Integrimi

Mes stripit, jazz-it dhe gazetarisë: gjeniu humanist i Gani Jakupit

Jo sa duhet i njohur nga bashkëkombësit e tij, Gani Jakupi është një emër i respektuar në fushën e romanit grafik, stripit, muzikës xhaz dhe gazetarisë, në Spanjë, në Francë e gjetiu.

  • Foto: Frank Margerin

  • Havana 2014

  • Barcelona

  • Caen 2013

  • Jamboree 2016

  • Connections

  • Prishitnë 2010

Me “rücksack”-un e tij në shpinë, ku kishte gjithsej 6 skica stripesh, para më shumë se 40 vitesh po trokiste plot vetëbesim në redaksitë më prestigjioze të revistave kulturore të Parisit. “Isha shumë naiv”, thotë, sot, pas kaq vitesh, tek kujton fillimet e veta. Por, duke marrë shtytjen nga ky “naivitet”, sigurisht edhe duke “ja ba hyzmetin” me punë siç e thotë vetë, bashkëbiseduesi ynë sot është një emër i përveçëm në botën e romanit grafik, stripit, gazetarisë, muzikës xhaz…: Fjala është për Gani Jakupin, “katundarin” e Gollakut të Prishtinës, siç ka dëshirë të prezantojë veten, që jeton dhe krijon në Barcelonë. Një “Weltburger” i vërtetë dhe i rrallë ndër shqiptarët e sotëm. Albinfo.ch ka zhvilluar një intervistë me të, në prag të vizitës së tij në Zvicër, ku do të jetë mysafir në aktivitetin artistik “Délémont’BD” që mbahet në kryeqytetin e Kantonit Jura dhe në Gjenevë, sponosir medial i të cilit është albinfo.ch

Albinfo.ch: Kush është Gani Jakupi?

Gani Jakupi: Unë kam lindur në vitin 1956 në male të Gollakut, por jam rritur në Prishtinë. Gjithë shkollimin e kam kryer në Kosovë. Kam diplomuar në fakultetin e Elektronikës dhe telekomunikacioneve. Mentori i temës sime të diplomës, “Modulimi frekuencor”, ka qenë Agron Dida. Fatkeqësisht, kurrë nuk e kam praktikuar këtë profesion, për shkak se shumë më herët kam pas filluar me udhëtime, dhe në momentin e diplomimit unë veçse jetoja në Paris. Atje nuk ma pranuan diplomën e Prishtinës, e unë s`kisha mundësi financiare për të rifilluar studimet. Nuk e mbaj mend daljen e parë jashtë vendit, me gjasë diku nga viti 1974 apo 1975… Së paku nga 1978 e më tutje, me nji “rücksack” (sac à dos”) në shpinë, udhëtoja nëpër Evropë.

Albinfo.ch: Si 13 vjeçar keni botuar për herë të parë në një magazinë në gjuhën shqipe. Pastaj, në vitet `70 keni publikuar në revistat dhe gazeta që botoheshin asokohe në ish RFJ. A mund të na tregoni se për çfarë botimesh është fjala?

Gani Jakupi: Fillimisht kam botuar disa poezi, por nuk më kujtohet se në çfarë moshe… Njëkohësisht vizatoja, dhe e mbaj mend se si tetëvjeçar, gjatë një shërimi, kur nuk më lejonin te bëja tjetër gjë, kam marrë dhe e kam vizatuar faqen time të parë të stripit. E si trembëdhjetëvjeçar e kam realizuar një strip trefaqësh, me temë nga historia ilire, që Tajar Hatipi vendosi ta botonte në revistën “Pionieri”. Kjo më dha guxim që t’i drejtohesha “Rilindjes për fëmijë”, ku Vehap Shita insistoi shumë që ta bindja se vërtet jam unë ai që po i krijoja storiet e mia, se nuk jam duke kopjuar nga ndonjë revistë. Mbas asaj, erdhën“Bat”-i, “Zëri”, “Jedinstvo”… dhe gati çdo publikim që dilte në Kosovë. Pasoi tregu jugosllav: Serbi, Kroaci, Bosnjë. Botoja stripe, ilustrime, karikatura (dessin de presse).

