Tematike

Në “vijën e parë të frontit” me koronavirusin

Infermierja Arjeta Hoti, si zëvendëse e udhëheqëses në Repartin e emergjencës në spitalin e Bülach-ut, rrëfen për ballafaqimin e saj me koronavirusin 

Shpeshherë gjatë këtyre dy muajve të fundit, në shumë vende të botës, është duartrokitur nga ballkonet e shtëpive apo banesave, për mantelbardhët, si një vlerësim për punën e tyre gjatë pandemisë së Koronavirusit.

Arjeta Hoti, është një infermiere e specializuar për repartet e emergjencës.

Duartrokitjet e banorëve, si përkrahje për punën e tyre në këtë kohë pandemie, i sheh si një gjest shumë inkurajues në veprimtarinë e tyre.

Edhe pse gjenden në vijën e parë të frontit për tu përballur me pandeminë, sipas saj, puna dhe kontributi i tyre nuk duhet vlerësuar vetëm në raste të tilla. Sepse puna e mjekëve dhe infermiereve, mbetet e njëjtë edhe në kushte normale, ku shpesh punohet me orare të zgjatura, apo gjatë festave, e shumë vështirësi të tjera. Prandaj Arjeta, shpreh dëshirën e saj dhe të kolegeve po ashtu, që një vlerësim më i lartë do të duhej të vinte nga Qeveria, me ndonjë vendim për rritje rrogash për këtë sektor të rëndësishëm.

Dhjetë pacientë me koronavirus

Si infermiere e diplomuar, e me një specializim postdiplomik për repartet emergjente, Arjeta, nga viti 2009 ka qenë pjesë e Emergjencës në disa spitale në Rajonin e Cyrihut. Që nga viti i kaluar, në spitalin e Bülach-ut, ajo punon si zëvendëse e udhëheqëses në Repartin e emergjencës, repart ky që numëron 40 infermiere e asistente mjekësore.

Arjeta Hoti

Duke qenë një qendër e madhe spitalore, edhe këtu është trajtuar Pandemia e COVID 19. Spitali ka 200 shtretër, por me rastin e pandemisë këtij numri i ishin shtuar edhe 35 të tjerë, për t`i plotësuar nevojat në rast të përkeqësimit të gjendjes. Deri më tash në këtë spital, 10 persona janë ndalur për trajtim, si pasojë e komplikimeve pas konstatimit se janë pozitiv me koronavirus. Por ka pasur edhe raste të tilla, që edhe pasi kanë rezultuar pozitiv, duke qenë se nuk kanë pasur ndonjë komplikim, janë udhëzuar që të vetizolohen në shtëpi.

Për të shmangur infektimet e mundshme, në këtë qendër ishin vendosur edhe 2 kontejnerë, ku kryheshin kontrollet e para dhe testimet për COVID 19, ku në fillim numri i testeve shkonte deri në 60 në ditë.

Shpresa për kthim në normalitet

Sipas Arjetës, tërë ekipi mjekësor ka qenë vigjilent që nga fillimi rreth përballjes me këtë pandemi. Konform këshillave nga ekspertja për higjienë spitalore, janë marrë edhe masat e duhura për mbrojtje nga ndonjë infektim i mundshëm. Megjithatë veshjet e tyre mbrojtëse kanë qenë të njëjta si në rastet e gripit sezonal.

Përderisa shpreh mirënjohjen e saj për apelin e bërë nga Qeveria zvicerane që Qendrat emergjente të shfrytëzohen vetëm për raste ekstreme, Arjeta dëshiron që ky trend të vazhdojë edhe pas pandemisë, ku mund t`u përkushtohen më shumë rasteve që me të vërtetë janë emergjente.

Punën me ndërrime dhe orare të ndryshme ajo i bën me shumë vullnet. Kështu, Arjeta edhe sonte sikurse mbrëmë ishte në ndërrimin e natës. Përkundër gjithë ngarkesave, shpresonte për një natë të qetë, e duke iu gëzuar vendimit të ri të qeverisë, i cili pritet të lehtësojë masat e marra deri më tash, me çfarë gjithçka pritet t`i kthehet normalitetit.

Rastet me koronavirus

 Deri më tash në këtë spital, 10 persona janë ndalur për trajtim, si pasojë e komplikimeve pas konstatimit se janë pozitiv me koronavirus. Por ka pasur edhe raste të tilla, që edhe pasi kanë rezultuar pozitiv, duke qenë se nuk kanë pasur ndonjë komplikim, janë udhëzuar që të vetizolohen në shtëpi.

Për një vlerësim më të lartë të punës së infermierëve

Puna e mjekëve dhe infermiereve, është e rëndë edhe në kushtet normale. Shpesh punohet me orare të zgjatura, apo gjatë festave, e shumë vështirësi të tjera. Prandaj Arjeta, shpreh dëshirën e saj dhe të kolegeve po ashtu, që një vlerësim më i lartë do të duhej të vinte nga Qeveria, me ndonjë vendim për rritje rrogash për këtë sektor të rëndësishëm.

  • Artikulli është botuar në numrin e fundit të magazinës albinfo.ch dhe është shkruar në fillim të majit të këtij viti.


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI