Kosova

Mediat gjermane: “Retorika e Vuçiqit të kujton atë të Putinit, para fillimit të pushtimit të Ukrainës”

Presidenti rus, Vladimir Putin pretendonte në atë kohë se donte të mbronte popullsinë rusishtfolëse në Ukrainë

Përshkallëzimi më i ri i konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë, gjegjësisht “vringëllimi i armëve” nga ana e Serbisë në drejtim të Kosovës bën pjesë ndër lajmet kryesore të mediave në gjuhën gjermane. Kështu, gazetat dhe shtypi tjetër në Gjermani, Zvicër dhe Austri nisin lajmet e tyre me krizën më të re, e cila, sipas tyre kërcënon të rrezikojë seriozisht paqen në Ballkan, sado e brishtë që është ajo.

Në vazhdim, albinfo.ch sjell disa theksime nga raportimet e këtyre mediave mbi ngjarjet aktuale në Kosovë.

Gazeta austriake Der Standard ka një koment interesant mbi qëndrimin e presidentit serb Vuçiq dhe mbi përfshirjen e dukshme të Rusisë në krizën më të re. “Vuçiq pretendon se serbët po persekutohen në Kosovë dhe se pala kosovare është në kërkim të dhunës. “Vuçiq nuk po vepron vetëm, ai ka Kremlinin prapa tij. Beogradi dhe Moska kanë lidhur gjatë vjeshtës që shkoi një marrëveshje për koordinimin e politikës së tyre të jashtme. Stacioni propagandistik rus RT ka hapur një zyrë dhe grupi Wagner ka hapur një qendër në kryeqytetin serb”, transmeton albinfo.ch gazetën austriake.

Kreu i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Nikolai Patrushev, është duke u koordinuar me udhëheqjen e qeverisë serbe. Rusia furnizon Serbinë me armë të rënda. Përkundër kësaj, Vuçiq deri më tani është ballafaquar në një mënyrë të paqartë  ose tepër të butë nga përfaqësuesit e BE-së. Kjo politikë  ka bërë që situata të përshkallëzohet më tej. Prandaj është koha për një ndryshim politikash: aktorët perëndimorë duhet t’i bëjnë thirrje qartë kreut të shtetit serb që tu  japë fund provokimeve dhe përpjekjeve serbe për të qenë një superfuqi dhe për të kontrolluar rrjedhën e parave dhe armëve nga Rusia, përcjell albinfo.ch. Nëse vazhdojnë (krerët perëndimorë)  si më parë, Rusia do të shkaktojë edhe më shumë trazira në Ballkan përmes Serbisë dhe kështu do të rrezikojë edhe demokracinë perëndimore në Evropë”, paralajmëron gazeta vjeneze.

NZZ: Prishtina shpreson dhe Beogradi ka frikë se Perëndimi do të shtyjë një zgjidhje për mosmarrëveshjen e vjetër

Ndërsa gazeta zvicerane Neue Zürcher Zeitung (NZZ) duke komentuar situatën e tensionuar në Kosovë mes minoritetit serb dhe shqiptarëve të Kosovës shkruan veç tjerash: “Nervozizmi dhe gatishmëria për të eskaluar nga të dyja palët ka një dhe të njëjtën arsye. Prishtina shpreson dhe Beogradi ka frikë se Perëndimi do të shtyjë një zgjidhje për mosmarrëveshjen e vjetër. Bëhet fjalë për të ashtuquajturin propozim franko-gjerman. Sipas kësaj, Beogradi nuk duhet ta njohë Kosovën de jure, por të paktën de fakto. Serbët e Kosovës në veri janë tani pengu i fundit i Beogradit. Nëse Prishtina vërtet dëshiron që një ditë të jetë sovrane në këtë pjesë të vendit, atëherë kreu i qeverisë së Kosovës, Kurti, do të duhet ta shpengojë këtë zotim. Kjo do të funksionojë vetëm nëse ai u jep serbëve të Kosovës autonominë që u ishte premtuar një dekadë më parë. Është mirë që Perëndimi më në fund dëshiron t’i japë fund ‘çështjes së Kosovës’. Ai e ka lënë për dhjetë vjet të zvarritet. Por Brukseli, Berlini dhe Uashingtoni duhet të jenë të kujdesshëm që të mos diktojnë zgjidhjen për palët në mosmarrëveshje. Negociatorët tani kanë nevojë për të dyja: vendosmërinë dhe durimin”.

