CH-Ballkani
Në Cyrih u shënua solemnisht Dita e Pavarësisë së Kosovës
Në organizim të Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih, është mbajtur më 24 shkurt në Schlieren manifestimi kushtuar 17 Shkurtit, Ditës së Pavarësisë së Kosovës
Mbrëmja e 24 shkurtit dhe salla e restorantit “Salmen” në Schlieren ishin zgjedhur nga Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih për të festuar 17 Shkurtin, Ditën e Pavarësisë së Kosovës. Pjesën artistike të kësaj mbrëmjeje e ka karakterizuar një larushi e zhanreve të muzikës vokale dhe instrumentale.
Melodinë e himnit të Kosovës e ka interpretuar me violinë artistja e vogël dhe e talentuar, Eliza Pintolli.

Manifestimin e ka hapur me një fjalë përshëndetjeje shefi i Zyrës Konsullore të Republikës së Kosovës në Cyrih, Islam Spahija. Ai, në fjalën e tij ka kujtuar para të pranishmëve se pavarësia e Kosovës, është pjesë e ëndrrës së popullit shqiptar që nga koha e Skënderbeut e që përmbyllet me ndërhyrjen e NATO-s në luftën e fundit. Ndërsa si dy shtyllat më meritore për jetësimin e pavarësisë, Spahija ka përmendur rezistencën paqësore të prirë nga presidenti historik, Ibrahim Rugova dhe luftën e UÇK-së në krye të së cilës qëndron sakrifica e komandantit të saj legjendar, Adem Jashari me familje.

Në vazhdim, publikut të shumtë në sallë i është drejtuar ambasadorja e Kosovës në Zvicër, Nazane Breca. Ajo ka bërë një rikapitulim të arritjeve që ka realizuar Kosova në këto 11 vite të pavarësisë. Ndër këto arritje, ambasadorja e Kosovës ka veçuar vendimin e marrë në fund të vitit të kaluar për ngritjen e Forcave të Armatosura të Kosovës. Më tutje znj. Breca ka falënderuar vendet mike të Kosovës gjegjësisht forcat e armatosura të këtyre vendve në kuadër të KFOR-it. Në veçanti ajo ka shprehur mirënjohje për Swisscoy-n, ose forcën paqësore zvicerane në kuadrin e KFOR-it, për ndihmesën e paçmuar dhënë ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në Kosovë.

Ajo ka kujtuar më tutje se Kosova ka marrëdhënie të shkëlqyera me Zvicrën. Shteti helvetik ka qenë ndër të parët që ka njohur pavarësinë e Kosovës ndërsa gjatë këtyre 11 viteve dy vendet kanë lidhur mes vete një numër marrëveshjesh që rregullojnë marrëdhëniet mes dy vendeve. Marrëveshja e lidhur së fundi për pagesën e pensioneve zvicerane kosovarëve që kanë punuar në Zvicër, është më aktualja dhe pritet që ajo shumë shpejt të fillojë nga zbatimi praktik, ka thënë Breca.
Zëvendësministri në Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve strategjike, Faruk Nura ka përshëndetur tubimin në emrin e ministrit, Dardan Gashi. Ai në fjalën e tij veç tjerash ka vlerësuar lart angazhimin e diasporës në përgjithësi dhe asaj në Zvicër për të gjitha zhvillimet në Kosovë.

Serinë e fjalimeve e ka përmbyllur eurodeputeti zviceran nga partia SVP, politikani i njohur Alfred Heer. Ai, pasi u ka uruar të pranishmëve ditën e pavarësisë, ka konfirmuar ekzistimin e marrëdhënieve shumë të mira në mes të Zvicrës dhe Kosovës. Veç tjerash Heer ka folur edhe rreth aktivitetit të tij dhe të kolegëve të tij zviceranë në Parlamentin Evropian. Heer ka thënë se eurodeputetët zviceranë mbështesin shtetin e ri të Kosovës në këtë institucion, në të cilin Kosova në këtë fazë ka vetëm statusin e vëzhguesit. Ai ka bërë fjalë edhe për dhomën ekonomike Zvicër-Kosovë, të themeluar rishtaz, duke e vlerësuar atë si një kontribut për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve në mes të Zvicrës dhe Kosovës.