Albinfo.ch: Vitet `70 mbahen mend si kohë e një shpërthimi krijues, nëse mund të thuhet kështu, në Kosovë, kohë kur fillon për herë të parë një zhvillim i asaj që quhet jetë kulturore atje. Çka mbani mend nga kjo kohë dhe atmosferë? A keni qenë pjesë e saj dhe si mund ta përshkruani?

Gani Jakupi: Konsideroj se kam pasur fatin që, edhe pse vija nga një familje e varfër me origjinë fshatare, më kanë vërejtur dhe me kanë inkurajuar letrarët si Mirko Gashi, Vehbi Kikaj ose Tajar Hatipi. Miku im, jazzisti Ilir Bajri pat thënë një herë se “s’ka ma keq për zhvillim artistik se me qenë më i miri në lëmin tënd!”. Kjo më pati ngjarë si autor stripesh. Takimi me Nexhat Krasniqin- NEKRA, diku kah fillimi i ’80-ve, qe inkurajues, por ai vinte nga karikatura… kështu që e mora hapin më të mirë të mundshëm – shkova atje ku automatikisht rashë pothuajse “në fund të shkallës”: në Paris!

Albinfo.ch: Sigurisht stripi dhe aq më pak romani grafik, nuk kanë qenë atëherë dhe nuk janë as tash, të eksploruar në Kosovë dhe ndër shqiptarët në përgjithësi. Keni bërë ju asokohe përpjekje për ta zhvilluar këtë zhanër dhe si jeni pritur?

Gani Jakupi: Personat më të moshuar, që e kanë përjetuar Jugosllavinë titiste, e dinë se censura ka qenë shumë më liberale se në vendet tjera të bllokut komunist. Ne kemi mundur t`i lexonim, ngandonjëherë gati se edhe në real time, stripat që botoheshin në Paris, Romë, Londër e gjetiu. Por më lejoni një saktësim të vogël. Strip (ose “bande dessinée” në frëngjisht) quhet çdo rrëfim ku gërshetohen teksti dhe vizatimi sipas disa kodifikimeve specifike. Historikisht, stripi u është drejtuar fëmijëve apo adoleshentëve. Të rriturit e kanë lexuar eventualisht nga nostalgjia. Epoka e revolucionit seksual e ka sjellë si material të quajtur “për adult”, “për të rritur”, por ky nënkuptonte vetëm vepra erotike, pornografike ose, eventualisht, underground (shprehje e “kontra-kulturës” së viteve ’70). Zhanri i romanit grafik e ka zanafillën në krijimtarinë e angazhuar politikisht të viteve ´80, në veprat e autorëve gjenialë si Hugo Pratt e Jacques Tardi, por nuk definohet konkretisht si i tillë deri kah fundi i të ’90-ve dhe fillimi i mileniumit të ri. “Maus” (Art Spiegelmann), “Persepolis” (Marjane Satrapi), “Le photographe” (Emmanuel Guibert) e hapin rrugën për një rrëfim më serioz, që i drejtohet një publiku me sensibilitet kulturor e letrar të veçantë.

Albinfo.ch: Ju dolët jashtë vendit. Fillimisht në Francë, në Paris. Çfarë kishit marrë me vete dhe me çfarë synonit të prezantoheshit para francezëve? A na përshkruani shkurtimisht përvojat e para?

Gani Jakupi: Isha shumë naiv! Unë kam udhëtuar për në Paris me gjashtë ilustrime nën sqetull. Bile nuk iu drejtova publikacioneve të vogla: shkova drejt e në “Paris Match”, “Jour de France”, “Le Figaro”, e s’di më se ku… Kjo atyre iu duk simpatike, e më udhëzuan në hapat e parë. Gjatë disa viteve botova ilustrime në revista të vogla, me ndonjë sukses sporadik në ndonjë më të madhe. Me kohë u integrova në botën e stripit, dhe e fillova bashkëpunimin me një skenarist francez. Ky aktivitet qe jetëshkurtër, sepse u binda se kisha gjëra më interesante për të rrëfyer, nga ajo që më propozonin. Posa e përfitova teknikën e skenarizimit, e zbatova në projektet e mia. Që nga fundi i të 80-ve, fillova të punoja si skenarist me vizatuesin francez Hugues Labiano

Albinfo.ch: Me cilat punë, krijime, e keni realizuar veten në Francë? 

