Tematike

Manifestimet psiko-emocionale të pandemisë Covid-19

Secili njeri posedon mekanizmat e kontrollit të emocioneve dhe sjelljeve vetanake që për qëllim kanë shtimin e ndjenjës së sigurisë. Në kushtet e pandemive, gjëja e parë që ndodh është lëkundja e ndjenjës së sigurisë...

Pandemia me koronavirus nuk na sprovon vetëm në kontekstin politik, mjekësor e ekonomik por ka ndikim të madh edhe në jetën shpirtërore e psikike të njerëzve. Konfrontimi masiv me stresorët e jashtëm që për ne janë të panjohur, të paparashikueshëm dhe abstraktë, na sprovon në nivelin ekstrem ngase nuk posedojmë mostra të parapërgatitura për t`i konfrontuar në mënyrë racionale. Nga këto shkaqe regredojmë në atë mënyrë që reagojmë me mostra disfunksionale apo psikopatologjike që mund të jenë individuale dhe kolektive.

Keystone EPA

Secili njeri posedon mekanizmat e kontrollit të emocioneve dhe sjelljeve vetanake që për qëllim kanë shtimin e ndjenjës së sigurisë. Në kushtet e pandemive, luftërave dhe katastrofave natyrore, gjëja e parë që ndodh është lëkundja e ndjenjës së sigurisë. Kjo ndjenjë mund të lëkundet në mënyrë graduale apo në mënyrë abrupte që për pasojë ka alterimet psikike në forma, intensitet dhe kohëzgjatje të ndryshme. Në rastet e pandemive nuk kemi mundësi të dozojme intensitetin, kohëzgjatjen dhe kualitetin e simptomave.

Mënyrat e manifestimit të simptomave

Përderisa konsumojmë informatat për ndodhitë në shtetet e largëta, si në Kinë, Kore, etj., reagojmë në mënyrë indiferente, duke besuar se një gjë e tillë po ndodhë diku tjetër dhe nuk ka gjasa të na ndodhë ne. Po qe se humbim papritmas ndonjë familjar, dëgjojmë për vdekjen e ndonjë shtatzëne, ndonjë mbajtësi të familjes etj., reagojmë me simptoma të një stërngarkimi psikik akut që karakterizohet me simptome të dhembjes intensive shpirtërore, ankthit, depresivitetit, frikës nga e ardhmja e pasigurt, ndjenjës ekstreme të pasigurisë, por që këto simptome tërhiqen pas disa ditëve. Mënyra e manifestimit dhe intensiteti i këtyre simptomave varen nga stabiliteti dhe forca premorbide (para sëmundjes) e personit të prekur. Sa më të lodhur dhe konsumuar qe të jemi para se të na ndodhë një gjë e tillë, aq më intensive dhe të gjata në kohë do të jenë simptomat e lartpërmendur. Në kushtet kur fenomeni që shkakton pasiguri zgjat me muaj, pa u hapur një vijë premtuese në horizont e cila do të paralajmëronte përfundimin e kërcënimit atëherë shtohet tendenca qe të prekurit të zhvillojnë simptome që janë karakteristike për sindromin posttraumatik, i cili karakterizohet me ndryshime strukturore në substratin psikik dhe manifestohet me ëndrra te tmerrshme, simptome te ankthit, tejndjeshmëri emocionale, paraqitje të pavullnetshme të skenave të përjetimeve akute, p.sh. futjes së papritur në stacione për reanimim, në respiratorë, qoftë të individit të infektuar apo ndonjë të afërmi të tij, reaksioneve të shmangies së kontakteve me njerëz, emocioneve apo skenave të përditshme që asociojnë me përjetimet traumatike gjatë pandemisë.

(KEYSTONE/Laurent Gillieron)

Cilat shtresa ndikohen më shumë

Në rastet e pandemive preken të gjitha strukturat shoqërore. Ndikim të madh në përjetimin psikologjik të pandemisë kanë edhe mediat, të cilat përmes prezantimit spektakolar të informatave lidhur me pandeminë te shtresat e caktuara të popullsisë (pleqtë, të sëmurët kronikë dhe polimorbidë) shkaktojnë ndjenjën e pasigurisë, stigmatizimit dhe margjinalizimit duke kondicionuar negativisht bindjen se pjesëtarët e grupeve te lartpërmendura sociale janë të predestinuara të vdesin dhe se nuk kanë gjasa te shpëtojnë.

