Lajme

Mërgimtari nga Salzburgu, angazhohet për të varfrit në Kosovë

Ka pothuajse 30 vite që ka migruar në Austri. Mehmet Thaçi jeton në Salzburg, por krahas punës së tij në profesion, ai kujdeset edhe për mirëqenien e të tjerëve. Mehmeti merret me bamirësi dhe deri më tani ka arritur të ndërtojë disa shtëpi në Kosovë, për ata që kanë nevojë.

Ai është lindur në Gremnik të Klinës, por kishte lënë shtëpinë qysh në vitin 1988. Me ndalesa të shumta nëpër shtete të ndryshme të Evropës, Mehmetin fati e solli në Austri. Jeta e tij, ndonëse me peripeci të llojllojshme, nuk e ndali atë të mendojë e të veprojë edhe për njerëzit që jeta po vazhdon t`i sfidojë në forma të ndryshme.

Ardhja në Austri, integrimi në shtetin gjermanishtfolës

Jeta për Mehmet Thaçin nuk ka qenë aspak e lehtë. Edhe pse la Kosovën në vitin 1988, atij iu deshën shumë vjet deri sa të sistemohej në Austri.

Ai kishte jetuar në Kroaci, Bosnjë, Gjermani, para se të vendoste të kthehej në Salzburg. Mehmeti nuk kishte qenë në Kosovë as gjatë kohës së luftës, andaj shkuarjen për vizitë në Kosovë e mban akoma të gjallë në kujtim.

“Kisha qenë një herë në vitin 1993 në Salzburg, andaj vendosa që ta provoj prapë. Pata fatin që ta fitoj lejen e punës dhe pas 3 vitesh arrita që ta marr edhe shtetësinë austriake. Vetëm atëherë pata mundësinë të shkoja sërish në Kosovë, e që kisha vite të tëra pa e vizituar familjen”, ka thënë Mehmeti.

Ai tashmë ka pozitën e përgjegjësit/menaxherit në një kompani të njohur austriake. Ndërkohë, pjesën tjetër të kohës së tij e ndan për të bërë vepra bamirësie në Kosovë.

“Unë punoj për një kompani të madhe austriake që quhet `Attensam` dhe jam menaxher për Salzburgun, Tirolin dhe Voralbergun. Kompania ka gjithsej 2100 punëtorë. Angazhimet e mia lidhen edhe me vepra humanitare, kurse po ashtu jam edhe mysafir nderi në Rrjetin e Bizneseve shqiptare”, ka shtuar ai.

“Humanizmin e kam në zemër”

Me vepra humanitare Mehmeti merret tashmë disa vite. Duke folur për periudhat e mëhershme kur nuk ka pasur rrjete sociale, sikurse tani ai tregon se për rastet në nevojë informohej përmes revistave kosovare që i blinte nëpër stacione.

“Me aktivitete humanitare merrem me vite të tëra, sepse humanizmin e kam në zemër. Fillimisht kam ndihmuar familje të ndryshme përmes mjeteve financiare apo ushqimore”, ka thënë Mehmeti.

Me kalimin e kohës, ai i është bashkuar Shoqatës “Jetimët e Ballkanit” dhe bashkë me të kanë ërritur të ndërtojnë shtëpinë e parë.  “Më vonë mora informata për shoqatën `Jetimët e Ballkanit` dhe përmes tyre kam kontribuar me vite, aq sa kam pasur mundësi. Më pas më lindi ideja që të bashkohemi me diasporën në Salzburg dhe të gjithë bashkë arritëm të ndërtojmë shtëpinë e parë”, ka treguar ai.

 

Bashkëpunimi me “Jetimët e Ballkanit” dhe diasporën në Austri

Mehmeti ka ndihmuar që të krijohet një lloj organizimi mes shqiptarëve që jetojnë në Salzburg, që bashkë me shoqatën “Jetimët e Ballkanit” t`iu dalin në ndihmë familjeve në nevojë që jetojnë në Kosovë.

“Kam shumë shokë që më janë bashkangjitur dhe janë afaristë të suksesshëm në Austri. Shumica e tyre janë nga Salzburgu. Unë u jam mirënjohës që të gjithëve, që kafshatën e tyre e ndajnë për t`ua shtrirë dorën edhe të tjerëve”, ka thënë ai.

Deri më tani ky organizim ka arritur të kryejë shumë vepra humanitare, ku janë ndërtuar disa shtëpi në komuna të ndryshme të Kosovës. Disa janë ndihmuar edhe në forma të tjera.

“Brenda këtij viti janë ndihmuar familje që kanë pasur probleme të ndryshme, p.sh: dy familje, njëra nga Klina e tjetra nga Drenasi kishin nevojë për shërim dhe janë ndihmuar me mjete. Pastaj, ka shumë familje që janë ndihmuar me pako ushqimore”, ka sqaruar Mehmeti.

Tutje, ai ka treguar se disa Qendrave të Mjekësisë Familjare u janë dërguar karroca invalidësh.

“Në gusht të këtij viti u kam dërguar karroca invalidësh si donacion QKMF-së në Klinë, asaj të Skenderajt dhe asaj të Drenasit”, ka shtuar ai.

Ndërtimi i shtëpive në Kosovë

Mehmeti me shokët e tij dhe me “Jetimët e Ballkanit” kanë arritur të ndërtojnë shtëpi në disa komuna të Kosovës.

Së fundmi, janë ndërtuar shtëpi në Prizren, në Drenas dhe në Klinë.

“Një shtëpi që nisi ndërtimin në vitin 2019, u përfundua në vitin 2020 për familjen Krasniqi nga Komuna e Prizrenit. Pastaj, në gusht të vitit 2020 u nis shtëpia për familjen Rexhaj nga Komuna e Drenasit, dhe u përfundua në prill të 2021-ës. Kurse, tashmë ka nisur të ndërtohet edhe një shtëpi në komunën e Klinës, për një veteran të UÇK-së”, ka sqaruar Mehmeti.

Por, sa i përket asaj se si përzgjidhet familja, Mehmeti ka thënë se ajo bëhet përmes shoqatës.

“Unë marr pjesë vetëm kur nis ndërtimi i shtëpisë dhe kur përfundon”, ka shtuar ai.

Ndërsa, Mehmeti thotë se qëllimi i tij kryesor është që të arrihet të ndërtohet të paktën nga një shtëpi për ata që kanë nevojë, në secilën komunë të Kosovës.

Box

Ndihma për shërim dhe për ushqim

“Brenda këtij viti janë ndihmuar familje që kanë pasur probleme të ndryshme, p.sh: dy familje, njëra nga Klina e tjetra nga Drenasi kishin nevojë për shërim dhe janë ndihmuar me mjete. Pastaj, ka shumë familje që janë ndihmuar me pako ushqimore”, ka sqaruar Mehmeti.