Gruaja

Mësimdhënëset që po i japin zë gjuhës shqipe

Me shkas: Me rastin e 30 vjetorit të mësimit shqip në kantonin e Aargaut në Zvicër

Papritmas më ra në dorë Revista “Atdhetarët e vegjël” nr. 2, e nxënësve të Shkollës shqipe të mësimit plotsues në Windish të Aargaut e përgatitur me kujdes të veçantë nga mësimdhënësja shumë e zellshme, Eshtrefe Nuhiu.
Menjëherë mu kujtuan zelli dhe kujdesi edhe i shumë mësimdhënëseve dhe mësimdhënësve të tjerë në kantonin e Aargaut dhe në tërë Zvicrën që për 30 vite ishin zë i fortë në kultivimin e gjuhës dhe kulturës kombëtare te gjeneratat e reja në këto hapësira larg Atdheut.
Këta ishin shumë, por unë zgjodha si shembull në këtë jubile të shpalos portretin e tri mësimdhënëseve që ende vazhdojnë me përkushtim dhe këmbëngulje, me po atë vullnet si në ditët e para, të përçojnë zërin e ëmbël të gjuhës shqipe.

Ato, Eshtrefe Nuhiu, Elfete Gashi e Fitnete Balaj, të udhëhequra nga LAPSH “N. Frashëri” në Zvicër, pa lënë anash edhe dhjetëra e dhjetra të tjera që në Zvicër vazhdojnë vullnetarisht të ushqejnë gjeneratat me atdhedashuri për gjuhën dhe kulturën amtare.

Eshtrefe Nuhiu

E lindur në vitin 1987 në Gjilan, ku dhe kreu shkollimin fillor e të mesëm, Eshtrefja me dëshirën më të madhe i futet studimeve në Fakultetin e Edukimit në qytetin e lindjes, në degën e Gjeografisë dhe Edukatës qytetare, për ta kryer me sukses e për të realizuar ëndrrën e kahmotshme për profesionin e mësimdhënëses së përkushtuar. Po kjo dëshirë asaj nuk do ti plotësohet në Atdheun e saj të dashtur; pasi që pas disa praktikave mësimore detyrohet të shkojë në Zvicër dhe atje të vazhdojë jetën e saj në Aargau, ku dhe sot e kësaj dite jeton e lumtur me familjen e saj.

Pasi kryen kursin e gjuhës gjermane dhe fillon integrimin në shoqërine e re, bie në kontakt me përfaqsuesit e LAPSH “N. Frashëri” në Kanton dhe i realizohet dëshira e saj e hershme për të qenë mësimdhënëse në klasë me nxënësit e saj të dashur. Shkolla e mësimit plotsues të gjuhës shqipe në Windish, e cila tashmë kishte një traditë, e presin me dashamirësi dhe këtu së bashku me kolegët dhe koleget ajo do të realizojë ëndrrën e saj të kahmotshme për tu dalë në ndihmë fëmijëve të bashkatdhetarëve të saj që ta ruajnë dhe kultivojnë gjuhën shqipe edhe këtu jashtë në Mërgatë.
Në vitin 2012 ajo fillon për herë të parë këtë mësim mjaft specifik, në përkujdesje me kolegët dhe koleget që kishin tashmë një përvojë të gjatë në këtë drejtim. Por, përkushtimi i saj do të kapërcejë të gjitha këto vështirësi dhe me një dashamirësi të madhe ajo do të adaptohet lehtë dhe do të hyjë thellë në zemrën e fëmijëve. Në bashkëpunim me prindërit do ta rrisë pjesëmarrjen në mësimin shqip në Windish dhe do të bëhet shembull edhe për të tjerët.