Politikani i njohur nga Lucerni, miku i Kosovës dhe shqiptarëve Pirmin Müller është ngjitur në skenë, në një bashkëbisedim me disa politikanë të rinj me rrënjë shqiptare të Zvicrës, duke bërë një debat të shkurtër, të fokusuar kryesisht rreth integrimit të shqiptarëve në Zvicër.

Programin artistik e ka hapur një këngë e interpretuar nga Kori i Grave “Lyra” nga Cyrihu ndërsa në vazhdim kanë kënduar edhe Anesa dhe Alesa Jakupi, një duet simpatik që është prezantuar me një këngë për fëmijë. Pastaj vogëlushja Lorenta Zejneli ka recituar një poezi kushtuar Kosovës dhe Albion Rexha është prezantuar me një këngë hiphop.
Këngëtarja e njohur shkodrane me qëndrim në Zvicër, Fatjeta Barbullushi ka kënduar këngën e njohur të Vaçe Zelës “Rrjedh në këngë e ligjërime” që është pëlqyer nga publiku. Ndërsa këngëtarja e re Lirona Sadriu e cila po dëshmohet çdo ditë e më shumë me stilin e saj të veçantë, ka kënduar një këngë të shoqëruar me kitarë.
Violinistja e vogël Eliza Pintolli ka interpretuar disa melodi nga tradita e muzikës shqiptare, duke dëshmuar përkushtimin dhe virtuozitetin e saj si violiniste prej së cilës pritet shumë.

Me një interpretim të rrallë dhe shumë inventiv të baladës së njohur të artistit dëshmor, Jusuf Gërvallës “Do të kthehem nënë”, këngëtari i ri Altin Asllani, i njohur në Zvicër si një këngëtar roku, ka shkëlqyer, duke përcjellë emocione të papërshkrueshme te publiku. Ai ka kënduar po ashtu me përkushtim edhe këngën ikonë të mallit të mërgimtarit, perlën e njohur të Muharrem Qenës “Mallëngjim”.

Këngëtari i njohur i folklorit, Isuf Rashiti i ka bërë një interpretim me përkushtim një kënge kushtuar Heroit të Kosovës, Agim Ramadani.
Koncertin e mbrëmjes festive e ka përmbyllur Elina Duni, këngëtarja e cila tashmë ka bërë emër të madh në muzikën zvicerane e më gjerë, me këngët e saj që kanë burimin në melosin popullor shqiptar por “të veshura” me petkun e xhazit. Me melodiozitetin e zërit, me përpunimin e qëlluar të këngës burimore shqiptare dhe invencionin saj në skenë, ajo ka siguruar tashmë një vend të padiskutueshëm edhe në zemrat e publikut shqiptar.

Duhet theksuar se për gjithë programin e mbrëmjes, merita të veçanta i takojnë edhe moderatores, Fitore Vata. Ajo, me qëndrimin e saj sovran në skenë, me ndërhyrjet e qëlluara, spontanitetin dhe elokuencën në të folur, ka bërë në mënyrë mjaft kreative lidhjen në mes të pikave të shumta të programit.





Të tjera nga CH-Ballkani
E-Diaspora
-
Program përkujtimor kushtuar Masakrës së Reçakut Aktiviteti synon ruajtjen e kujtesës kolektive, nderimin e viktimave dhe përcjelljen e së vërtetës historike... -
Abdixhiku: Diaspora nuk i prish balancat demokratike në Kosovë, ajo i pasqyron ato -
PSHDK mohon legjitimitetin e degës së pretenduar në Vjenë -
Abdixhiku i drejtohet mërgatës: “Më 28 dhjetor, ejani dhe shpëtojeni Kosovën” -
“Netzwerk Dua”, inteligjenca që mbron pronën tënde në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Zvicra me çmimet më të larta në Evropë Sipas të dhënave të vitit 2024, Zvicra është deri tani vendi më i shtrenjtë me një... -
Sa kushton marrja e shtetësisë zvicerane -
Linjat telefonike pediatrike në kantone për të shmangur mbipopullimin e urgjencave -
Diskutohet roli i shtëpive të pleqve në asistimin e vdekjes në Lucern -
Orari i ri i SBB-së ka hyrë në fuqi sot me ndryshime të mëdha













