Kosova

Në Serbi do të udhëtohet me pasaporta të Kosovës

Ministri i Infrastrukturës ka thënë se kështu kjo Qeveri synon që në katër pesë vitet e ardhshme Kosova të bëhet nyje strategjike e hekurudhave, e autostradave dhe gazsjellësit që ka me ndihmuar ekonominë e vendit

Përkundër krijimit të mini-Shengenit për lëvizje të lirë të qytetarëve dhe mallrave, me linjën ajrore Kosovë-Serbi, qytetarët e Kosovës do të fluturojnë vetëm me pasaportë të Kosovës në Beograd.

Ministri i Infrastrukturës i Kosovës, Arban Abrashi ka thënë për KosovaPress, se janë intensifikuar bisedimet me njërën prej aviokompanive më serioze “Lufthansa”, ku edhe është arritur drafti i parë për marrëveshje, përcjell albinfo.ch.

Ministri duke e quajtur këtë marrëveshje strategjike, thotë se në kudër të zotimeve që janë arritur në Shtëpinë e Bardhë për krijimin e një zone të lirë për lëvizjen e njerëzve, gjithsesi prej secilit aeroport duke përfshirë edhe atë nga Beogradi, në të ardhmen udhëtohet me pasaporta të Kosovës.

“Ka iniciativë që të udhëtohet nëpër regjion vetëm me letërnjoftime ose të hiqen edhe të gjitha barrierat dhe pengesat që ekzistojnë nëpër cilindo kufij, sepse ne kemi barrierat që pengojnë lëvizjen e lirë, sidomos me Serbinë. Prandaj, në kudër të marrëveshjes dhe zotimeve që janë arrit në Uashington, kemi edhe zotimin për krijimin e një zone të lirë për lëvizjen e njerëzve, por gjithsesi prej secilit aeroport duke përfshirë edhe nga Beogradi në të ardhmen udhëtohet me pasaporta të Kosovës, që do të thotë se do ta njohin (shtetin e Kosovës)”,thotë Abrashi.

Pas marrëveshjes së nënshkruar në Uashington nga Kosova dhe Serbia më 4 shtator, ditë më parë janë nënshkruar edhe letrat e interesit, për të ndihmuar financimin e ndërtimit të “Autostradës së Paqes”, e cila është njëra ndër pikat e marrëveshjes ekonomike të nënshkruar në Shtëpi të Bardhë.

Ministri Abrashi ka mirëpritur këtë marrëveshje dhe shpreh bindjen se Autostrada e Paqes Besi-Merdare, do të nis së ndërtuari së shpejti, që do të ketë një kosto prej 250 milionë euro.

Për hekurudhën Prishtinë-Nish, Abrashi thotë se nuk përjashtohet mundësia që të ndryshohet traseja.

“Hekurudha është më e komplikuar gjithsesi ne e kemi prezantuar edhe këtë në SHBA, është pjesë e zotimeve dhe marrëveshjes e cila tani është arrit. Për hekurudhën ekziston një fizibilitet më i vjetër, është një fizibilitet që është duke u punuar, ka specifikat e veta, sepse traseja aktuale kalon nëpër Prishtinë dhe Kolovicë. Është një tunel që kërkon të rehabilitohet edhe ka kosto të madhe ai rehabilitim. Besoj që pas ardhjes së ekspertëve nga SHBA-të do të shohim edhe një herë nëse kjo është traseja e duhur, ose të ndryshohet traseja në hyrje dalje të Prishtinës. Besoj që edhe këtë projekt do ta realizojmë në afat rekord”, thekson Abrashi.

Ministri Abrashi ka folur edhe për projektin e hekurudhës me Shqipërinë, që është një projekt strategjik për dalje në Adriarik.

“Në kuadër të marrëveshjes Lidhja e Kosovës përmes hekurudhës me Shqipërinë përbën një nyje dhe një projekt mjaft strategjik për vendin. Kosova fatkeqësisht tani është jashtë nyejve kryesore hekurudhore edhe rrugore trans-evropiane. Me autostradën për Merdare, e cila lidhë korridorin trans-evropian dhe me këtë hekurudhë që synohet me u ndërtua viteve në vijim me portin Adriatik, Kosova bëhet një nyje fuqishme e lidhjeve kryesore për Ballkanin dhe për Evropën Qendrore. Prandaj, shpresojmë që edhe fizibiliteti për të cilin jemi pajtuar do të del i suksesshëm në mënyrë që ky projekt të realizohet”, deklaron ai.

Abrashi ka thënë se në Uashington është biseduar edhe për projekte të tjera infrastrukturore, por edhe për projekte të tjera që gjenerojnë vende të reja të punës në Kosovë.

Në Uashington po ashtu ishte hapur edhe çështja e Brezovicës. Derisa më 4 shtator në Uashington, është prezantuar edhe projekti i autostradës nga Lipjani deri në “Qafë të Dulës”.

Ministri i Infrastrukturës ka thënë se kështu kjo Qeveri synon që në katër pesë vitet e ardhshme Kosova të bëhet nyje strategjike e hekurudhave, e autostradave dhe gazsjellësit që ka me ndihmuar ekonominë e vendit.

Kujtojmë se më 4 shtator, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë nënshkruar 16 pika marrëveshje për normalizim ekonomik në Shtëpinë e Bardhë, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.