Gani Jakupi: Trilogjia “Matador” (1991-1994) me Hugues Labiano pati goxha sukses, dhe ma dha një prestigj të mirë por, në njëfarë mënyre, e huça shansin tim! Refuzova të angazhohesha në disa projekte me grafistë që nuk ma “mbushnin syrin”, pata fatin e keq të bija në vorbullën e ndryshimeve radikale në shtëpitë e mëdha botuese (blerja e “Dargaud” dhe “Dupuis” nga grupe religjioze), dhe e përjetova një lloj zhgënjimi me nivelin a stripit në përgjithësi. Fatkeqësisht, isha vizionar në hulumtimin e rrugëve të reja krijuese, por jo edhe në gjetjen e partnerëve profesional adekuat.

Albinfo.ch:  Vetëm pak vite më vonë ju e braktisni Francën për t`u shpërngulur në Spanjë. Si ndodhi kjo? Çka ju tërhiqte në Spanjë, Barcelonë dhe ku ishte dallimi me Parisin?

Gani Jakupi: E lashë Parisin për arsye sentimentale: u ndava nga bashkëshortja ime. Arsyeja e kundërt më solli në Barcelonë. Ky hap qe i mirë për jetën time personale, por më penalizoi profesionalisht. U largova nga Parisi mu në momentin kur filloi të “zihej” ajo që unë aq shumë e dëshiroja, ndërrimi radikal i rrëfimit në strip. Me vite të tëra kam refuzuar t`i kthehesha, me ndjenjën se “e kam huq trenin”. Por, s’ka asnjë të keqe që nuk e sjell ndonjë të mirë! Natyrisht, nëse ia “ban hyzmetin”. Disfatat dhe zhgënjimet kurrë nuk më kanë bllokuar. Largimin nga stripi e shfrytëzova për t`u u zhytur në lëmenj tjerë: dizajn, fotografi, teatër, përkthim, gazetari, etj. Kjo ma dha një përvojë të rrallë në mjedisin profesional të autorëve të stripit

Albinfo.ch: Fakti që ju tashmë po i bëni mbi 20 vjet jete e pune në Spanjë tregon se jeni stabilizuar atje. Si ka shkuar rruga deri në këtë, ta quajmë, stabilizim. Jeni gjetur mirë në skenën e atjeshme artistike apo e keni pasur edhe ju atë periudhën e parë, të vështirë të adaptimit?

Gani Jakupi: Edhe pse i pata disa tentativa sporadike projektesh në strip (si skenarist me një vizatues kolumbian, ose si autor komplet me një revistë spanjolle) hoqa dorë prej tyre sepse tirazhet që parashiheshin nuk më dukeshin tërheqëse. Nuk ishte problemi material, nuk kërkoja honorarë të lartë, por dëshiroja që ajo që punoja të mbërrinte te një numër substancial i lexuesve. Në vitin 2005, në bashkëpunim me kritikun e jazz-it të së përditshmes kryesore spanjolle “El País” e krijuam një koleksion të librave-hibride: strip biografik mbi një figurë të rëndësishme muzikore, tekste kritike dhe recensione, dhe nga dy CD me përpilime të veprave të zgjedhura të këtyre personaliteteve. Fatkeqësisht, logjistika doli goxha e mangët, por puna ime e tërhoqi vëmendjen e mediave spanjolle (shtypi, televizioni, radiot), por edhe atë të botuesve francezë që më ftuan të këthehesha. Por tash me propozimet e mia, me tema që unë dëshiroja t`i trajtoj.

