Lajme

NATO shënon 70 vjetorin e themelimit

NATO shënon 70 vjetorin e themelimit, ndersa anëtarët e saj të ndarë në qëndrime.

Aleanca Veriatlantike e njohur si NATO ka mbushur 70 vjet të funksionimit.

Kjo aleancë ushtarake po shënon këtë përvjetor  me një samit me vendet anëtare, përfaqësues të së cilave të martën qëndruan në Londër.

Ky përvjetor e gjen NATO-n në mes të shumë diskutimeve, kryesisht nga shtetet e mëdha e që debatet më të ashpra po bëhen mbi shpenzimet për mbrojtje.

Ankuesi më i madh, prej kur ka marrë pushtetin, mbetet presidenti amerikan Donald Trump.

Ai vazhdimisht ka kërkuar nga vendet tjera anëtare të NATO-s të shtojnë shpenzimet për mbrojtje.

E pikërisht, zëri i Trumpit për këtë fushë ka pasur efektin e vetë.

Këtë herë është vendosur që vendet tjera pos SHBA-së të rrisin buxhetin për mbrojtje.

Kështu ka konfirmuar vetë Trump në takimin e së martës që pati me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Pas disa punëve dhe negociatave ne kemi ngritur buxhetin e vendeve tjera pos SHBA-së, sepse ne po paguajmë shumë më shumë se sa vendet tjera, dhe shumë më shumë se sa përqindja e GDP-së. Nuk do të kishte më NATO nëse do të vazhdonin kështu, sepse tabela e pagesave nga vendet po ulej”, Donald Trump, president i SHBA-së.

Vetë Stoltenberg në këtë takim ka pranuar se presioni i presidentit Trump ka ndikuar këtë vendim.

“Ne po bëjmë përparim të vërtetë, dhe lidershipi juaj në shpenzimet për mbrojtje është duke pasur ndikim real. Në fakt prej vitit 2016 Kanadaja dhe vendet tjera kanë dhënë miliarda euro në këto projekte të mbrojtjes dhe kjo vlerë do të shtohet deri më 2020. Kjo po e bën NATO-n më të fuqishme. Aleanca po përshtatet me zhvillimet tjera në botë”, Jens Stoltenberg, sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.

Por jo vetëm Trump, ishte edhe president francez, Emanuel Macron ai që e kishte emëruar situatën ‘’vdekje të trurit të NATO-s’.

E Trumpi të martën e ka komentuar këtë deklaratë të homologut të tij francez.

“Askush nuk ka nevojë më shumë se sa Franca për NATO-n, prandaj mendoj që një deklaratë e tillë e bërë nga Franca për NATO-n është shumë e rrezikshme”, ka thënë Trump.

Pasditen e së martës, ishte pikërisht Trump e Macron që mbajtën një takim në kuadër të Samitit të NATO-s.

E në këtë takim Trump u zbut paksa. Ai e falenderoi homologun francez për partneritetin dhe bashkëpunimin mes tyre në shumë drejtime.

Edhe Turqia, të martën ka shprehur qëndrimin e saj e që mund të përkthehet në një kërcënim deklarata e presidentit turk Rexhep Taip Erdogan.

Në Londër ai tha se Ankaraja do ta kundërshtojë planin e aleancës për mbrojtjen e vendeve të Baltikut nëse aleanca nuk i njeh si terroriste grupet që i lufton Turqia.

Ndryshe, Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut është e themeluar nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe dhjetë vende evropiane në vitin 1949, shkruan GE, percjell albinfo.ch