Kosova

Mbërrin gazetarja e parë ukrainase në Kosovë

Gazetarja ukrainase, Lyudmila Makey, është e para në mesin e 20 gazetarëve ukrainas që Kosova do të presë në kuadër të programit Gazetarët në Rezidencë Kosova. Ajo ka mbërritur sot në Kosovë dhe është pritur nga kryeministri i vendit, Albin Kurti.

Kurti i ka uruar mirëseardhje, duke thënë se solidariteti i shqiptarëve të Kosovës me popullin e Ukrainës dhe luftën çlirimtare kundër agresionit ushtarak rus janë të padiskutueshme.

“Pata kënaqësinë t’i uroj mirëseardhje në vendin tonë Lyudmila Makey, gazetare nga Ukraina. Ajo është gazetarja e parë ukrainase që ka arritur në Kosovë, pasi është detyruar të largohet nga Ukraina pas invazionit rus”.

“Falënderojmë Qendrën Evropiane për Liri të Shtypit dhe Mediave (ECPMF), Federatën Evropiane të Gazetarëve (EFJ), Unionin Kombëtar të Gazetarëve të Ukrainës dhe Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës për bashkëpunimin në programin Gazetarët në Rezidencë (Journalists in Residence) në Kosovë”, tha Kurti.

Tutje ritheksoi se Republika e Kosovës u është bashkuar vendeve perëndimore në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

“Ne mbesim të përkushtuar të punojmë së bashku me aleatët për të kontribuar për paqen e qëndrueshme, stabilitetin afatgjatë dhe sigurinë rajonale e globale. Do të kujdesemi që znj. Makey dhe kolegët e saj që do t’i mirëpresim, të kenë kushte të përshtatshme për punë dhe jetesë”, tha kryeminsitri.

Ndërkaq gazetarja ukrainase Lyudmila Makey, shprehu falënderim për mbështetjen e shtetit të Kosovës.

“U jam sinqerisht mirënjohës Qendrës Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF), Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ), Unionit Kombëtar të Gazetarëve të Ukrainës, Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për mundësinë për të kërkuar strehim në vendin tuaj nën programin Gazetarët në Rezidencë në Kosovë. Për mua kjo është para së gjithash një mundësi për të mbetur në profesionin e rëndësishëm të gazetarit”, tha Makey.

“Fatkeqësisht, është e rrezikshme të jesh gazetar në Ukrainë sot. Okupatorët rusë rrëmbejnë, kërcënojnë dhe vrasin gazetarë. Së fundmi, Unioni Kombëtar i Gazetarëve të Ukrainës publikoi një listë të gazetarëve të vdekur. Ajo përmban më shumë se 20 emra të kolegëve të mi. Ata të gjithë thanë të vërtetën për këtë luftë të përgjakshme”, shtoi ajo.

Ajo theksoi se është e impresionuar nga dëshira e kosovarëve për të mbështetur kolegët ukrainasë.

“Jam e prekur deri në lotë se si njerëz plotësisht të huaj duan të ndihmojnë ukrainasit”, tha ajo, duke shtuar se beson se ky bashkëpunim dhe solidaritet me gazetarët është një hap i rëndësishëm drejt paqes.

Programi i financuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës mbulon kostot e jetesës, pagat dhe zyrat për një periudhë deri në gjashtë muaj, për t’u mundësuar gazetarëve ukrainas të punojnë nga distancë.

Aplikimet për programin Journalists-in-Residence Kosova janë ende të hapura.