Maqedonia

Mungesa e punëtorëve të kualifikuar në Ohër-Strugë

Pagat e kompanive të huaja që jepen këtu në vend, janë më të ulëta se në vendet e origjinës

Ekziston një numër i vogël i fuqisë punëtore të aftë dhe profesionale, e cila aktualisht është në dispozicion për kapacitetet e mëdha industriale në rajonin e Ohrit dhe Strugës.

Ka mungesë të inxhinierëve dhe kompanitë e huaja, veçanërisht në sektorin e automobilave, janë në kërkim të vazhdueshëm të kuadrit të nevojshëm.

“Gjatë gjithë kohës, kemi konkurse të hapura dhe jemi në kërkim të inxhinierëve, sepse kemi një program të veçantë … Duhet të punësojmë mbi 50 inxhinierë në dy vitet e ardhshme, që është një numër relativisht i madh për Maqedoninë”, pohoi Viktor Mizo, drejtor i Ndërmarrjes së Sektorit të Automjeteve, raporton Alsat

Sidoqoftë, fakti është se pagat e kompanive të huaja që jepen këtu në vend, janë më të ulëta se në vendet e origjinës, përcjell albinfo.ch.

“Pagat janë të përshtatshme dhe konkurruese, për Maqedoninë Veriore dhe mbase në rajon. Ajo që ne ofrojmë mendoj se është e përshtatshme”, theksoi Mizo.

Ekspertët kanë konstatuar vazhdimisht, se një nga mënyrat si të sigurohet personel i kualifikuar, që i duhet biznesit të lokal është aplikimi i të ashtuquajturit arsimi i dyfishtë/dual. Ky lloj arsimimi është implementuar dy vite me radhë në qendrën e shkollës Elektromekanike në Ohër.

“Praktika fillon nga viti i dytë. Në vitin e dytë me një ditë, në vitin e tretë me dy ditë dhe në vitin e katërt nxënësit do të shkojnë në vetë kompanitë nga 2 ditë e gjysmë deri në 3 ditë… Ideja e vetë kompanisë është ata që shkojnë në praktikë atje dhe pasi të përfundojnë shkollimin t’i angazhojnë në punë”, pohoi Sasho Nedeski-Drejtor i QSHEM-Shën Naum i Ohrit.

Nga kjo shkollë thonë se ka interes për regjistrim në arsimin profesional dhe se regjistrohen nxënës me mesatare relativisht të mirë. Rezultatet duhet të jenë të dukshme dy deri në tre vjet pas përfundimit të gjeneratës së parë.