CH-Ballkani

Murati: Të ndryshohet qasja ndaj diasporës

Ministri i Diasporës, Valon Murati, në intervistën dhënë albinfo.ch diasporën kosovare e konsideron shtyllën kryesore të zhvillimit të vendit. Ai tha se duhet të ndryshohet substancialisht qasja institucionale ndaj bashkatdhetarëve

Ministri i ri i Diasporës, Valon Murati, premton përkushtim maksimal për zhvillimin dhe afrimin e diasporës me vendlindjen, jo vetëm emocionalisht, por edhe në aspektin institucional. Në intervistën dhënë agjencisë albinfo.ch, Murati thotë se Kosova nuk ka bërë sa duhet për mërgimtarët, duke e konsideruar të padrejtë taksën doganore që bashkatdhetarët e paguajnë gjatë hyrjes në vendlindje. Ai tha se do të angazhohet për heqjen e taksës, ndërsa e konsideron kërkesë racionale atë të mërgimtarëve që edhe ata t’i kenë deputetët e vet në Kuvendin e Kosovës. Edhe pse këtë të fundit e konsideron më të vështirë, sepse kërkon ndryshime kushtetuese që mund të kushtëzohen nga deputetët serbë, por thotë se do të punojë pareshtur që të hiqen të gjitha barrierat për diasporën.
Valon Murati gjithashtu u angazhua për zhvillimin e mësimit shqip në mërgatë, derisa u bëri thirrje bashkatdhetarëve që të investojnë në Kosovë.
Ai në fund kishte edhe një lutje për të rinjtë e Kosovës që po migrojnë ilegalisht në BE. “Largimi ilegal nga Kosova nuk është zgjidhja e duhur. Rreziku dhe humbjet janë më të mëdha sesa mundësia e përfitimit”, tha ai.

Albinfo.ch:  Z. Ministër, Kosova ka një diasporë shumë të madhe, krahasuar me trungun demografik në vend. A ka arritur Kosova, pas 15 vjetësh, të krijojë relacione të pandashme institucionale Kosovë-Diasporë?

Murati: Nëse e vështrojmë në planin emocional, ato raporte vazhdojnë të jenë të forta dhe diaspora ndjehet pjesë e pandashme e zhvillimeve në Kosovë. Sidoqoftë, në planin institucional ne si vend jemi në fazën e krijimit të mekanizmave që ky raport të jetë efikas, korrekt dhe i dobishëm si për diasporën, ashtu edhe për Kosovën.

Albinfo.ch: Paraardhësi Juaj, ish-ministri Makolli, ka punuar për t’i forcuar urat e bashkëpunimit me diasporën. Cilat janë synimet tuaja?

Murati: Ne do të vazhdojmë shumë prej punëve që janë filluar në mandatin e kaluar dhe sidomos do të bëjmë përpjekje që në bashkëpunim edhe me Republikën e Shqipërisë të punojmë në drejtim të institucionalizimit të mësimit shqip në diasporë, do të punojmë në drejtim të identifikimit të potencialeve shkencore, arsimore, kulturore, biznesore të bashkatdhetarëve tanë, në mënyrë që ata të jenë model për diasporën tonë dhe për vetë ne në Kosovë, por njëkohësisht të jenë edhe një urë lidhëse në mes të diasporës dhe Kosovës dhe në mes të vendit ku jetojnë e Kosovës. Fuqizimi i pozitës së diasporës në vendet ku jetojnë do të jetë një synim yni tjetër, përmes përkrahjes së organizimit të tyre, sidomos në rrjetëzimin e organizimeve të diasporës sonë. Gjithashtu, përmes përpjekjeve për mësimin shqip, përmes krijimit të rrjeteve të biznesit, të të rinjve, juristëve, arsimtarëve, kulturore etj., ne do të ndikojmë edhe në fuqizimin politik të diasporës shqiptare kudo që jeton.
Ndihma në fuqizimin e saj politik dhe integrimi sa më i madh i saj në jetën politike, shoqërore, arsimore e ekonomike në vendin ku jeton, do të thotë edhe rritje e rolit dhe fuqizim i Republikës së Kosovës dhe të Shqipërisë, por edhe i shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre në vendet e tjera në Ballkan.

