Kosova
Mira Murati siguron fonde prej 2 mld euro për start-up-in e saj të ri në fushën e IA
Shqiptarja Mira Murati, ish-drejtuese në OpenAI, ka tërhequr vëmendjen e botës së teknologjisë pas suksesit të start-up-it të saj të ri në fushën e inteligjencës artificiale, i cili, vetëm gjashtë muaj pas krijimit, ka siguruar një nga investimet fillestare më të mëdha në historinë e Silicon Valley, 2 miliardë dollarë, duke e çuar vlerësimin e kompanisë në 10 miliardë, transmeton albinfo.ch.
Thuhet se ish-drejtuesja e teknologjisë në OpenAI, Mira Murati, ka siguruar 2 miliardë dollarë për start-up-in e saj të ri në fushën e inteligjencës artificiale, përmes një marrëveshjeje që e vlerëson kompaninë e krijuar vetëm gjashtë muaj më parë dhe të mbajtur larg syrit të publikut, në 10 miliardë dollarë.
Marrëveshja, e mbyllur së fundmi sipas disa personave të njohur me transaksionin, përfaqëson një nga raundet më të mëdha të financimit fillestar (“seed”) në historinë e Silicon Valley.
Thinking Machines, me bazë në San Francisko, nuk ka zbuluar ende se çfarë po zhvillon, duke u mbështetur në emrin dhe reputacionin e Muratit për të tërhequr investitorët, sipas burimeve të afërta me fushatën e financimit.
Ky financim tregon interesin e jashtëzakonshëm të investitorëve për inteligjencën artificiale dhe besimin e tyre në vizionin e themeluesve me profil të lartë, që konkurrojnë me kompani si OpenAI dhe Anthropic, si dhe me gjigantët e teknologjisë si Google dhe Meta.
Murati, 36 vjeç, u largua nga OpenAI në shtator, pasi kishte drejtuar zhvillimin e produkteve si ChatGPT, gjeneratori i imazheve Dall-E dhe modalitetit zanor. Më parë, ajo ka qenë menaxhere e lartë produkti në Tesla, ku ka punuar për Model X.
Referuar disa burimeve, ajo ishte një ndër drejtueset që kishte ngritur shqetësime për lidershipin e Sam Altmanit para përpjekjes së dështuar të bordit për ta shkarkuar atë në nëntor 2023. Për një kohë të shkurtër, Murati u emërua drejtoreshë e përkohshme ekzekutive, përpara se Altmani të rikthehej shpejt në detyrë.
Thinking Machines ka rekrutuar gjithashtu disa ish-punonjës të OpenAI, përfshirë bashkëthemeluesin John Schulman, ish-drejtorin e projekteve speciale Jonathan Lachman dhe ish-nënkryetarët Barret Zoph dhe Lilian Weng.
“Ka një grup shumë të kufizuar themeluesish dhe njerëz jashtëzakonisht të zgjuar,” tha një investitor. “Ekipi që Murati ka mbledhur është jashtëzakonisht bindës.”
Megjithatë, informacioni për atë çfarë po zhvillon kompania mbetet minimal. Në shkurt, ajo deklaroi se synon të bëjë “sistemet e inteligjencës artificiale më të kuptueshme, të personalizueshme dhe në përgjithësi më të afta”, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Për shkak të natyrës shumë të fshehtë të projektit, disa fonde që Murati i kishte kontaktuar nuk pranuan të investojnë. Njëri prej tyre tha se prezantimi i Muratit nuk përmbante asnjë informacion konkret mbi një produkt ose plan financiar.
Një tjetër person tha se Thinking Machines po punon në zhvillimin e “inteligjencës së përgjithshme artificiale”, një koncept hipotetik në të cilin kompjuterët arrijnë nivele inteligjence të barabarta ose më të larta se ato njerëzore. Megjithatë, sipas tij, aktualisht grupi është ende në fazën e ndërtimit të strategjisë.
Pas këtij raundi financimi, Murati do të ketë të drejtën e votës në bord, që i jep epërsi absolute ndaj të gjithë anëtarëve të tjerë, duke i garantuar asaj fjalën e fundit për çdo vendim të rëndësishëm në kompani, sipas personave të njohur me marrëveshjen. Struktura e votimit është raportuar për herë të parë nga The Information.
Mungesa e një produkti konkret nuk ka penguar gjithashtu investitorët të mbështesin edhe bashkëthemeluesin tjetër të OpenAI, Ilya Sutskever, i cili në prill grumbulloi 2 miliardë dollarë për start-up-in e tij “Safe Superintelligence”, me një vlerësim 32 miliardë dollarë.
Qeveria shqiptare kontribuoi me 10 mln euro
Qeveria shqiptare ka hyrë me një kontribut modest në start-up-in e sipërmarrëses me origjinë shqiptare, Mira Murati. Në fillim të muajit qershor, qeveria ndryshoi buxhetin 2025 për të mundësuar alokimin e një fondi prej 1 miliard lekësh (10 milionë euro) pranë Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Fondi i është akorduar Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit në cilësinë e aksionerit të vetëm të Korporatës së Investimeve Shqiptare për financimin e pjesëmarrjes së qeverisë shqiptare në start-up-in “Machine Thinking Lab”.
Gjatë fjalës së tij në Komisionin Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, ku po prezantohej ndryshimi, ministri i Financave, Petrit Malaj, theksoi se një investim i tillë duhet parë edhe nga pikëpamja e përfitimeve më afatgjata, qofshin ato ekonomike apo të një historie suksesi që vjen nga një sipërmarrëse shqiptare me kontribut të rëndësishëm botëror në fushën e inteligjencës artificiale. Ai tha se përfshirja e qeverisë shqiptare në këtë fazë të hershme ofron potencial të konsiderueshëm fitimi, veçanërisht nëse Thinking Machines Lab realizon një dalje të suksesshme në bursat ndërkombëtare (IPO apo blerje).
E-Diaspora
-
Leona Krasniqi, krenaria shqiptare në garën për Miss Belgium 2026 E reja nga Antwerpeni synon të shkëlqejë në një nga konkurset më prestigjioze të bukurisë në... -
Nga Shkodra në garën për Miss Belgium 2027, Griselda Stragu synon të shkëlqejë në skenën ndërkombëtare -
Arbenita Sopaj publikon librin e saj shkencor, kurorëzon një tjetër sukses akademik -
Gjermani
I riu nga Kosova, Adrian Simnica, mban fjalim në Bundestagun Gjerman -
Fatlume Bunjaku bëhet anëtare e Akademisë Evropiane të Filmit
Jeta në Zvicër
-
Edhe 10 vjet ndalesë për “Hamas”-in në Zvicër Periudha e vlefshmërisë së ndalimit të Hamasit në Zvicër, e cila ka qenë në fuqi prej... -
Qeveria zvicerane lançon një platformë digjitale raportimi për sëmundjet -
Taksitë autonome të Postës Zvicerane do të transportojnë pasagjerë nga viti 2027 -
Këshilli Federal dëshiron të imponojë gjuhën e dytë kombëtare në shkollat fillore -
Swissaid ndihmoi 300,000 njerëz në mbarë botën në vitin 2025













