Kosova

Marrëveshjet mes Kosovës dhe Zvicrës, 2008-2022

Kosova, që nga shpallja e pavarësisë deri më sot ka lidhur shumë marrëveshje shtetërore me Zvicrën. Në vazhdim, disa nga më të rëndësishmet

Zvicer Pixabay

Zvicra ka qenë ndër vendet e para që kanë njohur pavarësinë e Kosovës, në ditët e para pas shpalljes së saj në Kuvendin e Kosovës, më 17 Shkurt 2008. Një gjë e pritshme kjo, kur dihet angazhimi i saj i veçantë për trasimin e rrugës së pavarësimit të Kosovës, vendit nga i cili çdo i dhjeti banor jetonte në Zvicër. Në këtë kuptim, Zvicra, shumë para pavarësimit formal ka “njohur” Kosovën shtet, sidomos përmes veprimit të guximshëm të ministres së saj të jashtme, Micheline Calmy Rey, e cila që në vitin 2005 kishte thyer tabunë duke kërkuar që bashkësia ndërkombëtare të njihte realitetin që po krijohej në Ballkan, shtetin e ri të Kosovës.

Në përkim me këtë status të një mikeje të privilegjuar të Kosovës, Zvicra, që nga ajo kohë ka lidhur shumë marrëveshje me Kosovën. Sigurisht, pa llogaritur këtu “marrëveshjet” joformale, të përkrahjes së Kosovës ende pa qenë ajo shtet në kuptimin e të drejtës ndërkombëtare.

Në vazhdim disa nga marrëveshjet e lidhur ndër vite në mes të dy shteteve, ashtu si janë pasqyruar ato në platformën mediale, Albinfo.ch.

Kosova dhe Zvicra me marrëveshje për shërbime ajrore

30 Nëntor 2010

Kosova dhe Zvicra kanë nënshkruar një marrëveshje në lidhje me shërbimet e rregullta të trafikut ajror. Nënshkrimin e marrëveshjes e bënë ministri në largim i Transportit dhe Post-Telekomit të Kosovës, Fatmir Limaj dhe ambasadori zviceran në Kosovë, Lukas Beglinger.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Limaj dhe Beglinger kanë thënë se marrëveshja është në përputhje me frymën liberale të tregut të lirë dhe mundëson liri të pakufizuara trafiku për kompanitë e rregullta ajrore të të dy vendeve. Në këtë rast u përmend se përfitimi më i madh do të jetë për diasporën kosovare, e cila jeton në numër të madh në Zvicër.

”Kjo është marrëveshja e parë bilaterale e transportit ajror që po nënshkruhet nga Republika e Kosovës. Kemi një kënaqësi të veçantë që kjo marrëveshje po nënshkruhet me Zvicrën, duke pasur parasysh raportet shumë të mira, midis vendeve tona dhe fakti që në Zvicër jeton një numër i madh i bashkatdhetarëve tanë, transporti ajror midis Kosovës dhe Zvicrës, përbënë rreth 30 për qind të tërë transportit ajror në Kosovë”, tha Limaj.

Marrëveshja për transferimin e të burgosurve kosovarë nga Zvicra në Kosovë

30 Nëntor 2012

Shtetasit e Kosovës që jetojnë në Zvicër, të cilët kanë kryer delikte, do të mund të bëjnë vuajtjen e burgut në Kosovë. Kjo parashihet në një marrëveshje të cilën Zvicra e ka realizuar vitin e kaluar me Kosovën. Ndërsa këtë të mërkurë, Këshilli Federal i Zvicrës e ka bërë marrëveshjen gati  për ratifikim. Marrëveshja në fjalë, e cila vlen edhe për zviceranët, që kanë kryer delikte në Kosovë, synon të lehtësojë riintegrimin në shoqëri, të personave të dënuar me burg. Një i burgosur që është pranë rrethit të tij familjar e kulturor, integrohet më lehtë, pas lirimit, thuhet në një komunikatë të Këshillit Federal.

Përmes kësaj marrëveshje po ashtu synohet zvogëlimi i numrit të të burgosurve të huaj në burgjet zvicerane. Për burgjet e Zvicrës kjo do të përbënte një kursim substancial. Me këtë rast shteti ku është shqiptuar dënimi do të hiqte vetëm shpenzimet e dorëzimit, por jo edhe të vazhdimit të mbajtjes së dënimit.

