Kosova

Media zvicerane: Pandemia në Kosovë, jashtë kontrollit

Sipas OBSH-së, të cilës i referohet mediumi në fjalë, kjo konstatohet nëse në një vend së paku çdo i pesti test i koronavirusit rezulton pozitiv

Gazeta zvicerane “Neue Zürcher Zeitung”, në një artikull kushtuar situatës me pandeminë në Kosocë ka shkruar se sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, situata është jashtë kontrollit.

Në Kosovë ka nivel të përhapjes së pakontrollueshme të virusit, pasi një javë gjatë 7 ditëve përpara se Qeveria të merrte masa të reja kufizuese, incidienca arriti nivelin më të lartë gjatë pandemisë, vazhdon tutje artikulli i gazetës zvicerane, transmeton Albinfo.ch.

Ekspertja kosovare e çështjeve të shëndetësisë, Edona Deva, e cila punon për Community Development Fund në Prishtinë, i ka thënë “Neue Zürcher Zeitung” se “ditëve të fundit është shënuar një rënie e lehtë e rasteve, por vlerësoi se kujdesi ndaj pacientëve paraqet një sfidë të madhe”.

Në fund të javës që shkoi, në Kosovë ishin të shtrirë në spital 1200 pacientë me COVID-19.

“Kosova ka njërin prej sistemeve më të dobëta shëndetësore të Evropës. Në vitin 2019 Qeveria ka ndarë vetëm 3,5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto për sistemin shëndetësor. Mesatarja evropiane është trefish më e lartë”, shkruan NZZ.

Deva e bën përgjegjës sistemin e dobët shëndetësor për numrin e lartë të viktimave.

Më 29 gusht vdiqën 36 persona të infektuar me koronavirus, që shënon rekord të zi në Kosovë.

Edona Deva, problemin më të madh në luftimin e pandemisë e sheh te përpjekjet e mangëta për ta kufizuar përhapjen dhe për t’i zbatuar masat.

Sipas saj, “në shkurt, Ambasadori i Amerikës në Kosovë, Philip Kossnet, kishte njoftuar qendrën në Washington se “Kosova po sillet sikur COVIDI nuk ekziston”.

“Mosha mesatare e ulët në vendin më të ri të Evropës ka të ngjarë të ketë kontribuar në një shkallë të caktuar të pakujdesisë. Por prej kohësh ka shumë të rinj në mesin e pacientëve të sëmurë rëndë. Vetëm javën e kaluar, katër gra shtatzëna vdiqën nga COVID-19”, tha Deva.

Kurti tashmë ishte përpjekur të bënte emër gjatë fushatës elektorale me një politikë të përgjegjshme në menaxhimin e pandemisë.

Sidoqoftë, qeveria e tij nuk arriti t’i merrte masat e nevojshme për sezonin veror, i cili është gjithashtu shumë i rëndësishëm ekonomikisht për shkak të vizitave të mërgimtarëve.

NZZ, bën të ditur se vetëm 17 për qind e popullsisë kosovare janë plotësisht të vaksinuar.

Për një kohë të gjatë kjo kishte të bënte edhe me mungesën e vaksinave.

Ndryshe, Kosova ishte vendi i fundit në Evropë që kishte marrë doza të vaksinave.

Këtë të enjte, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë ka raportuar 19 persona të vdekur nga COVID-19 dhe 703 persona të infektuar.

Numri i të infektuarve vjen nga 10 mijë e 851 mostra të marra nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës.

Sipas IKSHPK-së, gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar gjithsej 2 mijë e 255 persona.

Raste aktive me COVID-19, janë gjithsej 20 mijë e 652.

Numri i të vaksinuarve brenda 24 orëve të fundit është gjithsej 19 mijë e 458.

Numri i të vaksinuarve me vetëm dozën e parë të vaksinës anti-COVID është gjithsej 637 mijë e 132, ndërsa numri i të vaksinuarve me të dy dozat është gjithsej 338 mijë e 147.