Lajme

Ministri Maurer provokon me fanellën e kundërshtarëve të masave të koronës

"Maurer thyen kolegjialitetin dhe besueshmërinë e politikës zvicerane për koronën. Kjo e bën më të vështirë luftimin e pandemisë..."

Një fotografi që po qarkullon në mediat sociale tregon ministrin e Financave Ueli Maurer i cili pozon me një bluzë “Freiheitstrychler” Këtë emër e mban një lëvizje që lufton kundër masave të koronës dhe merr pjesë në shumë manifestime kundër këtyre masave, transmeton albinfo.ch.

Fotografia është ngarkuar fillimisht në shërbimin e lajmeve Telegram. Maurer thuhet se e kishte veshur atë në samitin e partive të rrethit SVP të Hinwil, Münchwilen dhe Toggenburg në Wald (ZH), i cili u zhvillua të dielën.

“Freiheitstrychler” është një grup nga Zvicra Qendrore që pretendon mbrojtjen e të drejtave kushtetuese. Sipas tyre këto të drejta po shkelen nga pjesë të politikës dhe pjesë të autoriteteve, thuhet në faqen e tyre të internetit.

I pyetur nga disa media, Departamenti Federal i Financave nuk ka komentuar foton.

Ndërkaq, përfshirja e ministrit Maurer në këtë aferë ka ngjallur reagime të diskutueshme në mediat sociale. Janë të shumta dhe të zëshme kërkesat për dorëheqje të tij, por ka pasur edhe duartrokitje: për Ueli, “e qëndrueshëm”.

Aksioni gjithashtu ka ngjallur reagime edhe në parlamentin nacional, përcjell albinfo.ch. Kreu i grupit parlamentar të PS, Roger Nordmann e komenton këtë veprim kështu: “Këshilltari Federal Maurer thyen kolegjialitetin dhe besueshmërinë e politikës zvicerane për koronën. Kjo e bën më të vështirë luftimin e pandemisë dhe kontribuon që kriza shëndetësore të vazhdojë”, shkruan Tages Anzeiger.

Sidoqoftë, ky veprim i ministrit Maurer është përshëndetur nga shumë bashkëpartiakë të tij, të cilët që nga fillimi dhe në të gjitha nivelet, kanë qenë kundër “teprimeve” në marrjen e masave të pandemisë.