Lajme

Në Vjenë festohet 17-të vjetori i Pavarësisë së Kosovës

Vjenë, 14 shkurt 2025 – Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘Aleksandër Moisiu’, në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Austri, organizoi një orë letrare festive me rastin e përvjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Në këtë aktivitet kulturor morën pjesë edhe diplomatë që përfaqësojnë denjësisht Shqipërinë dhe Kosovën në këtë shtet mik.

Në ambientet e Ambasadës së Kosovës në Vjenë, të pranishmit fillimisht i përshëndeti Anton Marku, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’, i cili ndër të tjera theksoi se krijuesit shqiptarë në Austri i bashkëngjiten festimeve në nderim të ditës kur Kosova përfundimisht u vendos në hartën e shteteve të pavarura dhe sovrane të botës. Ata do të vazhdojnë që përmes shkrimeve të tyre të afirmojnë gjuhën dhe identitetin kombëtar edhe në mërgatë. Më pas përshëndetën edhe nikoqiri i takimit, Ambasadori në detyrë i Kosovës në Austri, Albinot Bimbashi, Eglantina Gjermeni, Ambasadore e Shqipërisë në organizatat ndërkombëtare në Vjenë dhe ambasadori i Shqipërisë në Vjenë, Fate Velaj, edhe vet shkrimtar, të cilët nënvizuan të arriturat e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë si dhe marrëdhëniet vëllazërore mes dy shteteve tona në Ballkan dhe raporteve shumë miqësore me Austrinë.

Aktiviteti letrar ishte i ndarë në dy pjesë. Në pjesën e parë, para publikut dolën autorë dhe autore shqiptarë me banim në Austri.

Kështu, Violeta Allmuça lexoi poezitë ‘‘Të kam thënë’’, ‘‘Ikje’’ dhe ‘‘Danubi blu’’, për t’i lënë radhën poetit veteran Zaim Toska, i cili recitoi poezitë ‘‘Refugjati’’ dhe ‘‘Largimi’’. Ai gjithashtu njoftoi për një telegram urimi, i cili i ka arritur Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’ nga SHBA, përkatësisht nga Lobi Shqiptar – dega në Chicago.

Shkrimtarja Angjelina Marku lexoi një fragment të shkurtër nga libri i saj për fëmijë ‘‘Albani nuk flet shqip’’, ndërsa pas saj autorja Ardiana Salihu deklamoi poezitë “Nganjëherë”, “E bardha fletë nate” dhe “Bame u ba”. Ajo prezantoi gjithashtu revistën letrare “G&G”, e cila prej vitesh botohet në Shkodër dhe shpërndahet në gjithë Evropën dhe më gjerë.

 

Në pjesën e dytë të mbrëmjes me lexime nga librat e tyre sëpari u prezantua Gjergj Kola me dramën ‘‘Marie Shllaku’’, vepër kjo e cila shkundë kujtesën tonë historike për figura të njohura shkodrane që pas luftës së dytë botërore dhanë jetën e tyre për lirinë e Kosovës. Gjatë prezantimit të librit të tij më tëri ‘‘Duke pritur ditën e tetë’’ autori Anton Marku, nënvizoi rolin e poezisë si mbretëreshë e letërsi dhe lexoi disa poezi të përzgjedhura nga ky vëllim. Befasi e vantë ishte paraqitja spontane para dashamirëve të artit të pranishëm në këtë mbrëmje e ambasadorit të Shqipërisë në Vjenë, Fate Velaj, autor i pesë romaneve, i cili prezantoi shkurtimisht përmbajtjen e tyre si dhe lexoi disa poezi të shkruara përgjatë udhëtimeve të tij nëpër shtete të ndryshme të botës edhe si piktor dhe fotograf.

 

Kësaj mbrëmjeje artistike të udhëhequr nga prezantuesja Kaltrina Durmishi i dhanë një sharm edhe më kombëtar pikat muzikore të interpretuara me mjeshtri në violinë nga pedagogia e muzikës Erseka Nekaj.

Publiku, si dhe herëve të tjera përgjatë këtyre viteve, mbështeti me entuziazëm këtë manifestim letrar, i cili shpalosi vlerat krijuese nga kultura shqiptare, e cila vazhdon të jetë udhërrëfyes dhe për gjeneratat  e reja të cilat po rriten larg atdheut.

Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’ është themeluar në vitin 2011. Ajo është adresë e parë e krijuesve shqiptarë në Austri dhe pikë referimi për sa i përket letërsisë shqipe në këtë shtet. Duke u imponuar me një qasje serioze dhe kualitet në organizimin e më shumë se 70 orëve letrare dhe promovimeve të librave, ajo ka komunikuar në mënyrë shumë të frytshme me institucionet në nivel kombëtar, si Ministritë e Kulturës, të Arsimit dhe Diasporës, me Ambasadat e Shqipërisë dhe Kosovës në Vjenë, me shoqatat dhe individët e ndryshëm, etj. Ajo po ashtu ka bashkëpunim shume domethënës edhe me organizatat austriake, sidomos me PEN Klubin e Austrisë dhe Lidhjen e Shkrimtarëve të Austrisë.

Tekstin e përpiloi: Anton Marku