 

Eshtrefja është e kujdesshme me ta në lojë dhe nxënësit e duan shumë

Eshtrefja tashmë ka shumë preokupime dhe nuk di të ndalet. Pos punës së regullt dhe aktiviteteve në ndihmë për integrim nënave dhe grave tjera të posa ardhura, e angazhuar në ente dhe institucione lokale që mirren enkas me integrimin e të huajve, si synim ka rezultatet në shkollën e mësimit plotsues që hyjnë në orarin e saj të punës javore.
Ajo që na la mbresë në fundvitin që shkoi kur po përgatitej festimi i tri dekadave të funksionimit të suksesshëm të mësimit shqip në Zvicër ajo boton numrin e dytë të Revistës së nxënësve të saj “Atdhetarët e vegjël” me mbi 30 faqe e cila mirëpritet nga nxënës, prindër e kolegë të Eshtrefes.
Portreti i saj mbetet i zbehtë pa prezantimin dhe dokumentimin e kësaj pune që është e gjithanshme. Këtu ne do të përpiqemi të argumentojmë me pamjet që flasin vet:


Pamje të ballinës së revistës dhe pamje të kolegeve të saja të pandara në punën mësimore: Zyrafete Muqolli, Elfete Gashi, Fitnete Balaj, Halime Vishi, Ilirida Ramadani etj.

Elfete Gashi


Mësimit shqip në kantonin e Aargaut me 2010, 2 vjet para Eshtrefes, i kishte ardhur një mësimdhënëse tjeter si përforcim, që në aspektin profesional përmbushte një zbraztësirë në kërkesat për mësimdhënës të kualifikuar për këtë mësim.
Elfete Gashi e lindur në Istog, ku kishte kryer dhe shkollimin fillor e të mesëm, e etur për dituri kishte vazhduar shkollën e lartë pedagogjike në mësimin klasor. Menjëherë pas studimeve kishte filluar punën në shkollën fillore “Ndre Mjeda” të Rakoshit nga viti shkollor1997 deri me përfundimin e luftës në vitin 2000.
Pas migrimit në Zvicër ajo angazhohet në mësimin shqip në Wohlen dhe Dietikon të kantonit të Aargaut me ndihmën e LAPSH “N. Frashëri” detyrë të cilën e kryen me përkushtim dhe pasion të veçantë.

Puna me nxënës e bën të lumtur mësimdhënësen Elfete Gashi, e cila dallohet në klasë dhe në aktivitete jashtëmësimore dhe në manifestime shkollore

Ka kaluar një dekadë dhe ajo jo vetëm që nuk ndjen të lodhur po rendit rezultate të shumta me të cilat krenohen jo vetëm kolegët e saj por edhe prindërit tek të cilët është e gjithmonë e mirëpritur. Nxënësit e ndjejnë buzqeshjen e saj dhe nuk ndahen nga ky mësim, pasi profesionaliteti dhe dashuria për të qenë pranë këtyre fëmijëve është motivi i saj parësor. Gjithmonë e rregullt dhe e kujdesshme ajo i nxit ata që të frekuentojnë orët e saj mësimore dhe aktivitetet e shumta jashtë mësimore të cilat i bën pa përtesë, të thuash pa kompenzim. Elfetja tashmë është bërë sinonim i vullnetit për dije në këto dy lokalitete.

Angazhimi isaj jo vetëm në mësim por edhe në përsosjen e mëtejmë profesionale eshtë i vazhdueshëm. Ajo me këmbëngulje përcjell kurset e mësimdhënjës që organizohen në Shkollën e lartë Pedagogjike në Aarau e Zürich si dhe ato gjatë verës në Trojet shqiptare. Ajo e din se njohuritë s kanë kufij dhe gjatë jetës gjithmonë duhet shfrytzar burimet e dijes. E afërt dhe kooperative me kolegët e saj në konsultime të vazhdueshme ajo nuk lodhet për të prefeksionuar metodat dhe format e reja mësimore që në Zvicër janë të domosdoshme.

Por ajo që e bën më të dashur dhe më njerzore punën e saj të palodhshme për gjuhën dhe kulturën eshtë përvoja e saj e hershme e angazhimit në mësimin e fëmijëve refugjatë të ikur gjatë luftës. Thellë në shpirtin e saj janë ngulitur ato ditë kur edhe vet si refugjate në Mal të zi kishte organizuar në tenda mësimin me nxënës refugjatë. Kur ajo fillon të tregojë për ato momente s ka se si të mos ngjallet një ndjenjë respekti edhe për mësimdhënësen tonë e cila në zanatin e saj nuk ushtron vetëm angazhimin e saj profesional. Eshtë diçka më sublime në shpirtin e saj që depërton thellë në zemrat e gjeneratave që tashmë rriten larg atdheut.