Marrëveshja parasheh edhe mundësinë që i dënuari të bëjë ankesë në Gjykatën Federale kundër bartjes së tij për të vuajtur dënimin në shtetin e prejardhjes.

Kosovë-Zvicër, marrëveshje bashkëpunimi për menaxhimin e migrimit

21 Shkurt 2017

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës dhe Departamentit Federal për Punë të Jashtme, i Qeverisë së Zvicrës, nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi për projektin: “Fuqizimi i Autoriteteve për Menaxhim të Migrimit në Kosovë”, thuhet në një njoftim për media të Ministrisë, në Prishtinë.

Kjo marrëveshje është në përputhje dhe në zbatim të Marrëveshjes Kornizë, lidhur me Bashkëpunimin Teknik dhe Financiar, si dhe ndihmën humanitare ndërmjet Këshillit Federal Zviceran dhe Qeverisë së Kosovës, nënshkruar më 6 tetor 2010, dhe që ka hyrë në fuqi më 16 dhjetor 2010.”, thuhet më tutje në njoftim të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Kosovë-Zvicër, marrëveshje për eliminimin e tatimit të dyfishtë

26 Maj 2017

Ministri në detyrë i Financave, Avdullah Hoti dhe ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean Hubert Lebet nënshkruan në Prishtinë, marrëveshjen për eliminimin e tatimit të dyfishtë mbi të ardhurat dhe për parandalimin e evazionit fiskal ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Këshillit Federal të Zvicrës. “Kjo marrëveshje do të na ndihmojë shumë për të thelluar bashkëpunimin edhe më tutje që kemi ndërmjet dy shteteve tona. Për neve Zvicra është vend mik dhe vend për të cilin kemi konsiderata të qarta, për arsyen e thjeshtë që një numër shumë i madh i qytetarëve të Kosovës jetojnë me familjet e tyre në këtë shtet”, tha Hoti.

“Janë mbi 270 mijë qytetarë që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër, që dërgojnë qindra dhe miliona euro tek familjet e tyre në Kosovë. Përmes kësaj Marrëveshje ne krijojmë një bazament të fuqishëm që të nxisim edhe investimet zvicerane në Kosovë”, shtoi Ministri Hoti.

Ndërsa, ambasadori i Zvicrës në Prishtinë, Jean Hubert Lebet, tha se është me rëndësi për të definuar këtë kornizë që lejon mundësitë për të arritur dhe forcuar bazën ekonomike dhe ligjore. Edhe Lebet vlerësoi se marrëveshja ofron mundësi për të arritur dhe forcuar anën ekonomike dhe ligjore.

U nënshkrua marrëveshja për sigurimet shoqërore Zvicër-Kosovë

8 Qershor 2018

Në Prishtinë, Ambasadori zviceran Jean-Hubert Lebet dhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica nënshkruan Marrëveshjen për Sigurime Sociale në mes të Zvicrës dhe Kosovës. Marrëveshja hyn në fuqi pas miratimit nga parlamentet e të dyja shteteve, transmeton albinfo.ch.

Në veçanti, ajo koordinon sigurimin pensional, pensionet për trashëgimtarë dhe pensionet invalidore me shtetet kontraktuese, të cilat në Zvicër janë AHV dhe IV, për t’iu shmangur disavantazheve të mundshme ose diskriminimit të shtetasve të njërit apo shtetit tjetër. Marrëveshja për Sigurime Sociale që ishte lidhur paraprakisht me Jugosllavinë nuk zbatohet në raport me Kosovën që nga 1 prill 2010. Kosova është shteti i vetëm pasues i Jugosllavisë, me të cilin Zvicra nuk ka marrëdhënie kontraktuale në fushën e sigurimeve sociale.

Prandaj shtetasit e Kosovës nuk mund të merrnin sigurimin pensional, pensionin për trashëgimtarë dhe sigurimin invalidor në shtetet e jashtme. Në vend të sigurimit pensional ose të pensionit për trashëgimtarë mund të bëhej me kërkesë kthimi i shumës së sigurimit pensional. Pasi që në fushën e sigurimit social Kosova ka zhvilluar në masë të madhe kornizën ligjore që nga viti 2010 dhe ka ndërtuar infrastrukturën përkatëse, në nëntor 2016 Këshilli Federal i ka dhënë Departamentit Federal për Çështje të Brendshme (EDI) një mandat për të filluar negociatat për një marrëveshje të re. Negociatat përfunduan në verën e 2017-tës dhe Këshilli Federal miratoi marrëveshjen në mbledhjen e datës 21 mars 2018, përcjell albinfo.ch.