Në praktikën psikiatrike ku trajtojmë pacientë nga sëmundje të ndryshme psikiatrike, si çrregullimet afektive, çrregullimet e personalitetit dhe çrregullimet skizofrenogjene vërejmë një tendencë të shtuar të dekompensimit të stabilitetit psikik të arritur deri në shpërthimin e pandemisë. Është interesant konstatimi praktik se pacientët që vuajnë nga skizofrenia kanë tendencë të dekompensohen më shpejt, ngase u mungojnë mekanizmat e përpunimit racional të gjendjes së pandemisë. Ata fillojnë ta interpretojnë pandeminë si dënim nga perëndia, veprim të demonëve, djallit apo si dënim për sjelljet jonjerëzore të njerëzve. Pacientët që paraprakisht vuajnë nga ndonjë sëmundje afektive (depresion, ankth, çrregullime neurotike) reagojnë përmes intensifikimit të simptomave karakteristike për sëmundjen që bartin dhe shtimit të tendencës për vetëvrasje duke ndërtuar konstrukte regrediente mendore përmes të cilave binden se nuk kanë perspektivë dhe do të ishte më mirë të vdesin se sa të presin që të vdesin nga pandemia. Këto konstrukte mendore janë manifestim i pafuqisë, dëshirës për mbijetim dhe kërkesës për koekzistencë, e cila në kushtet e katastrofave natyrore dhe sëmundjeve infektive (epidemive, pandemive) është e rrezikuar.

Pasojat që shkakton mbajtja e distancës sociale

Për shkak të masës administrativo-mjekësore që të mbajmë distancë sociale (Social Distancing) ndodh çrregullimi i kërkesës së natyrshme për afërsi, lidhjeve shpirtërore dhe interaksioneve sociale. Në një mënyrë zhvillohet një lloj antropofobie e imponuar  ku njerëzit nga frika që të infektohen apo të infektojnë ndokënd tjetër, në mënyrë të frikshme u shmangen kontakteve fizike me të tjerët. Komunikimi ndërnjerëzor përmes maskave, larja e përsëritshme e duarve, shkakton një ndjenjë negative tek partnerët në komunikim, me ç` rast në mënyrë të pavullnetshme krijohet ndjenja e distancës emocionale, frigjiditetit dhe tëhuajsimit shpirtëror. Nga shkaqet e lartpërmendura është shumë me rëndësi të përdoren alternativat e komunikimit, që në kushtet e teknologjive aktuale të komunikimit mund të realizohen në mënyrë shumë efikase (Face-Time, Viber, Wats app) në formë të videokonferencave familjare, video-incizimeve me përmbajtje humoristike, duke pasur kujdes qe të mos ketë elemente talljeje dhe politizime.

Një aspekt tjetër janë aktivitetet fizike, kërkimi i hobive, aktiviteteve rekreative dhe kreative, të cilat për kohë të gjatë i kemi lënë pasdore. Thëniet dhe sentencat filozofike në kuptimin e asaj që çdo gjë që fillon njëherë edhe mbaron, dhënia konstruktive e shpresave, instruksionet për ushtrimin e mostrave të shëndosha të aranzhimit të sjelljeve tona në këto kushte, janë instrumente që lehtësojnë këtë aktualitet kërcënues dhe forcojnë shpresën se një ditë do të kalojë edhe kjo gjendje, por ndihmojnë që të pranojmë këtë realitet edhe me pasojat që mund të ketë për ne dhe të afërmit tanë, duke bërë më të mirën e mundshme, pa humbur durimin, shpresën dhe besimin në vetvete por edhe në ligjet e natyrës.

Interpretimi i pandemisë si “dënim nga perëndia”

Është interesant konstatimi praktik se pacientët që vuajnë nga skizofrenia kanë tendencë të dekompensohen më shpejt, ngase u mungojnë mekanizmat e përpunimit racional të gjendjes së pandemisë. Ata fillojnë ta interpretojnë pandeminë si dënim nga perëndia, veprim të demonëve, djallit apo si dënim për sjelljet jonjerëzore të njerëzve.

Rëndësia e komunikimit

Është shumë me rëndësi të përdoren alternativat e komunikimit, që në kushtet e teknologjive aktuale të komunikimit mund të realizohen në mënyrë shumë efikase (Face-Time, Viber, Wats app) në formë të videokonferencave familjare, video-incizimeve me përmbajtje humoristike, duke pasur kujdes qe të mos ketë elemente talljeje dhe politizime.