Momente kur me ndihmën e shoqatës zvicerane SAH mësimdhënësja Elfete Gashi mban në tenda mësimin shqip për fëmijët refugjatë në Ulqin në kohën e luftës

Fitnete Balaj


E lindur me 26 prill1973 në Isniq të Deçanit ku dhe kreu shkollë fillore, shkollë prej së cilës kanë dalë përsonalitete te njohura jo vetëm për komunën e Deçanit por edhe më gjërë. Në Gjimnazin e Deçanit ishte gjenerata e fundit para luftës, vit kur u mbyllën objektet shkollore të shkollave të mesme. Kryen SHLP në Gjakovë dhe angazhohet si mësimdhënëse. Në ndërkohë angazhohet edhe në gazetat lokale si “Elita e Dukagjini” që pas luftës financohej nga ambasada e SHBA. Deri në vitin 2010 ajo punon dhe vepron në Kosovë.

Pas këtij viti ajo shpërngulet nga Kosova në Gjenevë të Zvicrës kurse më 1912 me ndihmën e Kryetarit të LAPSH “N. Frashëri në Aargau, Riza Demaj, fillon angazhimin në Shkollën shqipe të mësimit plotësues në Gränichen të këtij kantoni të Aargaut.

Fitnete Balaj dallohet me punën e saj dhe nxënësit janë pjesëmarrës të suksesshëm në garat mësimore. Ajo një kujdes i të veçantë i kushton edhe ngritjes profesionale

Së pari hap një paralele në Gränichen dhe pas saj edhe klasët në Menziken, ku dhe jeton me familjen e saj: Në punën e saj është shumë e kujdesshme dhe korrekte ku rendit edhe rezultate të mira në mësimin shqip. Eshtë shumë e dashur dhe e respektuar për nxënësit dhe prindërit e tyre.
Tregohet tepër ambicioze dhe e suksesshme edhe në aktivitetet jashtmësimore. Eshtë gjithmonë e rregullt si pjesmarrëse me nxënësit e saj në manifestimet që LAPSH organizon në Kanton dhe me gjërë, kurse në garat mësimore nxënësit e saj tregojnë rezultate solide.

Eshtë tepër e interesuar edhe për pjesëmarrje në seminare të ndryshme që organizohen nga institucionet zvicërane ku pajiset me Certifikate për pjesmarrje të suksesshme në kualifikimet e mëtejme, me çka ajo përsos vazhdimisht dijet në aspektin didaktiko- metodik dhe në përdorimin e teknologjisë bashkohore në mësim.

Përvoja e saj me projekte të shumta sa ishte në Kosovë e ka ndihmuar shumë edhe në aktivitetet në Zvicër me shkollën shqipe të mësimit plotësues.

Foto nga projekti: Dasma Tradicionale në rrefshin e Dukagjinit

Por për dallim nga kolegët kjo vjen me një bagazh të madh të aktiviteteve që i kishte filluar që në Kosovë dhe përvoja nga atje i shërben që ta vazhdojë këtu me sukses organizimin e programeve për festat kombëtare dhe shtetërore që mban me nxënësit e saj. Kur jemi këtu vlen të përmendet puna kur ajo kishte qenë organizatore e “Dasmës tradicionale në rrafshin e Dukagjinit”, projekt që kishte pasë jehonë në vitet e pas luftës në Kosovë ku në mënyrë profesionale kishte ideuar këtë eveniment kulturororo – etnografik në realitetin e atëhershëm.
***
Janë këto tri mësimdhënëset që bashkë me shumë të tjerë/a, vazhdojnë misionin e tyre të shenjtë me nxënësit e Shkollës shqipe të mësimit plotësues në Zvicër të udhëhequr nga LAPSH “N. Frashëri” të cilët për 3 dekada nuk pushuan që zëri i gjuhës shqipe të mos shuhet. Portreti i këtyre mësimdhënëseve është shembull i kujdesit për gjuhën dhe kulturën te gjeneratat në mërgim.

 


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI