Bota

Me veturën e babait shkakton aksident të rëndë në Austri

Nja djalosh i ri nga rrethina e Braunaut në Austri, rreth orës 17.00, ka qenë duke qarkulluar me veturë në rrugën “L501” në drejtim të Tarsdorfit. Është konstatuar se ai ia ka marr veturën babait pa leje dhe ka shkaktuar aksident të rëndë.
Në Wanghauserberg të Komunës Hochburg-ACH, ai devijoi në korsinë e majtë duke u përplasur ballëpërballë me një veturë tjetër që po e ngiste një 48-vjeçar nga Bavaria, shkruajnë mediat austriake, përcjell Albinfo.ch. Më pas, vetura e 48-vjeçarit u përplas në të djathtë dhe u ndal në rrugë.
Vetura e kosovarit 18-vjeçar pastaj doli në korsinë e majtë dhe u përplas ballëpërballë me një veturë tjetër që po vinte nga ana tjetër, e drejtuar nga një bavarez 59-vjeçar. Edhe një tjetër veturë e një austriaku 38-vjeçar, ishte përfshirë në aksident, informon më tej Albinfo.ch.
Vozitësi 59-vjeçar është dërguar në spitalin Altoetting me lëndime të rënda, 48-vjeçari dhe bashkudhatërja e saj 51-vjeçare, në spital Burghausen. Vozitësi 18-vjeçar ka kaluar me lëndime të lehta dhe është dërguar në spitalin në Braunau. Në të gjitha veturat është shkaktuar dëm total.