Opinione
Mungesa e kartonit të gjelbër dëmton xhepin e diasporës*
Rasti i mërgimtarit të dëmtuar financiarisht nga aksidenti në Kosovë.
Gjatë muajve të pushimit, një numër i madh i bashkatdhetarëve tanë vijnë në vendlindje, dhe shumë prej tyre këtë e bëjnë me vetura, zakonisht të shtrenjta. Për shkak të fluksit të madh të automjeteve në trafik ndodh që ata të pësojnë aksidente dhe dëmi të mos iu kompenzohet në tërësi. Portali albinfo.ch kishte raportuar rastin e Enver Bajras – me vendbanim në Zvicër i cili kishte pësuar aksident në Kosovë dhe sigurimi kasko nga Zvicra dhe ai i paguar në kufi të Kosovës nuk ia kishin kompenzuar dëmin në tërësi edhe pse ai nuk ishte shpallur fajtor. Kështu, ky mërgimtar ka humbur më shumë se 12,000 franga nga vlera e veturës së tij. Sikur ky, ka edhe shumë raste tjera fatkeqësisht. E gjitha kjo ka ardhur për arsyen se Kosova ende nuk është pjesë e kartonit të gjelbërt.
Çfarë është kartoni i gjelbërt?
Kartoni i Gjelbërt është një certifikatë ndërkombëtare e sigurimit motorik, që e siguron ngasësin e mjetit motorik në rast të një aksidenti në një shtet tjetër nga ai i regjistrimit, të ketë të drejta të plota dhe kështu të mos dëmtohet. Si i tillë, është e pranueshme pa asnjë pengesë ose pagesë të veçantë nga autoritetet e të gjitha vendeve për të cilat Kartoni i Gjelbërt është valid. Kosova ende nuk është pjesë e këtij kartoni. Kjo është për arsyen se Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS) nuk është pjesë e Byrosë së Sigurimeve te Europës (COB). Premtimet se çështja e kartonit të gjelbërt do të zgjidhet shumë shpejt, janë dhënë para më shumë se 5 vitesh, dmth edhe nga qeveritë e kaluara. Mirëpo, duke i marrë parasysh përpjekjet që janë bërë, ende nuk ka ndonjë rezultat konkret.
Shuma që paguhet është shumë më e madhe sesa dëmet e shkaktuara.
Pjesëtarët e diasporës kosovare paguajnë para të majme për polisa të sigurimit çdoherë që vijnë në vendlindje me automjetet e tyre, pa marrë parasysh nëse sigurimi që e kanë mbulon dëmet edhe në Kosovë apo jo. Sigurimi njëmujor i automjetit që bashkatdhetarët duhet të paguajnë në kufi kushton 20 euro, ndërsa dyjavor 15 euro (BKS). Sipas të dhënave nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), prej vitit 2002 e deri në nëntor 2016, kompanitë e sigurimeve në Kosovë kanë mbledhur rreth 148 milionë euro nga tarifat e sigurimit kufitar, kryesisht nga mërgimtarët. Mirëpo, shuma e dëmeve është shumëfish më e ulët, vetëm 12 milionë e 560 mijë euro janë paguar për kompensimin e dëmeve nga kompanitë e sigurimeve. Një fakt tjetër shumë dëshpërues është që diaspora duhet të paguaj këtë taksë, ndërsa qytetarët e Serbisë që hyjnë në Kosovë janë të liruar nga ajo.
Si e cilëson diaspora këtë taksë?
Për diasporën kjo llogaritet si një plaçkë që i bëhet atyre nga institucionet vendore, sipas raportimeve në disa media. Këto para shkojnë për kompanitë e sigurimeve, apo siç shprehen mërgimtarët, individë të lidhur me politikën. Përveç kësaj pagese, shpeshherë ndodh që në rast aksidenti, bashkatdhetarët tanë të kenë vështirësi me sigurimet e tyre, dhe të mos u mbulohen dëmet në tërësi. Përderisa shuma e parave që mbledhen në kufi për sigurime raportohet të jetë qindra milionëshe, për dëmet reale që u shkaktohen atyre në rast aksidentesh nuk ka ndonjë statistikë që ne jemi të njohur, mirëpo duhet të jetë shumë më e madhe sesa ajo që mbulohet nga BKS. Këtu duhet pasur parasysh numrin më të lartë të aksidenteve gjatë stinës së verës në Kosovë për shkak të trafikut të ngarkuar.
Çështja e kartonit të gjelbërt të rregullohet sa më shpejtë.
