Lajme

Mobilizohet Qeveria, Rexhepi do të varroset me nderime shtetërore

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës formoi një këshill prej disa ministrash për të përgatitur ceremoninë shtetërore për varrimin e Bajram Rexhepit

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka formuar komisionin për organizimin e ceremonisë mortore për vdekjen e ish-kryeministrit të parë të Kosovës, Bajram Rexhepi. Kryeministri në detyrë Isa Mustafa tha se Kosova sot ka humbur një personalitet, një mjek të mirë, një humanist para, gjatë dhe pas luftës.

Ai tha se është vështirë të thuhen përshtypjet për Bajram Rexhepin.

“Kosova dhe shoqëria do të jenë mirënjohës ndaj Rexhepit për kontributin e dhënë”, tha Mustafa.

Në krye të këtij këshilli është Hajredin Kuçi, ndërsa anëtarë do të jenë ministrja në detyrë e Kulturës Vlora Dumoshi, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme Skënder Hyseni, ai i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, ministri në detyrë i Arsimit, Arsim Bajrami, kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri dhe një anëtar i familjes.

Ish-kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi ka vdekur sot në një nga spitalet në Turqi. I lindur në qershor të 1954-s, Rexhepi ishte zgjedhur kryeministër i parë i Kosovës së pasluftës në mars të vitit 2002. Ka qenë edhe kryetar i komunës së Mitrovicës në dy mandate si dhe ministër i Punëve të Brendshme.

Rexhepi vdiq në një spital të Turqisë ku po trajtohej qe disa muaj pas sulmeve që kishte përjetuar në tru. Disa vite më parë ai e kaloi me sukses një kancer, dhe pas asaj periudhe punoi ministër dhe prefekt komune. Në gjithë karrierën e tij ai u shqua si politikan modest, ku shpesh e askusoi edhe partinë e tij për lëshime e keqpërdorime.