Kosova

Ndërtues urash: Ekspertët e pensionuar zviceranë, me mision në Kosovë

Ata promovojnë zhvillimin ekonomik, social dhe ekologjik duke mbështetur njerëzit në përpjekjet e tyre për t'u integruar në jetën ekonomike lokale.

Në një intervistë për albinfo.ch, Jane Achermann, menaxhere e Programit “Manager Senior Expert Contact” (SEC) flet për misionin e Shërbimit të Kontaktit të Lartë të Ekspertëve në Kosovë.

Albinfo.ch: Si do ta përshkruani misionin e Shërbimit të “Manager Senior Expert Contact” me dy fjali?

Jane Achermann: Ekspertët në pension përmes shërbimeve këshillimore vullnetare japin një shtysë, duke mbështetur drejtpërdrejt dhe në mënyrë burokratike kompanitë dhe institucionet në vendet tona partnere në zhvillimin e tyre ekonomik. ‘Slogani’ ynë është: Promovimi i sipërmarrjeve përmes ekspertizës – duke bartur njohuri të specializuara në mënyrë praktike dhe mbi baza vullnetare

Albinfo.ch: Si lindi ideja për krijimin e këtij shërbimi? Cilat nevoja janë identifikuar që kanë nxitur ngritjen e një shërbimi të tillë?

Jane Achermann: SEC ka qenë iniciativë e këshilltarit të menaxhimit, Heini Stettbacher dhe pilotit të Swissair Theo Schwarzenbach. Ajo është zbatuar nga Swisscontact në vitin 1979. Ideja në atë kohë ka qenë që të përdoren njohuritë e specialistëve zviceranë në pension për të zgjidhur problemet teknike brenda projekteve të zhvillimit që shpesh shkaktonin mbylljen e punëtorive të tëra për trajnim.

Albinfo.ch: Çfarë rëndësie strategjike ka Shërbimi Manager Senior Expert Contact (SEC) për Organizatën Swisscontact, por edhe për mbështetjen që qeveria zvicerane e ofron nëpër botë?

Jane Achermann: Sa i përket vëllimit, SEC është një program i vogël brenda organizatës. Megjithatë, është i rëndësishëm sepse është programi më i vjetër në kontinuitet dhe i vetmi në të cilin aktivizohen vullnetarë dhe në këtë mënyrë përfshin në mënyrë aktive shoqërinë civile zvicerane në bashkëpunimin për zhvillim. SEC është një instrument për Swisscontact për të vendosur kontakte të drejtpërdrejta me NVM-të (Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme) në vendet tona partnere.

Shtepia Alpike Ranch 2

Albinfo.ch: Sa kohë keni që punoni në Kosovë?

Jane Achermann: Swisscontact ka një zyrë në Kosovë që nga viti 2002. Pas kësaj edhe SEC ka filluar të kryejë operacione në Kosovë.

Albinfo.ch: Cili është fushëveprimi i Manager Senior Expert Contact (SEC)në Kosovë?

Jane Achermann: Me kolegët tanë nga zyra Swisscontact në Prishtinë, ne kryejmë deri në dymbëdhjetë detyra të SEC në vit. Gjysma e tyre, për një projekt në vazhdim që po zbatohet nga Swisscontact, gjysma tjetër për NVM-të që nuk janë domosdoshmërisht në lidhje ekzistuese me Swisscontact. Për momentin, për shkak të kufizimeve të udhëtimit në të gjithë botën, misionet e SEC kryhen virtualisht.

Krusha e Madhe

Albinfo.ch: Në cilat fusha ofroni njohuri të specializuara?

Jane Achermann: Janë shumë. Në të gjitha fushat që ju mund të imagjinoni. Nga prodhuesi i djathit tek arkitekti  e te mikrobiologu, nga zdrukthëtari te menaxheri i spitalit ose ekonomisti i biznesit. Ne jemi të drejtuar nga kërkesa. NVM-të në vendet tona partnere, d.m.th. klientët tanë, na tregojnë se për çfarë lloj ekspertizash kanë nevojë. Detyra jonë është të gjejmë profilet e duhura për ta. Është në interesin tonë të gjejmë mbështetjen më të mirë për klientët tanë – dhe jo t’u mundësojmë ekspertëve tanë të punojnë. Është e rëndësishme të kihet parasysh se detyrat tona janë gjithmonë të një natyre këshilluese dhe jo detyra thjesht operacionale, dhe se fokusi ynë është në forcimin e sektorit privat lokal.

Albinfo.ch: Si funksionon ky shërbim?

Jane Achermann: Në vendet që i kemi nën fokus, si SEC, dhe Kosova është njëra prej tyre, ne përfaqësohemi nga të ashtuquajturit koordinatorë të SEC në vend. Ata afrohen me klientët e mundshëm dhe ua paraqesin ofertën tonë. Sigurisht, NVM-ve u lejohet të kontaktojnë edhe drejtpërdrejt me koordinatorët tanë. Si hap i parë, klientët plotësojnë një pyetësor të hollësishëm për aplikim, i cili kontrollohet nga koordinatorët dhe përcillet në zyrën qendrore në Cyrih. Ne gjithashtu kontrollojmë edhe kërkesën. Pastaj futemi në bazën tonë të të dhënave dhe identifikojmë një ekspert të përshtatshëm dhe të disponueshëm. Jetëshkrimi i personit që do të zgjedhim ndahet me klientin. Ai gjithashtu duhet të japë pajtimin me zgjedhjet. Ekziston një shkëmbim fillestar midis klientit dhe ekspertit, kryesisht për të shkëmbyer informacion teknik, por edhe për të parë nëse përshtatet nga ana njerëzore dhe nëse pritjet mund të përmbushen nga të dy palët. Atëherë është e rëndësishme të hartohen kontratat dhe të organizohen hapat logjistikë. Për detyrat në vendet ku është fokusuar SEC, SEC paguan shpenzimet administrative, si dhe udhëtimet ndërkombëtare, sigurimin e udhëtimit dhe një shtesë të shpenzimeve me tarifë të fiksuar për ekspertin.

