CH-Ballkani

Mësuesi gjerman vizitoi 14 vendlindjet e nxënësve të tij

Mësuesi i Hamburgut, Jan Kammann, ka vizituar 14 vendlindjet e nxënësve të tij. Për këto udhëtime, ai ka shkruar në librin e tij "Një klasë gjermane".

Të mësohet diçka për ata të cilëve për çdo ditë u jep mësim! Mësuesi gjerman Jan Kammann e ka ndërmarr këtë ndryshim të roleve. Ai ligjëron anglishten dhe gjeografinë në një klasë përgatitore ndërkombëtare në Shkollën Europiane në rrethin Hamm të Hamburgut.

Në klasën e tij, kanë ardhur nxënës nga më shumë se njëzet vende të botës, nga mjediset ku jeta është krejtësisht e ndryshme me njëra-tjetrën. Një ditë, mësuesi 39-vjeçar merr një vendim: Ai dëshiron të dijë më shumë për origjinën e nxënësve të tij dhe të mësojë se si duken vendlindjet e tyre. Pas udhëtimit, përvojat e tij i publikoi në një libër që tani do të botohet, shkruan “Der Westen”, përcjell Albinfo.ch.

Ideja për këtë udhëtim të pazakontë nëpër botë i erdhi pas qëndrimit të tij në Bullgari. Një nxënëse e tij, pas pushimeve gjithmonë ishte vonuar në klasë. Si arsye, ajo ka deklaruar se lidhja e autobusëve me kryeqytetin bullgar Sofia është shumë e keqe. Kammann donte ta vërtetonte pohimin e saj dhe një ditë ulet në autobus dhe nga Hamburgu niset në Bullgari. Që në momentin e parë, ai u bind se nxënësja i kishte thënë të vërtetën. “Por, unë nuk shkova atje vetëm për tu bindur për deklaratat e nxënëses. Shkova kryesisht nga kureshtja dhe për shkak se ajo gjithnjë më kishte folur me pasion për vendlindjen e saj”, ka cekur mësuesi Kammann. Edhe në këtë drejtim nxënësja kishte pasur të drejtë. Ideja për udhëtimin nëpër botë i erdhi rrugës duke u kthyer në Hamburg, transmeton albinfo.ch.

Përderisa nxënësit e tij kanë qenë duke u përgatitur për shkallën e mesme, Kammann mori një pushim pa pagesë në vitin 2016. Mësuesi i lindur në Bremen, i cili aktualisht jeton në Hamburg, vendosi t`i vizitojë 14 vendet e botës nga të cilat vinin nxënësit e tij. Ai u pajis me bagazhin e duhur, harta, adresat dhe rekomandime. Ndër të tjera, ai i ka përjetuar përditshmëritë e Kubës, Nikaraguas, Kolumbisë, Koresë së Jugut, Rusisë, Kosovës, Iranit dhe Ganas. Në udhëpërshkrimin e tij, ai rrëfen se është ndjenja të jesh mësues bashkëkohor, si e ka ndryshuar ky udhëtim dhe ndjenja se si është të jesh nxënës për një vit. Gjatë udhëtimit të tij, ku pjesërisht ishte i shoqëruar edhe nga partnerja e tij, ai gjithashtu ka raportuar përmes internetit.

“Në librin tim bëhet fjalë për divesritete të ndryshëm, ate nëpër botë dhe diversitetin që kam përjetuar çdo ditë në shkollën time në Hamburg”, ka thënë Kammann. Por, për te ishte gjithashtu e rëndësishme që gjermanët të mund të mësojnë nga bota. Shumë stacione dhe takime kanë ndryshuar pikëpamjen e tij për botën, i ka përfshirë përvojat e tij në një përmbledhje, përcjell albinfo.ch.

Si një gjeograf, ai ishte impresionuar në veçanti me natyrën e larmishme të tokës, sidomos Nicaragua me shumëllojshmërinë e saj dhe një numër të madh të vullkaneve aktiv. Veçanërisht i habitshëm për të ishte takimi me motrën Mari, e cila i ndihmon fëmijët në nevojë në Gana. Për disa ditë me radhë ai udhëtoi së bashku me te.

Që nga udhëtimi i tij, ai bën përpjekje edhe më të mëdha në shkollë, për të shmangur ndonjë vlerësim të gabuar. “Kulturat janë të ndryshme, por jo më të mira apo më të këqija”, thotë Kammann. Në ndërkohë, në klasën e tij ai ka pranuar edhe nxënës të tjerë nga vende të tjera të botës. Tani, mësuesi Kammann shumicën mund t’i mirëpresë në gjuhën e tyre amtare dhe t’i befasojë me njohuritë nga vendlindjet e tyre.