Jemi shumë mirë të njohur me kontributin e madh që Diaspora ka dhënë për Kosovën para luftës, gjatë procesit të konsolidimit të shtetit dhe tani në procesin e zhvillimit. Ky faktor kaq i rëndësishëm nuk duhet të ‘plaçkitet’, përkundrazi duhet të mirëpritet me respektin më të madh. Mos të harrojmë se paratë që vijnë nga Diaspora, janë pothuajse dyfish më të larta sesa investimet e huaja direkte. Pra, për Diasporën duhet të krijohen lehtësira që ata të vijnë dhe që paratë e tyre t’i shpenzojnë ashtu siç ata dëshirojnë, me familjarët e tyre, në themelimin e bizneseve, dhe jo të keqshfrytëzohen – të përfitoj vetëm një grup i individëve-kompanive nga to.
Disa zgjidhje të shpejta të mundshme.
BKS si organi më përgjegjësinë direkte (më të madhe) për kartonin e gjelbërt, duhet të shfrytëzoj çdo mekanizëm të mundshëm për të bërë BKS pjesë të Byrosë Europiane të Sigurimeve. Për shkak të mungesës së kartonit të gjelbërt ajo ka bërë disa marrëveshje bilaterale për njohjen e sigurimeve me Maqedoninë, Serbinë dhe Shqipërinë mirëpo këto janë shumë të limituara dhe fare pak e ndihmojnë diasporën. Nëse nuk ka ndonjë mundësi për t’u bërë BKS pjesë të COB, si zgjidhje afat-shkurtë marrëveshje tjera bilaterale të tilla duhet të nënshkruhen me shtetet prej nga vie numri më i madhë i diasporës. Përparësi duhet t’iu ipet shteteve që kanë numrin më të madhë të diasporës kosovare – Gjermanisë, Zvicrës, dhe të tjerat me rradhë. Opsion tjetër mund të jetë zbritja e polisës për sigurim në kufi, duke e marrë parasyshë që për 14 vite qytetarët kanë paguar rreth 12 herë më shtrenjtë sesa që janë kompenzuar për dëmet e tyre.
Çdo muaj/vit tjetër që kalon pa ndonjë zgjidhje konkrete, e dëmton shumë xhepin e diasporës – xhepin e familjarëve të tyre në Kosovë, dhe iniciativat potenciale që ata mund t’i marrin. Të gjitha këto me rëndësi shumë të madhe për Kosovën dhe zhvillimin ekonomik të saj.
Burimi i fotos: Byroja kombëtare e sigurimeve e Zvicrës.
Nehat Dobratiqi ka përfunduar studimet baçelor në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa studimet Master në Ekonomiks në Universitetin e Maine në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si pjesë e programit të bursave të USAID-it për Lidership Transformues (TLP). Aktualisht z. Dobratiqi është i angazhuar në Germin si hulumtues me fokus në politikat socio-ekonomike si dhe involvimin e Diaspores. Ky artikull është kontribut ndaj projektit TLP Citizens Corps. Vështrimet dhe opinionet e shprehura në këtë artikull i takojnë autorit dhe nuk i reflektojnë medoemos politikat dhe qëndrimet zyrtare të TLP Citizens Corps. Supozimet e bëra brenda analizës gjithashtu nuk reflektojnë qëndrimin e cilitdo entitet qeveritar.
*Pikëpamjet e shprehura në këtë opinion shprehim mendimet e autorit dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht mendimet e redaksisë.
E-Diaspora
-
Rita Ora pritet të prezantojë MTV Europe Music Awards Këngëtarja me famë botërore, Rita Ora, pritet të prezantojë MTV Europe Music Awards që pritet të...
-
«Mednest24», spitex-i që flet shqip në Zvicër
-
Ramë Dardania ekspozon në zemrën e qytetit të vjetër të Gjenevës, ‘Faces’, në La Galeri
-
Vlore Krug: Arsimi është më shumë se vetëm shkolla
-
Restoranti shqiptar “Illyria Grill” rikthehet në Schafisheim AG
Jeta në Zvicër
-
Zvicër: Sigurimi i makinave dhe pronës po bëhet dukshëm më i shtrenjtë Nuk është vetëm sigurimi shëndetësor që do të bëhet më i shtrenjtë në 2025; do të...
-
Më shumë zviceranë po largohen nga qytetet
-
Çfarë parashikohet për ekonominë e Zvicrës në 2025?
-
«Mednest24», spitex-i që flet shqip në Zvicër
-
Përzgjedhësi i Serbisë e lavdëron Granit Xhakën