Albinfo.ch: Diaspora deri më tani është anashkaluar nga shumë procese, përfshirë edhe pjesëmarrjen në Kuvend me ndonjë deputet. A do të angazhoheni që edhe diaspora kosovare të ketë deputetët e vet në Kuvendin e Kosovës?

Murati: Realisht kjo do të ishte një zgjidhje e drejtë, e cila edhe është kërkuar nga diaspora, por edhe është trajtuar në shumë dokumente të vetë institucioneve të Kosovës. Personalisht jam pro kësaj ideje. Sidoqoftë, vështirësia në realizimin e këtij projekti qëndron në domosdoshmërinë e ndryshimit të Kushtetutës së Kosovës. E ndryshimi i Kushtetutës sonë është një proces delikat politik dhe juridik, sepse kërkon edhe votat e 2/3-ve të deputetëve të pakicave në Kosovë. Me hyrjen e Lista Srpska në kuvend, procesi i ndryshimeve kushtetuese është komplikuar më tej. Jo vetëm rreth kësaj çështjeje, por për shkak të këtij rregullimi kushtetues, Kosova mund të mbetet peng edhe në procese të tjera politike. Fatkeqësisht kjo situatë kushtetuese e pengon funksionalitetin e shtetit të Kosovës dhe do të jetë sfidë politike ndryshimi i kësaj kushtetute dhe eliminimi i privilegjeve juridike që i kanë komunitetet pakicë në Kosovë.

Albinfo.ch: Që nga përfundimi i luftës mërgimtarët paguajnë taksa kufitare për hyrje në vendlindje. A është e drejtë kjo dhe çka duhet bërë që taksat të hiqen?

Murati: Siç mund ta dini, Ministria e Diasporës nuk e ka nën përgjegjësi të veten zgjidhjen e këtyre problemeve. Megjithatë ne bashkëndjejmë me hallet e bashkatdhetarëve tanë dhe e dimë që jemi dera e parë, ku bashkatdhetarët trokasin për hallet që ata kanë në atdhe. Në këtë funksion ne jemi duke u angazhuar që t’i identifikojmë të gjitha problemet administrative që kanë bashkatdhetarët kur vijnë në Kosovë, përfshirë pagesat në kufij dhe t’i trajtojmë pastaj me institucionet dhe ministritë e tjera të qeverisë. Në këtë drejtim, unë nuk mund të garantoj se ato probleme do të zgjidhen menjëherë, por garantoj se do të angazhohem maksimalisht që të bëj presionin adekuat te mekanizmat e tjerë shtetërorë që këto probleme të zgjidhen.

Albinfo.ch: Mërgimtarët tanë për çdo vit kontribuojnë me nga 600 milionë euro remitenca. Me këtë para diaspora konsiderohet stabilizator i situatës politike në vend. Pse diaspora duhet të shihet vetëm si mbushës i hambarit, ndërsa në segmentet e tjera të diskriminohet nga shteti, përfshirë edhe në fushën e investimeve dhe në privatizim?

Murati: Qasja ndaj diasporës sonë duhet të ndryshojë në mënyrë thelbësore. Deri më tani diaspora ka qenë një ndër shtyllat kryesore të mbijetesës sonë si politike, ashtu edhe ekonomike. Roli i saj në luftën për liri, në pavarësinë e shtetit shqiptar dhe më vonë të Republikës së Kosovës është i jashtëzakonshëm. Kjo përpjekje politike është përcjellë me ndihmën ekonomike që diaspora ka dhënë. Realisht ne edhe sot vazhdojmë të mbijetojmë nga remitancat që dërgon diaspora, e cila edhe ndihmon të zbutet deficiti i madh tregtar i Kosovës. Ka ardhur koha që ne në Kosovë të punojmë që këtë vullnet të diasporës për të ndihmuar vendin dhe familjet ta transformojmë në një investim të qëndrueshëm në ekonominë e Kosovës, investim i cili do të jetë i dobishëm për të dy palët. Pra, nuk duhet të presim që do të kemi investime nga diaspora pa ambient të përshtatshëm ekonomik, juridik dhe politik që njerëzit tanë, kur të investojnë në vendin e tyre, edhe të fitojnë.
Unë do të angazhohem që në bashkëpunim edhe me ministritë e tjera dhe me të tjera institucione të punojmë që të krijojmë një ambient sa më të favorshëm për investime nga diaspora. Krijimi i një klime të përshtatshme për investime nga diaspora nënkupton që ne si shoqëri po krijojmë kushte dhe kapacitete edhe për investime të huaja. Të mos harrojmë se ndërmarrësit tanë nga diaspora janë lidhja e parë me investitorët potencialë të huaj.
Njëkohësisht ne do të përpiqemi që t’i identifikojmë tregimet e suksesshme të investimeve nga diaspora në Kosovë dhe do t’i promovojmë ato.
Gjithashtu kemi në plan që në bashkëpunim edhe me institucionet e tjera të krijojmë një pamje më të saktë të investimeve nga diaspora, të cilat realisht edhe tani nuk janë të pakta, por që në statistikat tona figurojnë si investime të huaja direkte. Por, të mos harrojmë se potencialet e diasporës sonë janë të mëdha jo vetëm në fushën e investimeve financiare, por ne zhvillimin e vendit dhe ndikimin e diasporës në të e shohim edhe në fushën e resurseve njerëzore që ka ajo në shkencë, arsim, kulturë, art, sport etj. Nëse do të arrijmë t’i kombinojmë këto potenciale, besoj se Kosova, Shqipëria dhe trojet e tjera shqiptare do të kenë një mundësi të madhe zhvillimore.

