Integrimi

Memeti: FIDS-i nuk ka asnjë përgjigje për “çështjet e nxehta” të myslimanëve në Zvicër

Pas pohimit se FIDS (organizatë çati e myslimanëve të Zvicrës) ia ka dërguar Bernës zyrtare një deklaratë për laicitetin para se këtë ta bënin shqiptarët, flasin Mustafa Memeti dhe Nehat Ismaili, nënshkrues të deklaratës "për laicitet dhe njohje të shtetit ligjor"

Në një artikull të gjerë, të publikuar sot, gazeta “Aargauer Zeitung” merret me deklaratën për “njohje të shtetit ligjor dhe laicitet”, të cilën e nënshkruan të hënën që shkoi dy krerët e subjekteve shqiptare të besimit islam në Zvicër. Po ashtu autori i artikullit në fjalë, i cili ka shkruar me ton kritik edhe pas vetë nënshkrimit të deklaratës së Bernës, paraqitet edhe me një koment lidhur me po këtë çështje.

Thelbi i artikullit dhe komentit të tij qëndron në atë se FIDS, njëra nga dy organizatat çati të myslimanëve të Zvicrës, sipas tij, më e madhja, paska përpiluar një deklaratë të tillë dhe e ka dërguar atë para disa muajsh në organet e federatës për të kërkuar mbështetje. Por, për të mos e vënë nën presion shtetin, FIDS ka heshtur deri tash lidhur me ekzistimin e kësaj deklarate. Kjo organizatë po ashtu, sipas gazetës, është duke pritur prani më të lartë të Bernës zyrtare në manifestimin e pritshëm të shpalljes së deklaratës së saj për njohje të shtetit ligjor dhe për laicitet. Artikulli e vë theksin në ketë pikë, për të krijuar bindjen se subjektet shqiptare myslimane janë nxituar kur e kanë shpallur deklaratën. Ata madje, sipas artikullit, në aktivitetin e nënshkrimit të deklaratës kanë pasur të pranishëm “përfaqësues të parëndësishëm, margjinalë nga organet federale”.

Albinfo.ch ka marrë me këtë rast mendimet e dy imamëve shqiptarë që kanë nënshkruar deklaratën: Mustafë Memeti, kryetar i Bashkësisë Islame Shqiptare të Zvicrës (BISHZ) dhe Nehat Ismaili, kryetar i Unionit të Imamëve Shqiptarë të Zvicrës (UISHZ) lidhur me gjithë këtë.

Imami Mustafë Memeti, shprehet kritik ndaj artikullit dhe në veçanti ndaj tendencave të FIDS-it, të cilin ai e konsideron si një organizëm manipulativ.

“Nëse FIDS-i e paska pasur një deklaratë të tillë përse atëherë nuk na e kanë bërë të njohur ne, ose anëtarëve të vet shqiptarë? Përse myslimanët shqiptarë vetëm tash e marrin vesh se paska një deklaratë të tillë? E gjithë kjo është një mashtrim”, shprehet imami shqiptar për albinfo.ch.

Për më tepër sipas tij, për aq sa e njeh ai këtë organizatë, FIDS nuk do të mund ta nënshkruante, ta pranonte si të vetin një tekst të tillë të avancuar deklarate, çfarë e kanë nënshkruar subjektet shqiptare.

“FIDS-i nuk ka guxim të shprehet as për burka-n, as për pjesëmarrjen e vajzave në mësimine  notit, as…”

“Shikoni, FIDS-i sot nuk është në gjendje të japë përgjigje për asnjërën nga çështjet e nxehta për të cilat ngrihet debat në opinionin zviceran lidhur me myslimanët. Ata nuk kanë qëndrim as përgjigje për mbulesën e gruas (burka), as për pjesëmarrjen e vajzave myslimane në orët e notit dhe as për refuzimin e shtrëngimit të duarve me mësueset e tyre nga ana e nxënësve myslimanë. Thjesht, ata janë një klan dhe te ta shihet një tendencë e krerëve të saj dhe klerikëve arabë që ne shqiptarët të na marrin vetëm si viktima. Ata nuk kanë kredibilitet dhe nuk është aspak e vërtetë se përfaqësojnë 170 xhami në Zvicër. Në fakt ata nuk përfaqësojnë asnjë qendër madje as atë arabe islame në Zvicër”, shprehet imami Mustafa Memeti prononcimin e tij për albinfo.ch rreth FIDS-it.

Ndërkaq lidhur me kritikat tjera që bëhen në adresë të deklaratës së nënshkruar nga ai dhe homologu i tij të hënën në Bernë, ai shprehet: “deklaratën po përpiqen ta zhvlerësojnë të gjithë ata që janë kundër integrimit me vlera të islamit në kontekstin zviceran. Në këtë drejtim ai i sheh edhe qëndrimet e kryetares së Forumit për Islam Progresiv (Saïda Keller-Messahli) dhe studiueses së islamit Rifa’at Lenzin.

“Mendimet që merren nga Messahli dhe Lenzin janë ndërhyrje të kota dhe pa vlerë. Më së paku ato kanë të drejtë të japin komentet që po i japin. Ato po paraqiten si myslimane progresive por në fakt me deklarimet e tyre po pengojnë hapat e vërtetë drejt progresit të integrimit të myslimanëve në kontekstin zviceran”, përfundon Mustafë Memeti.

Nehat Ismaili, UISHZ: Jemi në dijeni të plotë dhe kontakte të ngushta me kreun e FIDS-it
Nga ana tjetër, kryetari i UISHZ, Imami Nehat Ismaili nuk e konsideron problematik vlerësimin rreth FIDS-it. Ai, në prononcimin e tij për albinfo.ch shprehet se si UISHZ janë në kontakte të ngushta me FIDS-in.

“Deklarata e komunitetit shqiptar mysliman ka të bëjë me përcaktimin e shqiptarëve myslimanë dhe organizatave të cilat i përfaqësojnë ata në Zvicër për integrim, dialog dhe komunikim të hapur me të gjitha palët. Dhe ka qenë e rrugës që ne si komunitet më i madh mysliman në Zvicër ta marrim një hap të tillë, për shkak që realisht ne jemi ata që përbëjnë shumicën e myslimanëve në këtë vend.
Duke pasur në konsideratë diversitetin religjioz, kulturor, ne përmes kësaj deklarate deshëm ta theksojmë orientimin euroatlantik dhe integrues të shqiptarëve myslimanë si në vendlindje ashtu edhe në diasporë.

Jemi në dijeni të plotë dhe kontakte të ngushta me kreun e FIDS-it, prej të cilit jemi të informuar që FIDS punon një kohë të gjatë për hartimin e dy deklaratave më të përgjithësuara, një për imamët dhe tjetra për qendrat islame. Ne zhvillojmë kontakte dhe mbajmë lidhje me të gjitha organizatat tjera simotra këtu në Zvicër dhe do ta mbështesim çdo iniciative të këtillë pozitive.

VIOZ e ka bërë një deklaratë të tillë në vitin 2005 dhe e ka quajtur Grundsatzerklärung dhe tjetrën në vitin 2009.
Për ne ky është një zhvillim normal brenda një komuniteti në veçanti kur janë në pyetje organizatat ombrellë siç janë FIDS. Dhe ne këtë e konsiderojmë partneritet dhe bashkëpunim e jo konkurrencë dhe oponencë”, përfundon kryetari i UISHZ, imami Nehat Ismaili prononcimin e tij për albinfo.ch.