Gruaja

Marigona Qerkezi, sopranoja që po pushton skenat botërore të operës

Si soprano e shquar, ajo ka shkelur shumë skena anembanë botës dhe ka marrë role të mëdha në shumë evente artistike. Albinfo.ch ka zhvilluar një intervistë me Marigona Qerkezin

Të qenët artiste me renome botërore, nuk është fare e lehtë, para së gjithash kur tregu ka një konkurrencë të fortë. Duhet vërtet energji, optimizëm dhe shumë vetëbesim për të arritur aty ku do. Dhe, në fakt, këto janë disa prej cilësive kryesore të Marigona Qerkezit, soprano kosovare shumë e suksesshme në botë.

Ajo ka një krijimtari të pasur artistike si soprano e shquar, ka shkelur shumë skena anembanë botës dhe vazhdon të marrë role të mëdha në shumë evente artistike.

Marigona Qerkezi, me zërin e saj të fuqishëm dhe me paraqitjet dinjitoze është fituese e shumë çmimeve të rëndësishme.

Sllovenia, pikënisja e parë e depërtimit

Marigona është me prejardhje nga Kosova, e lindur në Zagreb dhe e shkolluar në Lubjanë. Ajo rrjedh nga një familje artistësh.

“Kam lindur në Zagreb, ndërsa në Lubjanë e fillova klasën e parë të shkollës fillore, nëna ime ishte soliste në Teatrin Kombëtar Slloven, ndërsa babai im punonte në atelenë e kostumeve në të njëjtin teatër. Hapat e parë të shkollës së muzikës i fillova në shkollën e muzikës “Blagoje Bersa” për flaut, tek prof. Vesna Zornjak në Zagreb”.

Si e vogël kishte tipare të zërit kumbues dhe me kalimin e kohës, po ngjitej drejt skenave si fëmijë.

“Pikërisht në Lubjanë në moshën 6-vjeçare këndova për herë të parë para një publiku goxha të madh. Çdoherë e kujtoj atë performancë të veçantë dhe plot gëzim. Ndërkohë në vitin 2015, në Royal Opera House në Muscat debutova me rolin e Mbretëreshës së natës në operën “Flauti magjik” nga Mozarti, tregon ajo.

Të qenët artiste në kuptimin e plotë të fjalës

Pa dyshim se të qenët artiste, sidomos soprano, nuk është e lehtë, pasi që duhet angazhim maksimal si nga ana skenike, ashtu edhe ikonografike.

“Çdo punë për ta bërë me sukses, natyrisht kërkon mund. Të jesh këngëtare e Operas, në rastin tim, soprano dhe të interpretosh role me kërkesa të mëdha, nuk është fare e lehtë, por në të njëjtën kohë të përmbushë dhe të plotëson. Profesioni ynë kërkon përkushtim dhe sakrificë, punë të palodhshme, dedikim total dhe ndodh shpesh që vihet në sprovë edhe gatishmëria jote si artist për të shpëtuar shfaqje të paplanifikuara në raste emergjente, siç më ndodhi mua disa herë”, shprehet ajo.

Marigona si soprano në skenat operistike tani numëron gjashtë vjet eksperiencë. Ajo e përkufizon këtë përvojë si një rrugëtim artistik, multi-dimensional dhe shumë dinamik. Veçmas në kohën e pandemisë, që ishte periudhë me shumë vështirësi në gjithë botën, ajo pavarësisht kësaj, ishte e frytshme me punën e saj.

“Viti pandemik në gjithë botën e ndërroi ritmin e punës. Pata fatin që të mos ndaloja performancat si ato live, ashtu edhe ato virtuale. Disa nga më të rëndësishmet ishin në rastin kur pas mbylljes totale isha soliste në hapjen e 5 Teatrove në Itali, me oratorion “Der Messias” si dhe debutova në rolin e Adinas nga “L’Elisir d’Amore”, performancë kjo që u transmetua në televizionin italian “Rai5”.

Performuese në shumë skena dhe shtete të rëndësishme të botës

Duke qenë se jemi në prag të festave të fundvitit, Marigona Qerkezi, e pyetur për një listë të shteteve që ajo kishte performuar gjatë karrierës së saj, doli të jetë habitëse për nga numri i madh i tyre.

“Shtetet në të cilat kam performuar gjer më tani janë: Shqipëria, Amerika, Gjermania, Anglia, Italia, Japonia, Rusia, Portugalia, Spanja, Holanda, Omani, Turqia, Sllovenia dhe Kroacia”, tregon ajo.

Jo më pak ishin skenat që ajo kishte performuar me dinjitet të plotë si artiste.

“Skenat ku kam performuar deri më tani janë ato në: “New National Theatre Tokyo”, “Fondazione Teatro Verdi di Pisa”, “Fondazione Teatro Petruzelli”, “Rossini Opera Festival”, “Royal Opera House Muscat”, “Teatro Muncipale Valli”, “Teatro Ponchielli di Cremona”, “Teatro Lirico di Cagliari”, “Teatro Regio di Parma”, “Fondazione Teatro Donizetti”, “Teatro Grande di Brescia”, “Teatro Sociale di Como”, “Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit”, “Grande Teatro del Liceu”, “Theatre Kiel” etj”, shprehet ajo.

Skenat që i dhanë më shumë emocion

Natyrisht që çdo skenë ka edhe emocionin e vet, por Marigona ka cekur dy nga skenat që i dhanë më shumë emocion. E para ishte në Omani dhe e dyta në Shqipëri, kur doli para publikut shqiptar.

“Në fakt, secila skenë dhe eveniment kudo që prezantohem ka emocione të veçanta, ndoshta do ta veçoja një që nuk harrohet kurrë, është ai nga debutimi im në skenën madhështore në “Royal Opera House” në Oman, e po ashtu edhe para publikut tonë shqiptar”, tregon ajo.

Marigona për Albinfo.ch tregoi se muajin dhjetor të vitit 2021 do ta mbyllë me një projekt që e kishte ëndërr ta realizonte që e vogël.

“Vitin 2021 do ta përmbyll me rolin e Leonorës nga “Il Trovatore e G.Verdit”, një ëndërr që po realizohet, pasi, qysh e vogël e ndiqja me shumë admirim këtë operë, pikërisht me mamin tim, Merita Juniku, në rolin e “Azucena-s”.

Për fund, sopranoja shqiptare uron për festat e fundvitit të gjithë shqiptarët dhe, në veçanti, mërgimtarët.

“Lexuesve të Albinfo.ch, si dhe gjithë diasporës shqiptare në botë u uroj: Gëzuar festat e fundvitit dhe u dëshiroj vit të ri të mbarë, me plot shëndet e lumturi”.

 

Të gjitha skenat në të cilat ka performuar Marigona

“Skenat ku kam performuar deri më tani janë ato në: “New National Theatre Tokyo”, “Fondazione Teatro Verdi di Pisa”, “Fondazione Teatro Petruzelli”, “Rossini Opera Festival”, “Royal Opera House Muscat”, “Teatro Muncipale Valli”, “Teatro Ponchielli di Cremona”, “Teatro Lirico di Cagliari”, “Teatro Regio di Parma”, “Fondazione Teatro Donizetti”, “Teatro Grande di Brescia”, “Teatro Sociale di Como”, “Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit”, “Grande Teatro del Liceu”, “Theatre Kiel” etj”, shprehet ajo.

 Intervistën e realizoi: Drin Reçica


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI