Koronavirusi: çast pas çasti

Maqedoni e Veriut: Shkon në 95 numri i viktimave nga Covid-19

Në Maqedoni të Veriut gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar edhe 3 viktima të reja nga pandemia e koronavirusit.

Një burrë i moshës 59 vjeç nga Prilepi dhe një grua 68 vjeçe nga Tetova kanë ndërruar jetë rrugës për në Klinikën Infektive në Shkup, ku po ashtu ka vdekur një tjetër person i moshës 76 vjeç nga Velesi, i cili ishte në spital nga data 6 maj.

Numri total i të vdekurve nga koronavirusi ka arritur në 95.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, në 24 orëve të fundit, 20 persona kanë rezultuar pozitiv me koronavirus; 10 raste janë regjistruar në Shkup, 5 në Prilep, 4 në Tetovë dhe 1 në Veles.

Instituti i Shëndetit Publik brenda 24 orëve të fundit ka regjistruar 24 të shëruar nga Covid-19.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, nga 1694 të infektuar me koronavirus 1229 janë shëruar ndërsa 370 janë ende aktiv, përcjell Albinfo.ch