Çfarë mobile konkretisht prodhoni dhe me çka dallohen ato nga mobilet e tjera në tregun zviceran?

Ne bëjmë prodhimin e të gjitha produkteve me bazë druri. Për tregun kosovar kemi një paletë më të gjerë të produkteve mirëpo për Zvicër jemi të fokusuar më shumë në kuzhina, dollapë, elemente për banjo si dhe enteriere për lokale afariste dhe për shtëpi private.

Mendoj se ajo që na dallon është korrektësia, kreativiteti si dhe cilësia e produktit tonë.

A e keni pasur këtë biznes edhe kur keni jetuar në Austri?

Siç e ceka edhe më lart, këtë biznes në Kosovë e kemi me gjenerata mirëpo në Austri nuk kam parë shumë mundësi për zhvillimin e kompanisë sonë. Edhe pse kemi eksportuar disa herë produktet tona, nuk e kam parë shumë të levërdishëm si treg, ndërsa në Zvicër padyshim që klima e të bërit biznes është shumë më e favorshme.

A i shitni produktet tuaja edhe në vende të tjera, përveç në Zvicër?

Po, ne produktet tona përpos Zvicrës i plasojmë edhe në tregun gjerman dhe austriak ku kemi bashkëpunëtorët tanë. Mirëpo produktet e Mahagoni-t kanë kaluar edhe përtej oqeanit. Ne deri më tani i kemi bërë dy dërgesa për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku kemi një bashkëpunim të mirë me disa investitorë atje dhe shpresojmë që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe më tutje.

A keni ndërmend zgjerimin e prodhimit, shtimin e numrit të punëtorëve ose rritjen e paletës së produkteve ?

Gjithsesi ne synojmë që të rritemi por nuk pretendojmë që të bëhemi industri. Ne do të vazhdojmë të jemi një Atelie e përpunimit të drurit ku çdo produkt ta ketë emrin e klientit, pra te jetë i personalizuar dhe të ruhet cilësia maksimalisht. Synimi ynë është që të ruhet dhe të rritet cilësia dhe të ju ofrojmë të rinjve në Kosovë një punë të dinjitetshme. Ky ka qenë edhe qëllimi fillestar kur kemi filluar me Mahagoni GmbH, që të kontribuojmë sadopak për ngritjen e standardit të bashkëpunëtorëve tanë atje.

Tani është koha e patriotizmit ekonomik dhe sa më shumë e ndihmojm vendlindjen aq më të fuqishëm do të bëhemi edhe atje edhe këtu në Zvicër.

 

 Profili i kompanisë

  • Adresa: Else Züblin Strasse 91,8404 Winterthur
  • Tel: +41 (0) 79 173 99 78
  • Fax: +41 (0) 52 246 03 61
  • E-mail: [email protected]