Kosova

Mjeku në krye të stafit që sfidoi koronavirusin në Kosovë

Dr. Salih Ahmeti, mjeku në krye të stafit që po përballet me COVID 19, flet për albinfo.ch për sfidat me të cilat u përballua mjekësia kosovare gjatë pandemisë, kur ajo u shfaq atje

Tre muajt e fundit ishin mjaft sfidues për mjekësinë kosovare, pasi që, sikur shumë vende të botës edhe Kosova u përball me pandeminë e koronavirusit.

Por, me dr. Sali Ahmetin, shefin e departamentit të Klinikës Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës në krye, është vlerësim i përgjithshëm se mjekët tanë ia dolën shumë mirë. Ky mjek me shumë vite përvojë pune, njohuritë e tij nuk po i kursen për kosovarët dhe pacientët e QKUK-së.

Në një intervistë për albinfo.ch, dr. Ahmeti ka rrëfyer rrugëtimin e tij prej studimeve e deri tani në krye të stafit që po përballet me COVID 19.

Albinfo.ch: Kush është Salih Ahmeti ?

S.Ahmeti: Pyetjen më të vështirë e keni nxjerrë të parën, kisha preferuar së paku ta kem të fundit, sepse nuk e pëlqej të flas në veten e parë.

Sidoqoftë jam Profesor i rregullt i sëmundjeve infektive pranë Fakultetit të Mjekësisë  të Universitetit “Hasan Prishtina” në Prishtinë dhe shef i departamentit më Klinikën Infektive  të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Kam kryer fakultetin e mjekësisë në Prishtinë, ndërsa  specializimin për sëmundjet Infektive dhe subspecializimin nga lëmi i Gastroenterologjisë me Hepatologji, e kam mbaruar në Zagreb. Në Universitetin e Zagrebit  po ashtu kam kryer studimet pasdiplomike, magjistraturën dhe doktoraturën, të cilën  për shkak të rrethanave të luftës e kam mbrojtur ne Prishtinë. Kam për fushë hulumtimi të ngushtë viruset me patogjenitet të lartë, si ato të etheve hemorragjike dhe sëmundjet e mëlçisë. Në këtë drejtim kam bashkëpunuar prej 20 viteve me ekspertë nga Universiteti i Lubjanës (Slloveni), Instituti Porton Doën (BM), Instituti Bernhard Nocht në Hamburg (Gjermani) dhe Universiteti i Teksasit (SHBA). Kam qenë drejtor mjekësor dhe ekzekutiv i QKUK dhe dekan i Fakultetit të Mjekësisë. Krahas punës  profesionale merrem edhe me punë hulumtuese shkencore. Në Klinikën Infektive punoj që nga viti 1983. Këtu kam kaluar pjesën më të madhe të jetës time.

Albinfo.ch: A ju ka ndodhur më parë që të punoni në kushte epidemie?

S.Ahmeti: Kosova  ka qenë vend endemik  për  disa sëmundje infektive të cilat janë shfaqur  me forma  sporadike e jo rrallë epidemike dhe me manifestime klinike të rënda. Si mjek në specializim dhe specialist i ri jam ballafaquar me format më klasike të këtyre sëmundjeve, prandaj kam pasur mundësinë që të marr përvoja të mira klinike.

Në përvojën time mjekësore jam përballur me mjaft epidemi të cilat ndonjëherë kanë qenë mjaft agresive. Si mjek i ri mbaj mend epidemi të shpeshta te Mnorbillit, Pertusit, Varicellës, Protitit, Brucellozes, Tifos abdominale, TBC, Hepatitit viral etj. Menjëherë pas luftës në Kosovë, në vitin 2000, jam ballafaquar me epideminë e Hepatit-A me rreth 20.000 raste, epideminë e Tularemisë me 2002-2003, epideminë e meningjitit viral në vitin 2006, epideminë e influencës H1N1 në vitin 2009 dhe H5N1 me 2017/2018.

Sidoqoftë sfida më e madhe për mua ka qenë përballja me ethet hemorragjike virale.  Tek ne shfaqen dy tipe të këtyre sëmundjeve: Ethet hemorragjike me sindrom veshkor nga viti 1986 dhe Ethet hemorragjike Kongo-Krime nga viti 1989. Të dy tipet shfaqen në vendin tonë me forma sporadike dhe shpërthime epidemike në çdo 4-5 vite.

