Lajme

Avokati kërkon lirimin e menjëhershëm të shqiptarit të akuzuar për vrasje të dyfishtë

Ai mbështetet në rrëfimin e autorit E.B., i cili tashmë është dënuar për këtë rast, një ditë pas të shtënave, i cili e shfajsonte të pandehurin aktual

Procesi gjyqësor kundër shqiptarit sot 53 vjeçar, për vrasjen e dyfishtë që ka ndodhur para shtatë viteve në Bazel, ka pasur dje ditën e dytë të tij. Nisur nga pesha dhe ndjeshmëria e rastit, një numër mediash zvicerane e kanë ndjekur dhe transmetuar këtë proces  “minutë pas minute”, shkruan albinfo.ch.

Sot, e mërkurë, ka pasur pauzë ndërsa nesër vazhdon procesi dhe pritet përmbyllja e tij, e marrjen e vendimit.

Portali baseljetzt.ch ka bërë një përmbledhje të ditës së dytë të gjykimit.

“Vrasës gjakftohtë apo thjesht një mysafir që ishte në vendin e gabuar në kohën e gabuar?” Këtë pyetje duhet t’i bëjë vetes gjykata penale e Bazelit kur të marrë vendimin për 53-vjeçarin shqiptar. Ai akuzohet se, së bashku me një bashkëpunëtor, ka vrarë me gjakftohtësi dy burra dhe ka qëlluar një person tjetër brenda pak sekondash më 9 mars 2017 në Café 56 në Kleinbasel. Thuhet se bëhet fjalë për një zgjidhje hesapesh në mjedisin shqiptar të drogës.

Masat e sigurisë në gjykatën penale vazhdojnë të jenë të larta edhe në ditën e dytë të gjykimit. Policia po siguron objektin me një kontigjent të madh, transmeton albinfo.ch. Policët e armatosur të njësisë speciale e shoqërojnë të pandehurin, i cili është i lidhur duar e këmbë gjatë gjithë kohës.

Në ditën e dytë të gjykimit, prokuroria dhe mbrojtja kanë bërë pledoajteë e tyre. Sipas prokurores Simone Lustenberger është provuar fajësia e të pandehurit. Këtu kemi të bëjmë me një goditje të madhe në botën e drogës që lanë hesapet me vizitorë  të përzgjedhur në Café 56, një vendtakim popullor i shqiptarëve në Bazel, për shkak të borxheve të papaguara.

Krimi ishte “planifikuar në mënyrë të përpiktë”, tha Lustenberger. I pandehuri dhe bashkëpunëtori i tij, E.B., tashmë i dënuar për këtë rast e dinin saktësisht se kur personat e synuar ndodheshin në restorant dhe më pas  kishin goditur. I pandehuri ishte shefi. Brenda 17 sekondave ai ka hyrë në kafenenë 56, ka qëlluar (dhe vrarë) gjakftohtësisht dy persona, ka qëlluar (plagosur) një person tjetër dhe më pas, së bashku me E.B. janë larguar përsëri nga restoranti.

Një video e fshehtë e vëzhgimit të policisë nga zona e hyrjes tregon se si i pandehuri dhe bashkëpunëtori (tashmë i dënuar) kanë hyrë në kafenenë 56 në momentin e krimit dhe janë larguar sërish prej saj disa sekonda më vonë. Ajo që ndodhi në restorant gjatë kësaj periudhe të shkurtër nuk mund të shihet, transmeton albinfo.ch. Prokurori Lustenberger dhe përfaqësuesit e viktimave janë të bindur për fajësinë e të pandehurit. Ata kërkojnë dënim të përjetshëm, 15 vjet dëbim nga vendi dhe dëmshpërblim prej 30 mijë frangash për 53-vjeçarin shqiptar.

Mbrojtësi Christoph Dumartheray e sheh rastin krejtësisht ndryshe. Klienti i tij po viktimizohet  për një krim që nuk e ka kryer. Prokuroria publike qysh në fillim e ka favorizuar skenarin se i pandehuri ishte autori i krimit. Opsionet e tjera nuk i ka shqyrtuar fare. Klienti i tij nuk është një “lojtar i madh në tregtinë e drogës”, siç pretendon prokuroria publike. Thjesht nuk ka asnjë provë për këtë. Ai gjithashtu nuk është i dhunshëm. Në fund të fundit, ai kurrë nuk është shfaqur i dhunshëm, thotë Dumartheray. Mbrojtësi mbështetet në rrëfimin e autorit E.B., i cili tashmë është dënuar për këtë rast,  një ditë pas të shtënave. E.B. pra e shfajsonte gjithmonë të pandehurin.

Por,në ditën e parë të gjykimit, E.B. ka treguar papritmas një version të ndryshëm të ngjarjeve. Dumartheray nuk e pranon këtë version. Në komunitetin shqiptar është folur për një mosmarrëveshje familjare në të cilën E.B. thuhet se ka qenë i përfshirë, përcjell albinfo.ch. Mbrëmjen e krimit, në kafenenë 56 kishte shpërthyer një tjetër debat, i cili përfundimisht u përshkallëzua në një akt të përgjakshëm. E.B. kishte nxjerrë armën që mbante me vete dhe kishte tërhequr këmbëzën. Avokati mbrojtës është i bindur se bëhet fjalë për “një veprim të kryer nga një psikopat”. Klienti i tij erdhi në Café 56 si mysafir dhe ishte dëshmitar i krimit si kalimtar. Ai ishte “thellësisht i bindur” për pafajësinë e tij. Dumartheray kërkon një lirim të plotë për të pandehurin.

Vetë i akuzuari gjithmonë ka protestuar, duke u zotuar për pafajësinë e tij. “Unë nuk kam asgjë me këtë punë”, tha ai në deklaratën e tij të gjatë përmbyllëse.

Gjykata penale e Bazelit tani është duke diskutuar çështjen. Dhoma e të pestëve do të hapë vendimin të enjten pasdite.