Kosova

Mbrapa rrëzimit të Kurtit qëndron konflikti SHBA-BE lidhur me Kosovën

"Mbrapa kulisave ky ishte një konflikt në mes të BE-së dhe SHBA-së. Uashingtoni përpiqet ta shtyjë Prishtinën drejt pranimit të një “Deal”-i ndërsa Brukseli është kundër"

„Rrëzim i qeverisë në kohën e koronavirusit”, “Mospajtimet rreth trajtimit të koronavirusit rrëzojnë qeverinë e Kosovës” ose “Rrëzimi i qeverisë, rezultat i politikës ballkanike të Trumpit”. Këta janë titujt që më së shpeshti qarkullojnë në mediat në gjuhën gjermane lidhje me votimin e mbrëmshëm të Kuvendit të Kosovës për mosbesimin e Qeverisë Kurti, shkruan albinfo.ch.

Krahas lajmit për rezultatin e votimit të mocionit të mosbesimit, të cilin shumica e mediave e kanë marrë nga agjencitë e lajmeve, një pjesë e gazetave tradicionale, kësaj ngjarjeje i kanë kushtuar edhe komente ose analiza nga ekspertët e rajonit.

Ndër mediat që janë marrë më në hollësi me çështjen janë gazetat prestigjioze “NZZ”, FAZ dhe “Der Standard”, nga të cilat albinfo.ch ka përmbledhur pjesët më të rëndësishme në tekstin në vijim.

“Prapa shkarkimit të nacionalistit të majtë, Kurti qëndron një konflikt në mes të Uashingtonit dhe Brukselit. SHBA dëshiron ta marrë në dorë të saj dosjen e Kosovës dhe ta arrijë një “Deal” të shpejtë në mes të Beogradit dhe Proshtinës”, shkruan Andreas Ernst, ish korrespondent për Ballkanin, në gazetën zvicerane NZZ.

Në vazhdim Ernst thekson se ndryshimi në politikën amerikane në raport me Ballkanin ka ardhur kur, në vend të ekspertëve të rajonit, Trump politikën e tij ballkanike ua ka besuar njerëzve të tij besnikë, transmeton albinfo.ch. Dhe një njeri tipik i tillë është Grenell, i cili është edhe ambasador i SHBA-së në Gjermani dhe është emëruar si i dërguar special për Kosovën.

Gazetari shton tutje se “Madje edhe në Ballkan një rrëzim qeverie në kulmin e përhapjes së virusit merret si çmenduri. Por, pikërisht kjo ka ndodhur mbrëmë në Parlamentin e Kosovës.

NZZ në vazhdim shkruan se në mes të Thaçit he Kurtit ka një konflikt të hapur, që zgjat prej më se dhjetë vitesh. I pari, është përfaqësuesi më i fuqishëm i partisë më të madhe të “komandantëve”, që identifikohet me kapjen e shtetit dhe tjetri, udhëheqës i lëvizjes që synon luftën kundër korrupsionit dhe çkapjen e shtetit. “Luftë kjo që, pas rrëzimit të mbrëmshëm, do të mbetet pa u kryer”, vëren gazetari i NZZ.

Lufta në mes të dyve është ashpërsuar me daljen në pah të bisedimeve rreth një marrëveshjeje të fshehtë që duket ta kenë bërë Vuçiq dhe Thaçi në lidhje me të ardhmen e Kosovës, ku, sipas spekulimeve, përfshihen edhe ndarje ose këmbime territoresh, shkruan gazeta zvicerane.

Ndërsa Adelheide Wölfli e ka titulluar kështu artikullin e saj në gazetën austriake “Der Standard” mbi votimin që u bë mbrëmë në Parlamentin e Kosovës: ”Politika ballkanike Trump-iane rrëzoi Qeverinë e Kosovës”. Ekspertja nga Vjena thekson se me këtë veprim, SHBA nën Trumpin po pozicionohet qartazi kundër evropianëve, sa i përket politikës për Kosovën, transmeton albinfo.ch.

Ajo citon me këtë rast politologun nga Universiteti i Prishtinës, Arben Hajrullahun i cli thotë: “Për arsye se disa politikanë shumë të kontestuar perëndimorë shohin interesa të brendshme politike dhe financiare në politikën ballkanike, në Kosovë disa marioneta detyrohen të vallëzojnë”, përcjell albinfo.ch. Është e pritshme që që shpejti të vijë në fuqi një qeveri nën kontrollin De Facto të Thaçit. Gjermania, Franca, Brtitania e Madhe dhe Zvicra janë pozicionuar kundër rrëzimit të qeverisë kosovare. Berlini dhe Parisi kanë shprehur shqetësim për këtë”.

Ndërsa drejtuesi i Qendrës për Studime të Evroës Juglindore në Universitetin e Gracit, Florian Biber thotë: “Përzierja e SHBA-së në politikën e brendshme të Kosovës nuk është diçka e re. Por, e re është e dhëna që në këtë rast  SHBA dhe BE qëndrojnë hapur në anë të ndryshme. Për thyerjen e unitetit të perëndimit në raport me Kosovën me siguri ka pasur shenja prej kohësh por tani kjo është treguar fare qartë”.

Gazeta më e madhe gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” përmes penës së korrespondentit të saj për Evropën Juglindore, Michael Martens shkruan veç tjerash se “formalisht konflikti kishte të bënte me politikën që duhej ndjekur në krizën rreth koronavirusit. Por, mbrapa kulisave ky ishte një konflikt në mes të BE-së dhe SHBA-së. Uashingtoni përpiqet ta shtyjë Prishtinën drejt pranimit të një “Deal”-i ndërsa Brukseli është kundër.

Sa i përket politikës së qasjes ndaj koronavirusit, gazeta përkujton apelin e presidentit Thaçi për të injoruar masat e proklamuara nga Qeveria Kurti. Dhe, Thaçi në këtë qëndrim të tij kishte mbështetjen e e  Grenellit, të ngarkuarit special të Trumpit për bisedimet Kosovë-Serbi, transmeton albinfo.ch. Ky i fundit prej javësh këmbëngul që Kosova të heqë dorë plotësisht dhe pa kushte nga taksat kundër mallrave të Serbisë, për të realizuar kështu marrëveshjen Kosovë – Serbi për lidhjet rrugore dhe hekurudhore mes dy vendeve.

Kurti nga ana e tij këmbëngulte se taksën do ta hiqte vetëm nëse edhe Serbia do të hiqte dorë nga kufizimet tregtare që i bën Kosovës. Kjo solli ngritjen e toneve në mes të Shtëpisë së Bardhë dhe Qeverisë së Kosovës, aq sa Donald Trump junior kishte kërcënuar se amerikanët mund të mbyllnin kampin Bondsteel. Dhe ky është një kërcënim jashtëzakonisht seruoz pasi që ndjenja e sigurisë së shqiptarëve të Kosovës vjen në masë të madhe falë pranisë ushtarake amerikane  në vend, përcjell albinfo.ch artikullin nga FAZ. Ndërsa Grenell i kishte shtuar këtij kërcënimi edhe ndërprerjen e mbështetjes ekoniomike për Kosovën.