Përballja me EHKK ka qenë shume sfiduese, meqenëse kjo është një sëmundje karantinoze e shkaktuar nga një virus mjaft patogjen, që lehtë përhapet me gjakun dhe lëngjet trupore në mesin e personave të kontaktit familjar dhe personelin  shëndetësor. Sëmundja është shumë kontagjioze dhe me vdekshmëri të lartë, prej  30 – 70 %.  Vdekshmëria mesatare te ne ka qene 24.6% dhe me incidencë  më të madhe në moshat e reja 20-40 vjeç. Pas një pune të mundimshme rreth njëzet vjeçare unë me bashkëpunëtorët e mi kemi izoluar virusin që shkakton këtë sëmundje te ne, i cili në literaturën anglosaksone  njihet me emrin Kosova-Hoti virus.

Në periudhën e paraluftës këta pacientë dhe stafi shëndetësor nuk kanë pasur asnjë përkrahje qeveritare në raport me pacientët tjerë. Pushteti i atëhershëm e konsideronte problem lokal të shqiptarëve dhe nuk tregonte interes të veçantë. Qasja ndaj këtyre pacientëve  duhej bërë pa mjete mbrojtëse personale. Krejt ajo çfarë kisha në dispozicion ishte një mantel i thjeshtë, një maskë goje e zakonshme dhe një palë doreza, e ndonjëherë edhe ato mungonin. Isha ne moshë relativisht të re dhe i gjetur para sfidave etike e profesionale, të shikoja pacientët nga dritarja duke vdekur apo t`i ndihmoja por i vetëdijshëm se do të përballesha me një virus agresiv dhe vdekjeprurës. Kam zgjedh opcionin e dytë, kam qenë gjithmonë pranë pacientëve edhe kur është dashur të jem i spërkatur me gjakun e tyre. Në vitin 1990 u infektova me këtë virus, kisha sëmundje të rëndë. Isha me fat dhe shpëtova dhe me këtë fitova imunitet te cilin e forcoja vit pas viti në kontakt me pacientë të ngjashëm. Ballafaqimi me këta pacientë ka qenë sida më e madhe e imja profesionale dhe etike. Shumë nga këta i kam ndihmuar që të shërohen por edhe shumë prej tyre ua kam mbyllur  sytë për herën e fundit, janë pacientët me të dhembshëm dhe kujtimet më dëshpëruese profesionale për mua.

Nga vitit 2001 menaxhimi i këtyre pacientëve ishte dukshëm më i lehtë, kisha në ndihmë stafin e  OBSH sidomos ekspertë nga Londra, kisha mjete të mbrojtjes personale dhe nga viti 2009 filluam të punojmë teste të avancuara diagnostikuese (testin ELISA dhe RT- PCR).  Shpërthimi i fundit epidemik dhe mjaft agresiv  i kësaj sëmundje ka qenë ne vitin 2013 me forma  klinike të rënda  dhe vdekshmëri të lartë. Raste sporadike kemi pasur edhe në vitet pasuese.

Përballja me EHV më  ka mundësuar të kem rreth vetes një ekip mjekësh e infermierësh me përvoja të duhura në qasjen ndaj te sëmurëve me kontagjiozitet të lartë, që kanë profesionalizëm të lartë dhe  shkathtësi në përdorimin e masave  të mbrojtjes personale. Këto përvoja  i shfrytëzuam  edhe në përballje me COVID-19.

Albinfo.ch: Si ia dilnit të mbronit veten  e familjen tuaj gjatë kësaj kohe?

S.Ahmeti:  Unë  sikur edhe personeli tjetër shëndetësor jemi mbrojtur duke respektuar  masat e mbrojtjes personale, duke u kujdesur për pacientët në radhë të parë por edhe për njëri-tjetrin. Puna në hapësirat e izolimit dhe kontakti i afërt me pacientët e prekur nga sëmundja COVID 19 nuk është një punë e zakonshme. Mundësitë e infeksionit gjatë trajtimit të këtyre pacientëve janë të mëdha, mbajtja e uniformave mbrojtëse për kohë të gjatë, përdorimi i shpeshtë dhe i përditshëm i mjeteve dezinfektuese, shqetësimi për bartjen eventuale të infeksionit te kolegët jashtë hapësirave të izolimit apo edhe të familjarët, sjellin ngarkesa të veçanta. por kur shëndeti i pacientëve përmirësohet, të gjitha këto harrohen.

