Opinione

“Mos me t’marr malli kurr me shku n’shpi”*

“MOS ME T’ MARR MALLI KURR ME SHKU N’ SHPI”- ishin fjalët e para që i dëgjova në portin e Barit, ishin fjalë të thëna me zhgënjimin, me mllefin e me lodhjen e mërgimtarit.

Papastërtia e pakorrektësia kishin marrë flatrat në këtë port. Njeriu rezervon biletën për të udhëtuar në orën 10, ndërsa udhëtimi fillon në orën 18!
Shtrembëri planesh. Sakatim xhepi.
Pakënaqësi e frikë në çdo aspekt!

Bile, edhe policia italiane u frikua kur në automjetin me targa bullgare pas rrotës rezervë papritur gjetën një refugjat që dukej të ishte sirian i lodhur e i thatë. Ai ra në tokë dhe kërkoi falje me një gjest. Shoferi e goditi refugjatin, e për këtë policia ia lidhi duart shoferit. Këto pamje po bëhen përditshmëri e jetës.

Në anije njeriu paguan një dhomë dhe më vonë e sheh se ka rezervuar një vrimë të papastërt, sepse kjo botë zemren shpesh e ka të akullt.

Ishte hera e parë që po udhëtoja me anije dhe se dija se kur arrijmë saktë në Durrës, të pyesja dikend ishte e vështirë, meqë nuk e njoh gjuhën italiane. Për habi, në anije flisnin italisht të vjetër, të rinj e fëmijë.  E, për nga emrat tingëllonin të ishin shqiptarë!

Anija informonte vetëm se çfarë hahej në restoran!

“Arrivata, arrivata”, dëgjohej dhe shpresoja se koha e arritjes po afrohej.

Në fund zbresim aty ku ndihem: në shtëpi. Një orë presim të hapet dera e anijes. Në mesnatë të kërkosh dhomë apo banesë! Por, fati punon ndojherë kur s’e pret. Para një marketi takojmë Kujtim Huqin, ai ka një vilë. Dhe vila e tij ngjan në shtatë mrekulli. E bukur, e pastërt, e organizuar, e sigurt, e besuar, e qetë dhe mbi të gjitha, e freskët në çdo cep. Të duket se je në një vilë zvicerane, sidomos për nga informatat e sakta që i kanë shkruar pronarët në murin e banesës.

Foto albinfo.ch
Foto albinfo.ch

Bashkëshortja e Kujtimit kujdeset për lulet, për oborrin, për rregullin. Unë e pyes si quheni, ajo thotë Sadije.
I them: Sadije, si gruaja e Dritëro Agollit!
Ajo ma kthen: “Faleminderit”, me një buzëqeshje plot respekt.

Se Durrësi ka një plazh të bukur, kjo s’do koment, por sa e mbajmë ne këtë plazh shpresoj se jo vetëm qeveria të kujdeset më shumë, por edhe ne vetë. Plazhi duhet të përcillet me kamerë dhe për çdo pakujdesi fajtori të dënohet çdoherë.

Qyteti i zbukuruar me palma. Restorantet të mbushura plot. Ushqimi i pastër. Buka shqiptare është vlerë që më bën krenare. Shqiptarët gatuajnë me zemër. Në mëngjes dua të pi një kafe me xhezve. I them kamerierit:

-Me zjarr e bëni kafenë që ka shije kaq të mirë…
-Po, thotë ai, me zjarr, por me zjarrin e expresit. S’e kuptoj, por bashkëshorti im ma shpjegon: e kanë bërë me aparatin e expressit, aty ku vlohet qumështi i kafesë. Paranë e sjell ideja, ja expressi dhe xhezveja!!

Por, jo të gjitha gjërat kanë zëvendësime. Disa gjëra duan riparime. Për të kaluar rrugët andej e këndej është shumë e vështirë. Vijat e verdha ishin zbehur. Unë ngre dorën dhe u jap shenjë veturave të ndalen, por ato s’më përfillin as mua, as vijat.
Pyes një shitës aty pranë:
-Më falni, këto vija të zbehta, të fshira fare, a janë akoma aktuale?
-Po, ma kthen, po edhe kryetari i Bashkisë e ka mendjen kështu.
Ai, i thashë, o vëlla, kohë për të drejtuar makinat e për të ngjyrosur vijat nuk ka, për këte jemi unë e ti, dhe ai polici që po pi birrë atje karshi.
Se këto vija mund t’i ngjyrosin edhe nxënësit vullnetarisht, dhe polici të bëhet më i angazhuar në trafik, sepse është mëkatë të jetohet me këta vozitës.

Në Kosovë e njëjta gjë. Thuhej se një ditë në prezencën e “shacave” në Kosovë kanë ndodhur 160 aksidente për 24 orë !

Bile, edhe flitej se një njësitë i policisë zvicerane po qëndronin në Kosovë për t`i kontrolluar dhe dënuar veturat me targat e shtetit që s’po respektojnë ligjet në këtë vend.

Varfëria dhe pakënaqësia ndihej në çdo anë të Kosovës. Punëtorë pa sigurime. Punë pa orarë. Pagesë pa datë. Pa asnjë ditë të lirë. Tollovi e tallava në çdo krah.

Ata mendojnë se ne kemi para me thasë. Dhe, kujtojnë se s’u japim se s’duam!

Për këtë edhe ne shpeshherë i marrim inat, e pastaj i duam e na dhimbsen prapë, sepse është largësia që i bën gjërat të mos shihen qartë.

Në Kosovën e varfër edhe fëmijët kanë kuleta. Dhe, kjo përveç se nuk është civilizim, ndikon keq edhe në arsim.
Sërish kthehem në Shqipëri. Mundohem t’i lë në valë shqetësimet që m’i dha toka nënë. Na përcillin Kujtimi dhe Sadije Huqi, duke na dhuruar verën e rrushit të vet dhe një tufë gjethesh bisilekë.
Një gjest i mirë, një aromë e këndshme që na fton të kthehemi sa më shpejt!
-Faleminderit që jemi këtu, faleminderit Atdheut që na pret!

Pikëpamjet e shprehura në këtë opinion shprehim mendimet e autorit dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht mendimet e redaksisë.

Hava Kurti