Albinfo.ch:  E mësuat shpejt gjuhën apo e keni pasur të njohur më parë? Kur e them këtë, mendoj për përkthimin që gjatë kësaj kohe i keni bërë në spanjishte një shkrimtari kaq kompleks si Danilo Kish!

Gani Jakupi: Spanjishten e kam folur ende pa shkuar në Barcelonë. Për herë të parë e kam pas mësuar në Budapest, nga e bija e ish ambasadorit hungarez në Havanë. Leksionet i pata vazhduar me disa vallëzues të flamengos në Angli, e kështu më tutje. Por, ta flasësh një gjuhë, e ta aplikosh atë në krijime letrare, janë dy nocione jashtëzakonisht të largëta. Edhe pse shkruaja sinopsise e skenarë në spanjisht pa problem, nuk e ndieja veten të aftë për t`iu qasur letërsisë. Kur filloi lufta e Kosovës, ftohesha pa ndërpre nga mediat spanjolle, e sa më tepër ngrihej niveli i debateve, më të mëdha bëheshin kërkesat e programuesve. Në disa aspekte, Spanja nuk është kulturalisht aq progresiste si, të themi, Franca. Që të dukem më “serioz” përball sfidave me intelektualë dhe politikanë të ndryshëm, më propozuan që të vendosin tjetër profesion në teletipet e prezantimit (deri atëherë isha ilustrues dhe dizajner grafik). Por unë kur nuk kam pranuar të vishja identitete falso. Kështu që brenda disa muajve i hyra intensivisht perfeksionimit të spanjishtes letrare, derisa ia arrita që të ma botojnë tregimin e parë në një revistë letrare. Po flas për një vepër fiksioni, se shkrime politike botoja gjithë kohën. Nga ky moment filluan të më prezantonin si “shkrimtar dhe gazetar shqiptaro-kosovar”. Më në fund e botova edhe romanin e parë spanjisht, “Día de gracia”, që në të vërtetë e kam pas shkruar fillimisht në frëngjisht.

Sa i përket përkthimeve, kam bërë edhe të tjera, por ai me të cilin jam më i kënaqur është “Mansarda” e Danilo Kishit. Për shkak të kualiteteve të veprës, por edhe sepse ky roman ka qenë i përkthyer më parë, por kritika letrare nuk e ka pas vlerësuar veçanërisht. Përkthimi, tash për tash ka mbetur definitiv.

Albinfo.ch:  Cilat kanë qenë lidhjet që gjatë kësaj kohe i keni mbajtur me Kosovën dhe me shqiptarët në përgjithësi? Keni pasur kontakte me artistët, krijuesit e atjeshëm?

Gani Jakupi: Që nga hyrja e trupave të NATO-s, unë kam udhëtuar rregullisht në Kosovë, nga disa herë në vit. Kam sjellë ndihma përmes OJQ-ve, kemi ndihmuar  ndërtime shkollash e banesash, kemi financuar shtëpi botuese, media, ndihmuar shoqërinë civile, etj. Në vitin 2000, në bashkëpunim me Bashkinë e qytetit, e kam organizuar një dyjavësh të kulturës kosovare në Barcelonë, ku kam ftuar letrarë, aktivistë, fotografë, muzicientë të jazzit dhe të muzikës klasike, kam organizuar ekspozita, debate, koncerte dhe prezantime filmike. Nga ana tjetër, jam lidhur me shumicën e intelektualëve kosovarë, kam bashkëpunuar me shtypin, e edhe kur e lash gazetarinë, vazhdova bashkëpunimin me revista katallane në temat lidhur me Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë. Intervenimin e mbramë e kam bërë në një moment simbolik: e kam shkruar kolumnën editoriale për një mujore politike barceloneze me rastin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Nga ai moment e tutje, kam hequr dorë nga ky aktivitet. Në Kosovë ka tash më shumë analistë politikë se sa inkasantë të rrymës, munden bile edhe me eksportue. Nuk kanë nevojë për mua.