Shtetasit e Kosovës në moshë të pensionit, të cilët nuk e kanë kërkuar rikthimin e shumave, mund të bëjnë kërkesë për pagesën e pensionit të tyre në shtetet e jashtme, sapo të hyjë marrëveshja në fuqi. Megjithatë nuk mund të parashtrohen kërkesa retroaktive për kohën para hyrjes në fuqi të marrëveshjes.

Nënshkruhet Marrëveshja Kosovë-Zvicër për personat e riatdhesuar

24 Prill 2019

Është nënshkruar Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Komisionit Kombëtarë Zviceran për Parandalim të Torturës dhe Institucionit të Avokatit të Popullit, i cili vepron si Mekanizëm Kombëtar për Parandalim të torturës, për monitorim të përbashkët të operacioneve të kthimit me forcë ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, tha qëllimi i kësaj marrëveshje është mbrojtja e personave që riatdhesohen nga Zvicra, përcjell albinfo.ch. “Nënshkruam marrëveshjen e parë  për parandalim të torturës dhe kjo  shënon  sukses të radhës në cilësi të Avokatit të Popullit. Synimi i kësaj marrëveshje është mbrojtja e personave që të riatdhesohen nga Zvicra për të parë që këto procese do të zbatohen. Mekanizmi kombëtar për pranim të torturës është përgatitur shumë mirë mbi standardet më të larta të kësaj kategorie”, tha Jashari.

Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean Hubert-Lebet, tha ky memorandum ka të bëjë me monitorimin e operacioneve të kthimit të detyrueshëm ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës.

“Memorandumi i Mirëkuptimit koordinon dhe përcakton përgjegjësi të qarta që sigurojnë se të kthyerit trajtohen në mënyrë korrekte dhe njerëzore nga policia zvicerane dhe forcat policore të Kosovës gjatë procedurës së kthimit të detyrueshëm dhe dorëzimit”, tha Jean Hubert-Lebet.

Zvicra mbështet rritjen e qëndrueshme ekonomike të Kosovës

1 Prill 2022

Zvicra vazhdon të mbështesë rritjen e qëndrueshme ekonomike të Kosovës. Ambasadori zviceran, Thomas Kolly, dhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrjes dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, nënshkruan marrëveshjen për fazën e tretë të projektit Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat (PPSE), përcjell albinfo.ch.

“Përmes kësaj faze të re të PPSE-së, ne do të vazhdojmë të ndihmojmë të rinjtë, gratë dhe komunitetet joshumicë të gjejnë punë të denjë në sektorin e ushqimit dhe turizmit. Zhvillimi i sektorit privat dhe krijimi i vendeve të denja të punës në Kosovë është angazhim afatgjatë i qeverisë zvicerane”, deklaroi ambasadori Kolly.

Gjatë viteve 2022-2025 Zvicra synon të mbështesë 6.500 persona në Kosovë për të gjetur një punë të re ose më të mirë.

Marrëveshja u nënshkrua në respektimin e parimeve demokratike, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, të përcaktuara në mënyrë të veçantë me Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, që frymëzojnë politikën e brendshme dhe të jashtme të të dy Palëve dhe përbëjnë një element thelbësor në mënyrë të barabartë me objektivat e kësaj marrëveshjeje të projektit në fjalë.

Nënshkruhet marrëveshja për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale

5 Prill 2022

Në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës u nënshkrua marrëveshja ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Konfederatës Zvicerane për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale, gjegjësisht nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly, përcjell albinfo.ch.

Kjo marrëveshje ka për qëllim forcimin dhe thellimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit në fushën e ndihmës juridike në çështjet penale në mes të dy vendeve, lehtësimin dhe harmonizimin e procedurave ligjore për një bashkëpunim sa më të frytshëm dhe efikas.

Marrëveshja do të rregullojë procedurën rreth ofrimit të ndihmës juridike të ndërsjellë në çështjet penale, duke ngërthyer standardet ndërkombëtare të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, si dhe duke reflektuar praktikat më të mira evropiane përkitazi me kërkesat e kohës.

Kjo marrëveshje parasheh marrjen e dëshmive, komunikimin e drejtpërdrejtë në mes të organeve tona gjyqësore themelimin e grupeve te përbashkëta hetimore, si dhe ngrirjen, sekuestrimin dhe konfiskimin e të ardhurave dhe instrumenteve të krimit.