Familjen e mbroja duke qëndruar pjesën më të madhe të kohës në klinikë pranë pacientëve, ndërsa  kur kthehem në shtëpi mbaj masa izolimi të rrepta: dhomë të veçantë, banjo të veçantë, ushqim të veçantë dhe  kontakte të rralla e gjithmonë nga distanca, me anëtarët e familjes.

Albinfo.ch: Cilat janë vështirësitë më të mëdha që keni hasur, sidomos në ditët e para, ndonjë mungesë ose diçka të veçantë?

S.Ahmeti: Përvojat e fituara  nga epidemitë e mëparshme mendoj se më kanë mundësuar që t`u qasem pacientëve me COVID 19 pa shqetësime dhe i relaksuar. Duke pasur informata  nga  vendet që para nesh përballeshin me pandeminë e shkaktuar nga SARS-COV-2 dhe për rrezikshmërinë e lartë të  bartjes së infeksionit edhe në mesin e personelit shëndetësor, ishte shqetësues jo vetëm kujdesi ndaj këtyre të sëmurëve por edhe mundësia e infeksionit në mesin e  personelit shëndetësor. Numri i mjekëve dhe infermierëve me trajnime adekuate do të ishte i pamjaftueshëm nëse do të ballafaqoheshim me numër te madh të pacientëve, aq me tepër nëse për shkak të infeksionit mjekë apo infermierë do të izoloheshin apo edhe të trajtoheshin. Në këto rrethana kujdesi ndaj pacientëve do te vështirësohej. Andaj, duke  shfrytëzuar hapësirën kohore dhe duke ndjekur udhëzimet e OBSH-së, që nga janari bashkë me kolegët nga IKSHP bëmë planifikimet e strategjitë për pandeminë dhe trajnimet e nevojshme të personelit shëndetësor. Në fillim, në hapësirat e izolimit vendosëm në linjën e parë mjekët dhe infermierët me përvoja nga epidemitë e  mëparshme dhe gradualisht i kyçëm edhe të tjerët. Deri me tani kemi pasur 5 infeksione në mesin e infermiereve të cilat kaluan sëmundjen pa pasoja dhe së shpejti do të jenë  pranë pacientëve. Ndërsa nuk kemi pasur asnjë infeksion deri më tani në mesin e mjekëve apo stafit mbështetës të Klinikës Infektive. Disa mjekë e teknikë medicinalë nga spitalet regjionale patën sëmundje të rëndë por arritën të shërohen. Ne deri më tani kemi shëruar dhe po përpiqemi të shërojmë edhe pacientë të tjerë, por kur gjendesh para situatave kur përkundër përpjekjeve maksimale  për të ndihmuar, gjendja e pacientit përkeqësohet, mendoj se është përjetimi më i rëndë për mjekun.

Albinfo.ch: A keni kushte të mjaftueshme që të mbroheni ?

S.Ahmeti: Që nga fillimi kemi pasur dhe kemi mjaftueshëm material për masa mbrojtëse, duke u kujdesur që të kursejmë por pa rrezikuar për asnjë moment sigurinë e mjekëve, infermierëve apo stafit mbështetës. Organizimi i mirë i punës në repartin e izolimit krijon lehtësi në punë.

Bashkautor i izolimit të virusit Kosova- Hoti virus

Përballja me EHKK ka qenë shume sfiduese, meqenëse kjo është një sëmundje karantinoze e shkaktuar nga një virus mjaft patogjen, që lehtë përhapet me gjakun dhe lëngjet trupore në mesin e personave të kontaktit familjar dhe personelin  shëndetësor. Pas një pune të mundimshme rreth njëzet vjeçare unë me bashkëpunëtorët e mi kemi izoluar virusin që shkakton këtë sëmundje te ne, i cili në literaturën anglosaksone  njihet me emrin Kosova-Hoti virus.

Mesazhi i ekspertit

Për shqiptarët kam këtë mesazh: kudo që janë i rekomandoj që të respektojnë udhëzimet e profesionistëve shëndetësorë të vendeve gjegjëse për masat e izolimit dhe distancën sociale, mos te humbin durimin dhe kurajën në këtë përballje me pandeminë, të kujdesen për veten dhe familjet e tyre, të tregojnë vlera solidariteti dhe humanizmi kudo që janë  sepse ato i kemi në traditat tona. Dhe në fund të gjithëve  ju uroj shëndet e mirëqenie. Së bashku, do t`ia dalim.