Lajme

Mbi 65 mijë të shëruar nga koronavirusi në botë

“Worldometers”, e cila publikon në kohë reale të dhëna nga koronavirusi, bën të ditur se deri më tani mbi 65,000 persona kanë arritur të shërohen.

Numri i të infektuarve në gjithë botën vazhdon të rritet, sikurse edhe ai i viktimave. Deri tani janë mbi 116 mijë të prekur, prej tyre mbi 64 mijë janë shëruar, ndërsa mbi 4 mijë ka shkuar numri i viktimave, transmeton albinfo.ch.

Sipas disa hulumtimeve të Universitetit “Johns Hopkins”, numri i njerëzve që shërohen nga virusi po rritet dukshëm. “Worldometers”, e cila publikon në kohë reale të dhëna nga koronavirusi dhe jo vetëm, bën të ditur se deri më tani mbi 65,000 persona kanë arritur të shërohen, transmeton albinfo.ch.

Ndërsa në pjesën tjetër të botës vrulli i Covid-19 nuk ndalet, në Kinë situata duket të jetë nën kontroll. Autoritetet raportuan vetëm 40 raste të reja në 24 orë, shifra më e ulët kjo që prej 20 janarit. Presidenti kinez Xi Jinping vizitoi Wuhanin, ku edhe pati zanafillën virusi, për të treguar se situata atje është drejt normalizimit. Sinjale pozitive vijnë edhe nga një tjetër vatër e virusit, Koreja e Jugut, e cila gjithashtu raporton rënie të rasteve e viktimave nga Covid-19.

Situata më alarmante mbetet në Itali, por edhe pjesa tjetër e Europës po përjeton rritje dramatike të rasteve. Me rastet e shënuara të hënën në Qipro, Covid-19 prek të gjithë kontinentin e vjetër, ku viktimat janë mbi 500. Spitali më i madh në Qipro ka pezulluar shërbimet, pasi një mjek rezultoi pozitiv ndaj koronavirusit.

Pas Italisë, Franca numëron numrin më të lartë të rasteve, me mbi 1500 të tilla dhe të paktën 50 viktima. Mes të infektuarve janë edhe shumë deputetë, gjithashtu presidenti i Parlamentit Europian, Davide Sassoli, konfirmoi se do të vetizolohej pas një udhëtimi në Itali fundjavën e kaluar. Përgjatë 14 ditëve në vijim ai do të kryejë detyrat e tij nga shtëpia në Bruksel.

Virusi po përhapet me shpejtësi edhe në Shtetet e Bashkuara me raste të reja të shënuar në 20 shtete. Të prekur janë mbi 700, ndërsa viktimat rreth 26. Uashingtoni është më i prekur dhe shumë shkolla në këtë shtet po aplikojnë mësimin online. OBSH tha të hënën se rreziku i një pandemie globale është shumë real. /Albinfo.ch