Albinfo.ch: A ka stabilitet të qëndrueshëm në Kosovë që diaspora të investojë këtu?

Murati: Ngërçi i gjatë politik i vitit të kaluar ka krijuar një situatë jo të favorshme ekonomike. Sidoqoftë, besoj se me krijimin e institucioneve, gradualisht do krijohen kushtet për një ambient më të mirë për investimet nga diaspora.

Albinfo.ch: Çka do të bëni Ju për t’i stimuluar bashkatdhetarët që të investojnë në Kosovë dhe jo gjetiu?

Murati: Unë do të bëj përpjekje maksimale që të gjitha dikasteret qeveritare ta kuptojnë seriozitetin e nevojës që diaspora jonë të jetë një shtyllë e rëndësishme e zhvillimit të vendit. Dhe bazuar në këto nevoja dhe, edhe në synimet që ka programi qeveritar, të arrijmë të krijojmë një pako të favorshme ekonomike për investitorët tanë nga diaspora. Ne këtë drejtim, fuqizimi i rrjeteve ekzistuese të biznesit dhe krijimi i të rejave, në të cilin proces Ministria e Diasporës luan një rol të rëndësishme, besoj do të jenë gjithashtu një urë e mirë për të gjithë ndërmarrësit tanë që duan të investojnë në Kosovë.

Albinfo.ch: Në diasporë po vazhdon procesi i regjistrimit të bashkatdhetarëve. Kur do t’i kemi rezultatet e para preliminare të këtij regjistrimi?

Murati: Ne jemi në proces të analizimit të punës së deritanishme të këtij procesi, i cili është kompleks dhe i ka pasur vështirësitë e veta. Unë kam krijuar një komision, i cili është duke u marrë me këtë çështje dhe do të dalë me vlerësimet dhe me rekomandimet e veta se cilat hapa duhet ndërmarrë për ta shtyrë përpara këtë proces. Rezultatet e para të konsoliduara do t’i kemi në fund të vitit 2016, por menjëherë pas vlerësimit të komisionit, do të dalim me rezultatet e deritanishme.

Albinfo.ch: A keni qenë i kënaqur me punën që ka bërë ish-ministri Makolli?

Murati: Z.Makolli, ekipi i tij dhe ministria deri më tani kanë shtruar një rrugë të mirë, mbi të cilën unë mendoj ta vazhdoj punën dhe njëkohësisht ta ngris në një nivel edhe më të lartë punën në të ardhmen.

Albinfo.ch: Cili është mesazhi juaj për ikjen e fundit masive të kosovarëve për në BE?

Murati: Largimi ilegal nga Kosova nuk është zgjidhja e duhur. Rreziku dhe humbjet janë më të mëdha sesa mundësia e përfitimit. Unë mendoj se Kosova është një vend në të cilin mund të jetohet, andaj të gjithë bashkërisht, e më së shumti qeveria duhet të punojë që të kthehet optimizmi, shpresa dhe perspektiva në këtë vend.