Literaturë
“Mirë se erdhët!” libri që flet për vendlindjen nga perspektiva e fëmijëve të rritur në diasporë
Libri që tregon për vizitën e parë në Kosovë të tre fëmijëve shqiptarë, është i shkruar në dy gjuhë, në shqip dhe gjermanisht, ndërsa mban titullin “Mirë se erdhët!” - “Herzlich willkommen!”
U lind dhe u rrit në Gjermani, por asnjëherë nuk iu shua dëshira për të ruajtur vlerat e gjuhës shqipe. Duke qenë se e përjetoi vetë si është të vizitosh vendlindjen vetëm në pushime, Arta Franca, me prejardhje nga Drenica, vendosi të shkruajë një libër që rrëfen përvojat e tre fëmijëve shqiptarë, të lindur dhe rritur në diasporë, shkruan Albinfo.ch.
Libri që tregon për vizitën e parë në Kosovë të tre fëmijëve shqiptarë, është i shkruar në dy gjuhë, në shqip dhe gjermanisht, ndërsa mban titullin “Mirë se erdhët!” – “Herzlich willkommen!”.
Autorja e librit, Arta Franca, në një intervistë për Albinfo.ch, tregon detaje për temën e librit.
“Në libër shtjellohen ngjarjet nga perspektiva e Norës, e Jonit dhe e Deas – 3 fëmijë shqiptarë që kanë lindur dhe janë rritur në Gjermani. Ata shkojnë në Kosovë për ta kaluar verën atje. Nga rrëfimi kuptohet qartë se fëmijët shkojnë për herë të parë atje dhe njihen me traditën, ushqimet shqiptare etj. Kam dashur që lexuesi bashkërisht me fëmijët t`i njohë vendin, gjuhën dhe kulturën shqiptare… Pra, libri nuk është vetëm për fëmijët, por edhe për të rriturit që të kënaqen duke parë e kujtuar gjëra të vendlindjes”, shprehet ajo.
Shkrimtarja Franca thotë se problemet që fëmijët e lindur dhe të rritur në diasporë kanë kur tentotjnë të komunikojnë në gjuhën shqipe, janë ndër motivet kryesore që e shtyen ta shkruajë këtë libër, derisa tregon arsyen pse ka vendosur që libri të publikohet në dy gjuhë.
“Shpesh kam parë situata që fëmijët, duke qenë kureshtarë prej natyre, kanë dëshiruar të komunikojnë me të tjerët, por më pas janë tërhequr ngaqë e kanë kuptuar se bashkëbiseduesi nuk flet gjermanisht… Qysh në fillim kam dashur ta shkruaj librin në dy gjuhë. Doja t’ua jepja fëmijëve mundësinë që t’i afroheshin ngadalë gjuhës. Fakti që gjuhën gjermane fëmija e di mund ta ndihmojë ta kapë kontekstin lehtësisht dhe kështu ta ketë shumë më lehtë ta kuptojë pastaj edhe shqipen”, thotë autorja, për Albinfo.ch.
Por pse fëmijët “duhet” ta lexojnë librin “Mirë se erdhët!” – “Herzlich willkommen!”?
Fëmijët shqiptarë gjithandej, e aq më shumë ata që janë rritur larg vendlindjes, me leximin e këtij libri mund ta ndiejnë vetën më afër atdheut, si dhe të njihen me bukuritë e kulturës dhe gjuhës sonë. Derisa veçoria e librit është se u ofron mundësi të ndryshme për ta lexuar dhe kuptuar. Nga përvoja me lexuesit autorja thekson fjalët e tyre “Pavarësisht se si lexohet librin, nje gjë e kam parë në sytë e secilit fëmijë që tashmë e ka lexuar: Krenarinë që po lexon shqip!”.
E historia e Norës, Jonit dhe Deas, nuk mbaron me këtë libër, lexuesit mund të presin edhe një vazhdimësi të rrugëtimit të tyre në librat e ardhshëm të autores.
“Ideja është që Nora, Joni dhe Dea të eksplorojnë vende të ndryshme. Po ashtu, plani është edhe të përkthehet libri edhe në gjuhë të tjera, përveç gjermanishtes. Kemi edhe shumë projekte të tjera, që kanë synim promovimin e më saktë zgjerimin e aftësive gjuhësore të diasporës”, tregon ajo.
Ndryshe, porosia që përçon libri është që të mos harrohet gjuha amtare.
“Gjuha shqipe na lidh të gjithëve, pavarësisht se ku ndodhemi në botë. Pra, le të punojmë së bashku për të ardhmen e vendit dhe të gjuhës sonë, gjithashtu të sigurohemi që fëmijët tanë të komunikojnë në gjuhën amtare e mos ta harrojnë atë”, thotë autorja e librit, Arta Franca.
Ky libër është botuar disa javë më parë dhe është pritur mjaft mirë nga publiku. Autorja tregon se deri më tani janë shitur mbi 170 libra, derisa shprehet se u ndje shumë mirë për urimet dhe falënderimet.
“Falënderimet më prekën veçanërisht dhe më treguan se ky mision nuk është i rëndësishëm vetëm për mua, por edhe për shumë shqiptarë të tjerë”, thekson ajo.
Për të arritur deri tek publikimi i “Mirë se erdhët!” – “Herzlich willkommen!”, Artës iu desh shumë punë, po që mbështetjen që mori nga bashkëshorti i saj, e po ashtu nga familja dhe shoqëria, ishin ndihmesë e fuqishme në realizimin e këtij projekti. Ndërkohë, këtë projekt e ka përkrahur shumë edhe Konsulata e Kosovës në Dusseldorf, në bashkëpunim me të cilët po planifikohet edhe organizimi i promovimit të librit atje, njofton autorja me prejardhje nga Drenica.
Arta Franca është lindur dhe rritur në afërsi të qytetit të Minhenit në Gjermani, ndërsa tash e katër vjet jeton në rrethinën e Dusseldorfit me bashkëshortin e saj, Arbërin, ndërkohë është profesioniste e IT-së. /Albinfo.ch
https://www.facebook.com/photo/?fbid=5338926462784170&set=a.228477330495801
Të tjera nga Literaturë
E-Diaspora
-
Dua Lipa në International Booker Prize Awards: Letërsia është ura më e fortë mes kulturave Këngëtarja shqiptare foli për rëndësinë e letërsisë së përkthyer, udhëtimet dhe njohjen e gjuhëve të huaja... -
Mos i hidhni zarfet e votimit në kosh, vota juaj mbron pagën dhe të ardhmen në Zvicër -
Lozanë: Lot, emocione dhe kujtesë në promovimin e librit “Për ata që nuk u kthyen” -
Stockholm
Grupi i valleve “Tradita” sonte përfaqëson kulturën shqiptare në Stockholm -
Suedi
Suedi promovohet libri “Shqipëria, Orienti i Europës” i Sven Aurén
Jeta në Zvicër
-
Pse mbajtësit e lejes B në Zvicër fitojnë më shumë se banorët e përhershëm? Shifrat qeveritare tregojnë se pagat e disa banorëve të huaj që mbajnë leje B janë mjaft... -
Një zviceran në mesin e ekuipazhit të anijes turistike të prekur nga hantavirusi -
Zvicër
Zvicër: Hapet ekspozita e artistes shqiptare Dorina Ukgjini -
Rritet numri i punëtorëve ndërkufitarë në Zvicra, arrin në 413 mijë -
Përse ishte pezulluar procedura penale ndaj Klinikës së Zemrës në Cyrih














