Kosova

Në vitin 2023 bëhet regjistrimi i popullsisë në Kosovë

Qeveria ka miratuar vendimin për regjistrimin e popullsisë që do të bëhet nga 1 shtatori deri më 17 tetor të vitit të ardhshëm.

Ky vendim u mor në mbledhjen e sotme të qeverisë, ku shefi i ekzekutivit, Albin Kurti, deklaroi se do të ndihmojë në procesin e integrimeve evropiane.

Para kabinetit qeveritar ai ka propozuar vendimin për regjistrimin e popullsisë që do të zgjasë një muaj e gjysmë.

“Regjistrimi do të ndihmojë vendin tonë edhe në procesin e integrimeve evropiane përmes pasqyrimit të saktë të të dhënave demografike e socio-ekonomike. Në lidhje me regjistrimin e popullsisë është e nevojshme të miratojmë datën e fillimit dhe përfundimit të regjistrimit, për planifikim dhe detaje përcjellëse është përgjegjëse ASK, tani në Zyrën e Kryeministrit. Kemi paraparë një afat prej një muaj e gjysmë, prej 1 shtatorit deri më 17 tetor të vitit 2023”, ka njoftuar Kurti.

Regjistrimi i popullsisë ishte planifikuar të bëhet vitin e kaluar, por më pas u shty për dy vjet.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe rregulloren për orarin e punës dhe pushimet e zyrtarëve publikë. Kryeministri Albin Kurti theksoi se kjo projekt-rregullore do të përcaktojë kriteret, procedurat dhe rregullat për përcaktimin e orarit të punës.

“Kjo projekt-rregullore do të përcaktojë kriteret, procedurat dhe rregullat për përcaktimin e orarit të punës të zyrtarëve publikë si dhe mënyrën e shfrytëzimit të së drejtës së pushimit. Projekt-rregullorja gjithashtu përcakton edhe llojet e pushimeve dhe afatet për shfrytëzimin e tyre”, ka thënë Kurti.