Shpresoj të kontribuoj më tepër në lëmin e kulturës. KOHA e ka nxjerr “Imazhin e fundit” (fillimisht i botuar në frëngjishte si “La dernière image”), duke qenë kështu romani i parë grafik në gjuhën shqipe. Së shpejti përgatitet ribotimi i një strip-reportazhi tim, zhanër goxha i ri në botën perëndimore, e në të cilin (zhanër) unë kam fituar tashmë një mirënjohje të caktuar. Dëshiroj që artistëve shqiptarë t’iu prezantojë rrugë krijuese alternative, duke shpresuar që kjo do t’i inspirojë dhe nxisë për t` iu qasur edhe ata vet.

Albinfo.ch: Në vitin 1999 keni qenë si gazetar në Kosovë dhe nga kjo kohë ka dalë romani juaj grafik “Kthimi në Kosovë”. A na tregoni diçka nga përshtypjet tuaja të asaj periudhë?

Gani Jakupi: Mund ta merrni me mend se sa e dhimbshme është kur punoni në një temë e cila përfshin vrasjen e anëtarëve të familjes suaj! Por edhe niveli i përgjegjësisë, sepse deontologjia gazetareske kërkon që rezultati të jetë objektiv e jo militant apo anues. Duket se ia kam dalë deri në një masë, sepse në fillim të intervistës për të përditshmen “Le Monde”, gazetari më pati përgëzuar për objektivitetin tim.

“La dernière image” gjendet pothuajse në të gjitha bibliotekat publike franceze, dhe pandërprerë më ftojnë nëpër festivale të stripit, literaturës ose filmit për të dhënë konferenca në lëmin e rrëfimit dokumentar. Romani grafik  “Retour au Kosovo”, për të cilin e kam shkruar skenarin ndërsa e ka vizatuar grafisti argjentinas më i mirë në këtë moment, Jorge González, është përkthyer edhe në italisht, spanjisht e rusisht. Botuesi rus e ka cekur në parathënie mospajtimin me mënyrën si unë e prezantoj intervenimin ndërkombëtar në Kosovë, por thotë se i është qasur botimit sepse “trajtimi i temës nga Jakupi e ka nji dimension human të jashtëzakonshëm”.

Albinfo.ch:  Pastaj vjen muzika, xhazi. Si lindi kjo te ju? E kishit brenda vetes edhe më parë, kishit të kryer ndonjë shkollim muzikor?

Gani Jakupi: Gjithmonë e kam dashur muzikën, por e praktikoja si autodidakt dhe si amator, sepse nuk kam formacion adekuat akademik. Kur më në fund ia pata filluar t’i qasesha seriozisht, nuk kisha pretendime të posaçme. Isha i kyçur në mjedisin jazz të Barcelonës, dhe vetëm doja t`i bashkoja disa shokë që do të interpretonin kompozimet e mia. Një takim i rastësishëm me Latin Jazz pianistin më të mirë në Spanjë, José Reinoso (nga Uruguaji), i ndryshoi të gjitha. Mbasi i dëgjoi demo inçizimet, më ftoi në studion e tij, dhe më lidhi me disa nga muzicientët më të mirë të skenës së Barcelonës. Disa ishin me prejardhje nga Brazili, Venezuela, Moldavia, Zvicra, Argjentina… Nga ana ime, incizova disa tema me miqtë nga Prishtina, si: Ilir Bajri, Armend Xhaferi, Visar Kuçi dhe Teoman Ukqa. Aranzhimet dhe drejtimi i incizimeve të muzicientëve të nivelit aq të lartë ishin ngarkesë e madhe për mua, ashtu që as nuk mendova të inkuadrohesha në to. Rezultati: albumi Aldea (2012), i tejkaloi të gjitha pritjet e mia. Mora kritika të mira nga shtypi e radiot e specializuara franceze dhe spanjolle. Radio Montreali i Kanadasë ma kërkoi një ekzemplar për prezantim dhe për arkivat e veta. Më vonë, muzika ime u prezantua në radiot e Miami (USA), Buenos Aires (Argentina), e gjetiu.

