Lajme
“Në emër të atit”, një shfaqje me gjuhë universale që flet edhe për ne
Të dielën që shkoi, në Kloten (ZH) është shfaqur monodrama "Në emër të atit", me tekst të Ridvan Dibrës, regji të Sulejman Rushitit dhe me aktrim të Daut Ahmetit
“Në emër të atit”, një monodramë e autorit të njohur Ridvan Dibra, realizimin e saj të herë të parë skenik e pati në Zvicër. Kjo ndodhi më 12 shkurt, në Kloten të Cyrihut, me meritën e regjisorit të njohur nga Gostivari, Sulejman Rushiti dhe aktorit e producentit, Daut Ahmeti.
Ishte një mbrëmje e ngrohtë artistike, që, veç tjerash na kujton se guximi artistik, kur shkon krahas me përkushtimin e autorëve, edhe shpaguhet. Flasim për guximin, kur dihet se është në përgjithësi një sakrificë të sfidosh “kulturën” e masave që aktualisht ndër ne sillet rreth spektakleve të tipit “Big Brother”. Pastaj, guxim i veçantë nevojitet që këtë sfidë ta bësh me një shfaqje që nuk ka humor dhe madje nuk prek drejtpërdrejt as “nervin patriotik” të publikut në diasporë.
Dëbimi nga atdheu, si pasojë e luftërave është në fokus të tekstit dhe të shfaqjes “Në emër të Atit”. Këtu, tema e dëbimit personifikohet me Andrean, protagonistin e shfaqjes, i cili rrëfen për ballafaqimin shumë të rëndë të tij me detyrimin për të braktisur vendin, dilemat dhe vuajtjet që i shkakton e gjithë kjo.
“Aty jetojmë e përjetojmë bashkë me Andrean dilemat, pikëpyetjet, dashurinë, mallin, mallëngjimin, urrejtjen, guximin, etj. `Në emër të atit` është një elegji për shpirtrat e humbur, si ata të zhdukur, ashtu edhe ata të “shpëtuar”, thuhet në fjalën e regjisorit, Sulejman Rushiti, me rastin e vënies në skenë të kësaj shfaqjeje.
Ndërsa autori i tekstit është frymëzuar nga miti i Eneas së Trojës, pra ikja e Eneas, ditën kur bie Troja.
“Nxitjen e kam marrë nga një episod i mitit të lashtë rreth princit të Dardanisë, Enea (Andrea, në pjesë). Është pikërisht momenti kur Enea detyrohet të largohet nga Troja e pushtuar dhe në flakë…” shkruan autori Dibra duke prezantuar tekstin e monodramës.
Ndërkaq, ajo që ne shohim në skenë, pas një pasazhi disi të zgjatur të hyrjes…, është ndërdyshja, sfilitja brenda vetes e Andreas (Daut Ahmetit) në mes të detyrave të tij si zot shtëpie dhe sfidave që i dalin përpara. Në radhë të parë ai përpëlitet para autoritarizmit të babait (mbase prandaj vjen dhe titulli i monodramës “në emër të atit”), i cili, në pozitën e patriarkut absolut e të padiskutueshëm e sfidon protagonistin me tekat e tij vështirë të realizueshme.
Andrea sjell këtu njeriun të cilin historia e vendos para vështirësive të rënda dhe pothuaj të papërballueshme. Këto sfida nuk mbeten pa pasoja: përveç humbjes së shtëpisë e atdheut, ai humbet edhe bashkëshorten.
Loja e Daut Ahmetit është shumë e angazhuar dhe sigurisht e lodhshme, kur dihet se ai është aktori i vetëm në skenë. Për më tepër, ai, për të plotësuar “mungesën” e tre personazheve për të cilët fliste teksti, bart edhe këtë barrë: gjatë gjithë kohës “komunikon” me babanë e tij, gruan dhe të birin, të tre janë të pranishëm në skenë si kukulla, të cilat Andrea i vendos e zhvendos në pozicione të ndryshme, sipas zhvillimeve të dramës.
Ahmeti ka bërë edhe skenografinë, kostumografinë dhe rekuizitat, të cilat zënë vend të konsiderueshëm në tërësinë e shfaqjes dhe inkorporohen mirë në konceptin regjisorial të Rushitit. Kjo tregon përkushtimin e tij jo të zakonshëm, për të sjellë në skenë një shfaqje serioze dhe për të kthyer veten në skenë, si aktor, pas një kohe të gjatë mungese, siç e tha ai në bashkëbisedim për Albinfo.ch.
Kostumet, që janë një kombinim mes veshjeve antike dhe atyre tradicionale shqiptare, çojnë edhe mesazhin universal të tekstit, se dhuna, përndjekja dhe vuajtja njerëzore sa i takojnë kohës antike po aq edhe kohës aktuale, që po jetojmë.
Daut Ahmeti dhe Sulejman Rushiti
Një përplotësim dhe dinamizim të shfaqjes e bën edhe ndërthurja e skenave të luftës e të dëbimit, mes tyre edhe ato nga lufta e Kosovës, të projektuara si film në sfondin e zhvillimit të shfaqjes.
Në fund, mund të thuhet se Ahmeti, jo vetëm me përkushtimin por edhe me prirjen dhe aftësinë transformuese të tij, sigurisht bashkë me regjisorin, ja kanë dalë të na sjellin në skenë një shfaqje me pretendime të mirëfillta artistike.
Producenti dhe aktori i monodramës “Në emër të Atit” thotë tutje se shfaqja “Në emër të atit” nuk do të mbetet vetëm me premierën por do të jepet edhe në qytete të tjera të Zvicrës e të Gjermanisë. Gjykuar nga prania e një numri të konsiderueshëm të dashamirësve të teatrit në shfaqjen premierë, mund të shpresohet se kësaj monodrame nuk do t`i mungojë publiku, edhe në shfaqjet e radhës.
E-Diaspora
-
Votuesit e regjistruar për të votuar jashtë Kosovës nuk mund të votojnë brenda vendit Regjistrimi i votuesve jashtë vendit mbyllet në mesnatë: Deri tani mbi 64 mijë aplikime... -
Sot është afati i fundit për regjistrimin e votuesve nga diaspora -
Berlin
Berlin, shfaqja e dokumentarit të ARTE-s mbi traditën dhe inovacionin kosovar -
Nju-Jork
Orna, violonçelistja nga Nju Jorku që prej 30 vjetësh i jep shpirt Operës së Seviljes -
Cyrih: Takim pune për zbatimin e Marrëveshjes së Bashkimit të shkollave shqipe
Jeta në Zvicër
-
Rriten çmimet e birrës në Zvicër Birra bëhet më e shtrenjtë në Zvicër... -
Një 16-vjeçar humb jetën në një aksident të rëndë në Torre TI -
E verbra zvicerane mahnit jurinë dhe siguron finalen në “The Voice” -
Nga 8 dhjetori Aeroporti i Cyrihut lejon pjesërisht lëngjet në bagazhin e dorës -
Zvicër: Kërkohet kontrollim më i mirë i letërnjoftimeve të të huajve


















