Lajme

Mamitë në Gjenevë kërkojnë rritje page dhe njohje më të madhe të profesionit

Në Spitalet Universitare të Gjenevës (HUG), mamitë kanë dalë në protestë duke kërkuar rritje page dhe njohje më të madhe për profesionin e tyre, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Mamisë.

Të martën, ato u mblodhën para maternitetit të HUG-ut në Gjenevë, duke denoncuar mungesën e vlerësimit për aftësitë e tyre profesionale dhe duke kërkuar një rritje page që, sipas tyre, është vonuar prej gati 20 vitesh.

“Durimi ka kufijtë e tij”, theksuan disa nga mamitë, duke kujtuar se, pavarësisht diplomës Bachelor nga shkollat e larta të specializuara (HES), ato vazhdojnë të klasifikohen në shkallën e pagës 15, me një pagë fillestare nën 5.500 franga zvicerane në muaj.

Sipas tyre, roli i mamisë shkon shumë përtej asistencës në lindje. Ato theksuan se përfshihen në ndjekje komplekse mjekësore, menaxhim të emergjencave dhe ofrojnë mbështetje të vazhdueshme psikologjike për pacientet, duke mbajtur përgjegjësi të lartë profesionale.

“Gjithnjë e më autonome”

Julie, një mami në HUG, thekson se çështja nuk ka të bëjë vetëm me pagën, por edhe me tërheqjen e profesionit dhe cilësinë e kujdesit shëndetësor.

“Prej tre vitesh po kërkojmë këtë rritje page. Profesioni ynë ka evoluar gjatë 25 viteve të fundit. Po bëhemi gjithnjë e më autonome dhe po kërkohet gjithnjë e më shumë autonomi prej nesh, por pa një rritje të përshtatshme page. Nëse duam të ruajmë cilësinë e kujdesit, duhet të paguhemi sipas vlerës që kemi. Gjeneratat e reja po vijnë dhe nuk mund t’u shesim një ëndërr pa pagë të denjë”, deklaroi ajo për RTS, transmeton albinfo.ch.

Peticion me mijëra nënshkrime

Paralelisht me protestën, një grup mamish ka nisur një peticion që ka mbledhur rreth 3.000 nënshkrime në mbështetje të kërkesave të tyre.

Nga ana e saj, drejtoria e Spitaleve Universitare të Gjenevës (HUG) ka bërë të ditur se nuk do të ketë ndryshime në paga për sa kohë që është në zhvillim procesi “G’Evolue”, një projekt i madh që synon rishikimin dhe harmonizimin e pagave në sektorin publik të Gjenevës.