Dy vjet më vonë vendosa ta formoja një kuintet me interpretët vijues: Marcelo Mercadante, bandoneonisti më i mirë argjentinas në Spanjë; Manuel Martínez del Fresno, violonçelist i Operës së Barcelonës, që kishte bashkëpunuar edhe me Robert Plant e Jimmi Page (Led Zeppelin), të cilin më vonë e zëvendësoi violonçelistja e re dhe shumë e talentuar Cèlia Torres; Jorgi Gaspar, kontrabasist barcelonez që ka përcjell yjet spanjolle si Joan Manuel Serrat, Ferràn Savall (i biri i Jordi Savall-it), ose amerikanët John Abercrombie, John Zorn e të tjerë; daullisti më i mirë kosovar, Nesim Maxhuni, dhe unë në kitarë. Gjatë një darke me trompetistin franko-katallan Raynald Colóm, ky kërkoi t`i dëgjonte incizimet e mia, dhe e shprehu dëshirën për të marrë pjesë në projekt. Kush do ta refuzonte instrumentistin që katër vjet me radhë ka qenë shpallur si trompetisti më i mirë në Spanjë, dhe konsiderohet si njëri prej më të mirëve n’Europë?! Kështu që tashmë veprojmë si sekstet.

Për albumin vijues, Kismet (2014), gjithashtu ftova mysafirë: nga Turqia, Irani, Greqia, India, dhe mikun tim të mirë kosovar, Armend Xhaferin. Gati askush nuk e di se ky kitarist i famshëm është gjithashtu edhe interpret i spikatur i udit arab- kurrë nuk e ka përdorur publikisht këtë instrument përpos në albumet e mia! Për shkak të obligimeve me romane grafike, i kam refuzuar të gjitha ftesat për performime publike, deri në 2016, kur i dhamë dy koncerte në Shqipëri (Tiranë e Durrës), dhe dy sesione në Barcelonë. Për fund të këtij viti parashohim edhe një koncert në Spanjë e dy në Francë (Limoges). Ndërsa, duke filluar nga viti 2018 planifikojmë t`i përkushtohemi më tepër muzikës.

albinfo.ch: Mund t`i përmendni ndoshta disa nga krijimet tuaja në këtë fushë dhe një prezantim të shkurtë të grupit që e drejtoni “Gani Jakupi Connections”.

Gani Jakupi: Më vjen vështirë të bëj dallime mes veprave të mia. Kontrabasisti im më ka thanë se nuk beson se ndonjëherë do ta tejkaloj në bukuri melodinë e baladës “Novembro”, të kënduar nga brazilianja Anna Luiza Bonfím. E kam vënë re se qoftë me muzicientët e mi të zakonshëm, qoftë me mysafirë, kur dalim nga provat, zakonisht dikush e fishkëllen temën kryesore të pjesës “Kismet”. Në koncertet barceloneze, publiku ka shfaqur admirim për versionin orkestral të “Transparent House” (të cilin në albumin Aldea e interpretojnë kosovarët Xhaferi – Kuçi – Ukqa). Personalisht, jam emocionalisht i lidhur me kompozimin “Despedida”, të cilën ia kam kushtuar prindërve të mi të ndjerë.

Albinfo.ch: Diçka rreth pjesëmarrjes suaj në aktivitetin që do të zhvillohet javën që vjen në Zvicër. Me çfarë krijimesh do të prezantoheni dhe çka do të thotë kjo pjesëmarrje për Ju?

Gani Jakupi: Do të ketë një prezantim dhe bisedë me publikun në Universitetin e Gjenevës, diçka të ngjashme edhe në Delémont. Gjithashtu do të ekspozohen origjinalet nga romanet i mia grafike, me theks të posaçëm në “La dernière image / Imazhi i fundit”. Natyrisht, mysafirët do të gjejnë ekzemplarë të këtyre dy librave si dhe të veprave të tjera, po edhe të CD-ve Aldea dhe Kismet. Ideja kryesore e këtij organizimi është vendosja e kontaktit me diasporën kombëtare në Zvicër.