Gjuha

Lufta për mësuesen

Në fakt “mollë sherri” ndërmjet Këshilli të Prindërve ishte mosvazhdimi i kontratës për mësuesen nga Shqipëria, Mimoza Dako

Këshilli i Prindërve të Shkollës Shqipe në Dietlikon dhe Brütiselen ka reaguar ndaj një vendimi që ka marrë Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë në Kantonin e Cyrihut në Zvicër.

Ibadete Bulica, kryetare e Këshillit Prindëror të Shkollës Shqipe në Dietlikon, si dhe e shkollës zvicerane prej shumë vjetësh, ka treguar për mospajtimet që kanë me LAPSH-in.

Në fakt “mollë sherri” ndërmjet  Këshilli të Prindërve ishte mosvazhdimi i kontratës për mësuesen nga Shqipëria, Mimoza Dako.

“Numri i pakët i nxënësve që kishim në fillim të vitit shkollor 2017/2018 ishte shqetësimi ynë i përbashkët dhe për këtë punuam fort, duke bashkëpunuar me drejtorinë e shkollës, si dhe me përfaqësuesen e arsimit ne komunën e Dietlikonit, znj. M.Roemer. Pas një takimi me prindër arritëm të shumëfishonim numrin e nxënësve nga 4 në 24. Lajmi se mësuesja kishte marrë ndërprerjen e kontratës deri në fund të vitit shkollor na dëshpëroi të gjithëve”, thuhet në një reagim të prindërve të kësaj pike shkollore, të cilët kanë adresuar një peticion me nënshkrimin e prindërve të dy pikave shkollore Dietlikon dhe Brütiselen.

Arsyeja, sipas Koordinatorit të LAPSH-it, ishte sepse mësuesja jonë nuk posedon akoma dëshminë e njohjes së gjuhës gjermane të nivelit B1, gjë që sipas Drejtorisë së Arsimit është kusht për mësimdhënësit e gjuhës amtare.

“Në të vërtetë, rregullorja nuk e përcakton këtë saktësisht, por sugjeron që mësuesit ta kenë këtë nivel të njohjes së gjermanishtes për të marrë pjesë në seminare trajnimi që organizon kjo drejtori”, ka treguar Ibadete Bulica për albinfo.ch.

Ajo shprehet e pakënaqur me trajtimin që kanë marrë nga kryesia e LAPSH-it.

“Ne prisnim që Nexhat Maloku të reflektonte pozitivisht, por ai na çonte si top futbolli përsëri te Drejtoria arsimore. Arsyeja e largimit të mësueses nuk është njohja e gjermanishtes, por sepse shpeshherë ajo ka reaguar ndaj parregullsive që ka parë në funksionimin e LAPSH-it dhe për këtë u sajua kjo “mangësi”.

“Në mesin e mësuesve të HSK, nga të gjitha komunitetet, jo të gjithë mësimdhënësit e kanë këtë dëshmi. Atyre u jepet mundësia që brenda dy ose tre vjetëve të përvetësojnë këtë nivel të gjuhës”, ka shtuar tutje ajo.

Madje, Ibadete Bulica ka thënë se nëse nuk reagojnë, atëherë do të tërheqin fëmijët nga shkolla.

“Ne kemi dërguar një peticion në të gjitha institucionet përkatëse në Kosovë e Shqipëri, por akoma problemi ynë nuk është zgjidhur. Ne si prindër jemi të vendosur, nëse Nexhat Maloku me shokë largojnë mësuesen, atëherë ne do të tërheqim fëmijët nga shkollat. Prindërit duhet të respektohen në kërkesat e tyre dhe kryesia e LAPSH-it duhet të punojë për rritjen e numrit të nxënësve, e jo për mbylljen e pikave shkollore”, është kërkesa e prindërve.

Kundërpërgjigja e LAPSH-it

Ndërkohë, i kontaktuar nga albinfo.ch, Nexhat Maloku nuk ka dashur të merret me polemika të tilla, të cilat sipas tij, ndikojnë negativisht në imazhin për shkollën shqipe në Zvicër.

Naser Ulaj, kryetar i LAPSH-it në Cyrih, këto akuza i ka quajtur shpifje. “Nuk është aspak e vërtetë që LAPSH ka mbyllur pikat e gjuhës shqipe, përkundrazi janë hapur edhe dy pika të reja. Ata duhet të flasin me fakte dhe jo vetëm të akuzojnë. Kjo e dëmton edhe imazhin për shkollën shqipe në Zvicër, ku misioni ynë është që të kemi sa më shumë nxënës, e jo të zvogëlojmë numrin e tyre. Gjithashtu sa i përket mësues Mimoza Doka, ne nuk e kemi larguar, por jemi duke pritur vendimin. Çfarëdo që të jetë vendimi, ne do ta respektojnë. Ata janë ankuar në të gjitha institucionet dhe kanë marrë përgjigjen. E theksoj edhe një herë se nuk kemi asgjë kundër mësueses, por punojmë në bazë të rregullave, dhe ne jemi duke pritur vendimin, të cilin do ta respektojmë. Pra, nuk e kemi larguar askënd nga puna dhe dëshira jonë është që të shtojmë numrin e nxënësve shqiptarë në Zvicër”, është shprehur Naser Ulaj për albinfo.ch.

Prindërit në redaksinë e albinfo.ch kanë dërguar peticionin si dëshmi dhe të tjera dokumente:

B1.1

Shkarko Dokumentin

firmat e peticionit

Shkarko Dokumentin

KONTRAT 2

Shkarko Dokumentin

rregullorja per mesuesit e huaj

Shkarko Dokumentin