Konsumatori bart shpenzimet për transportin lokal si dhe ushqimin dhe akomodimin gjatë misionit. Për detyrat pasuese, klienti gjithashtu duhet të paguajë një kontribut të vogël monetar.

Albinfo.ch: A mund të aplikojë çdo kompani për këtë mbështetje apo ekzistojnë kritere të caktuara?

Jane Achermann: SEC ofron këshilla të specializuara për NVM-të që nuk mund të përballojnë këshilla të tilla me çmime të tregut dhe / ose ekspertiza lokale nuk është e disponueshme. Pra, madhësia e ndërmarrjes luan një rol. Sektori në të cilin operon ndërmarrja në përgjithësi nuk luan një rol të madh, nëse aktivitetet janë të ligjshme dhe përgjithësisht të justifikueshme. Kompania gjithashtu duhet të jetë tashmë duke funksionuar dhe duhet të ketë perspektivën e krijimit të vendeve të punës në vend, duke u rritur. Faktorët “e butë” këtu përfshijnë pasjen e njohurive themelore të ndonjërës gjuhë zvicerane ose të anglishtes, si dhe një nivel të lartë të përkushtimit, hapjes ndaj këshillave dhe ndryshimeve të mundshme në operacione dhe disponueshmërinë dhe përkushtimin ndaj ekspertëve tanë.

Albinfo.ch: Pse është i dobishëm ky shërbim për kompanitë?

Jane Achermann: Kompanitë mund të përfitojnë nga dekadat e përvojës praktike të një specialisti të ditur, të orientuar drejt praktikës, të gjitha me kosto shumë të ulët. Detyrat e SEC janë praktike dhe të orientuara drejt zgjidhjeve. Rezultatet nuk janë raportime me shumë faqe të shkruara, por këshilla konkrete dhe zgjidhje në vend. Duke qenë se ekspertët tanë punojnë vullnetarisht, d.m.th. pa pagesë, mund të supozojmë se ata janë shumë të motivuar. Përveç kësaj, një mision i SEC i jep menaxherit të kompanisë mundësinë për të pasur një pamje të pavarur, të freskët nga jashtë.

Albinfo.ch: Kosova ka një diasporë të rëndësishme në Zvicër dhe vendet e tjera të Evropës. Ka pjesëtarë të diasporës që kanë filluar biznese në Kosovë. A kanë të drejtë ata të përfitojnë nga ky shërbim?

Jane Achermann: Po sigurisht! Ne tashmë kemi shënuar histori shumë të bukura suksesi. Përveç kësaj, pjesëtarët e diasporës mund të regjistrohen edhe si ekspertë vullnetarë. Ne do të ishim shumë të kënaqur dhe sigurisht në këtë mënyrë do të hiqnim pengesat e mundshme gjuhësore me klientët gjatë misionit.

Albinfo.ch: Si mund ta përshkruani ndikimin e Manager Senior Expert Contact (SEC) në Kosovë?

Jane Achermann: Do të ishte e gabuar të flitet për efekte sistematike në të gjithë vendin nga SEC . Nga ana tjetër, SEC mund dhe ka qenë në gjendje të arrijë shumë në fusha të caktuara, d.m.th. për klientët individualë. Për këtë qëllim, ne rregullisht kryejmë studime lidhur me ndikimin tonë. Por, këto studime janë globale dhe jo specifike për Kosovën. Çdo detyrë, çdo histori e ndërmarrjes, çdo përvojë është e ndryshme. Ndoshta më mirë do të ishte të intervistonit klientët tanë në Kosovë drejtpërdrejt!?

Albinfo.ch: Si mund të kontaktojnë kompanitë e interesuara?

Jane Achermann: Mundësisht përmes koordinatorëve tanë në vend. Në Kosovë, këta janë kolegët tanë të vlerësuar:

Linda Baleta, Tel: +383 (0) 38 220 403 Shtese: 111 | Mob: +383 (0) 44 161 230 | email: [email protected]

Dhe

Yllza Kelmendi Tel: +383 (0) 38 220 403 Shtese: 111 | Mob: +383 (0) 44 597 282 | email: [email protected]

Ne shpresojmë për çdo kontakt dhe për shumë detyra më të suksesshme të SEC në Kosovë!

Jane Achermann

Global Programme Manager Senior Expert Contact (SEC)

Swisscontact

SWISS FOUNDATION FOR TECHNICAL COOPERATION

Hardturmstrasse 123, CH-8005 Zurich

Tel.: +41 44 454 17 63

Skype: janeachermann_swisscontact

www.seniorexpertcontact.org