Gjermania kritikon retorikën nacionaliste të Serbisë në konflikt me Kosovën

Gjermania është e shqetësuar për ngritjen e barrikadave ilegale dhe forcimin e pranisë ushtarake serbe në kufirin serbo-kosovar. Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha se Serbia po dërgonte një “sinjal shumë të keq” dhe bëri thirrje për çmontimin e barrikadave, shkruan euronews në gjuhën gjermane. Ai e quajti të papranueshme “retorikën nacionaliste” të Serbisë.

Po sipas këtij mediumi, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se “kriminelët” po shpërfillin vendimet e qeverisë dhe po sfidojnë agjencitë e zbatimit të ligjit. Ata po marrin mbështetje nga qeveria serbe me qëllim të destabilizimit të rajonit dhe cenimit të integritetit territorial të Kosovës. Kriminelët do të arrestohen. Ai e ka quajtur të paligjshme dhe të papranueshme ngritjen e barrikadave në kufirin kosovaro-serb. Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë u jepet koha dhe hapësira që u nevojitet për të vepruar, por koha po ikën…

Die Zeit: Vuçiq ka shkruar se ushtria serbe do të bëjë gjithçka që mundet për të mbrojtur serbët në Kosovë

Javorja gjermane Die Zeit në botimin e saj online veç tjerash shkruan: Tensionet mes Serbisë dhe Kosovës janë shtuar prej ditësh. Serbia e ka vënë ushtrinë në gatishmëri të plotë luftarake dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq bëri një vizitë publike në një kazermë të ushtrisë në qytetin e Rashkës afër kufirit me Kosovën. Në një postim në Instagram për vizitën, Vuçiq ka shkruar se ushtria serbe do të bëjë gjithçka që mundet për të mbrojtur serbët në Kosovë.

Zgjedhja e fjalëve të Vuçiqit të kujton retorikën ruse para fillimit të pushtimit të Ukrainës në shkurt. Presidenti Vladimir Putin pretendoi në atë kohë se donte të mbronte popullsinë rusishtfolëse në Ukrainë, transmeton albinfo.ch. Në fillim të dhjetorit, kryeministrja serbe Ana Brnabiq paralajmëroi hapur për luftë kur akuzoi kryeministrin kosovar Albin Kurti se po rrezikon serbët në Kosovë dhe kështu e ka sjellë rajonin “në prag të një konflikti të armatosur”.

Sipas gazetës gjermane “Frankfurter Rundschau”, për një kohë të gjatë dukej sikur mund të kishte një afrim mes Serbisë dhe Kosovës. Por tani frontet janë ngurtësuar. Serbët militantë kanë ngritur një barrikadë në veri të qytetit të ndarë të Mitrovicës për herë të parë në rrjedhën e tensioneve aktuale në Kosovë. Disa kamionë të ngarkuar me gurë dhe rërë kanë bllokuar një nga hyrjet në një lagje të banuar me boshnjakë që nga mëngjesi i së martës, raporton portali i lajmeve në gjuhën serbe me bazë në qytet, kossev.info. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq vendosi forcat e armatosura serbe në gatishmëri të shtuar në lidhje me tensionet të hënën në mbrëmje.

ORF: “Rusia mbështet Serbinë në konflikt me Kosovën”

Transmetuesi publik austriak është i qartë në konstatimin e tij që në titullin e raportit: “Rusia mbështet Serbinë në konflikt me Kosovën”. Në konfliktin me Kosovën, Rusia ka premtuar mbështetjen e saj ndaj Serbisë. “Ne kemi lidhje shumë të ngushta si aleatë me Serbinë, historike dhe shpirtërore”, tha sot në Moskë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. “Ne mbështesim Beogradin në të gjitha masat e tij që ka marrë”.

Rusia po ndjek nga afër se çfarë po ndodh në Kosovë “dhe si po mbrohen të drejtat e serbëve (atje),” shtoi Peskov, përcjell albinfo.ch. Është “e natyrshme që Serbia mbron të drejtat e serbëve që jetojnë në kushte kaq të vështira dhe që reagon pamëshirshëm kur të drejtat e tyre shkelen” është shprehur ai. Serbia është një “vend sovran” dhe është “thelbësisht e gabuar të kërkosh ndonjë ndikim shkatërrues të Rusisë këtu”.