Tematike

Nënat dhe etërit e ndarë – të drejtat në raport me fëmijët

Ilir Dalipi, avokat nga Cyrihu jep këshilla për të drejtat e nënave respektivisht të baballarëve me fëmijë, që jetojnë të ndarë

Në një intervistë që revista „Quartier Echo” ka bërë me avokatin e ri shqiptar nga Cyrihu, Ilir Dalipin, është fokusuar në të drejtat e nënave respektivisht të baballarëve me fëmijë, që jetojnë të ndarë. Këtë intervistë, me shkurtime të vogla, po e botojmë sot, me rastin e Ditës nNërkombëtare të Nënës, 8 majit. Një nënë jeton me fëmijën e saj, pa babanë e fëmijës.

Çfarë është „baba” në kuptimin juridik?

Ilir Dalipi: Kur ligji flet për „babanë”, me këtë në radhë të parë ai kupton babanë biologjik të fëmijës. Mirëpo, në rast se një fëmijë është lindur në martesën ekzistuese, supozimi i atësisë vlen edhe për bashkëshortin e nënës, i cili nuk është e thënë të jetë baba, shikuar nga aspekti biologjik. Me këtë kuptohet se babai biologjik nuk është e detyrueshme që të jetë njüekohësisht edhe baba juridik.

Çfarë nënkupton saktësisht njohja e atësisë?

Ilir Dalipi: Në rast se dy prindërit, me rastin e lindjes së fëmijës, nuk janë të martuar, një lidhje juridike fëmija do ta ketë vetëm me nënën. Ndërsa, në rast se babai i fëmijës dëshiron që në raport me fëmijën e tij të ushtrojë të drejta si p.sh. të drejtën e përkujdesjes për fëmijën, ai duhet që së pari të pranojë atësinë e tij ndaj fëmijës. Pranimi ose njohja, është një shprehje vullneti e formalizuar dhe e pakthyeshme, nga ana e babait. Një formë e njohjes, që praktikohet më shpesh, është deklarimi para një zyrtari të gjendjes civile, i cili e certifikon deklarimin e vullnetit.

Përse kjo nuk është e nevojshme të bëhet edhe për fëmijën e lindur në një marrëdhënie martesore? Edhe në rast se fëmija nuk është nxënë nga bashkëshorti?

Ilir Dalipi: Ky rregull i shërben mbrojtjes së fëmijës. Bashkëshorti, nga momenti i lindjes së fëmijës ka detyrime juridike të bazuara në ligj, si prind. Nëse, në një rast të tillë babai biologjik do ta njohë fëmijën e tij, duhet që së pari bashkëshorti, dmth. “ende babai juridik”, të lirojë rrugën. Vetëm pas kësaj, babai i fëmijës mund të ushtrojë njohjen.

Çfarë paraqet ankesa për atësinë?

Ilir Dalipi: Përmes një ankese të atësisë, nëna dhe/ose fëmija mund të kërkojë konstatimin e raportit të fëmijës me babanë. Kjo ankesë mund të ushtrohet vetëm në rast se nuk ekziston një marrëdhënie me një burrë rjetër. Me rastin e një ankese të tillë, nëna dhe/ose fëmija kërkojnë nga gjykata kompetente konstatimin e pozicionit të fëmijës me të atin. Ankesën nëna duhet ta bëjë para mbushjes së një viti nga lindja e fëmijës. Ndërsa vetë fëmija, ka të dejtë të bëjë këtë ankesë deri në ditën kur të kalojë një vit nga fillimi i moshës së pjekurisë, që dmth në momentin kur ai mbush 19 vjet. Raportet juridike familjare i rregullon Kodi civil.

Nga çfarë heq dorë një nënë, në rast se nuk ka ngritur ankesën për atësinë?

Ilir Dalipi: Në një rast të tillë ajo, si përfaqësuese ligjore e fëmijës, heq dorë nga e drejta e fëmijës për për alimentacion, nga e drejta e tij për trashëgimi dhe nga kontaktet e fëmijës me të atin, respektivisht nga afërsia familjare e tij me të atin. Mirëpo, organi i kujdestarisë duhet që urgjentisht të aktivizohet në një rast të tillë. Ligji, me qëllim mbrojtjen e fëmijës, parasheh që fëmijës së gruas së pamartuar – edhe kundër dëshirës së saj si nënë – t`i emërohet një tutor i cili duhet të kujdeset për konstatimin e raportit të fëmijës ndaj babait. Përveç kësaj, nëna do të këshillohet nga tutori lidhur me të gjitha aspektet që lidhen me lindjen e fëmijës (qasja ndaj punëdhënësit dhe sigurimeve, ofertat e kujdestarisë, alimentet, dhënia për adoptim etj.

Por, si shikohet çështja nga këndvështrimi i babait?

Ilir Dalipi: Njohja e atësisë është një instrument i babait, për të realizuar në plotëni gjithë të drejtën e tij ndaj fëmijës. Në këtë kontekst, bashkëshorti i cili nuk është baba biologjik i fëmijës, ka mundësinë që ta kontestojë atësinë e supozuar ligjore. Për ta bërë këtë, ai ka një vit kohë pas bërjes me dije të lindjes së fëmijës dhe pas njohjes se ai nuk është babai biologjik. Mirëpo, ankesa duhet të bëhet para se të kalojnë pesë vite nga lindja e fëmijës. Pas kësaj date, kontestimi mund të bëhet vetëm në rast se ka arsye të rëndësishme për vonesën.

Dhe, si duket perspektiva e fëmijës?

Ilir Dalipi: Përmes të drejtës pozitive, fëmija gëzon mbrojtje shumë të mirë. Në rast të një lindjeje jashtëmartesore, fëmijës detyrimisht do t`i caktohet një tutor, i cili do të kujdeset për nevojat e fëmijës si ankesa për atësinë, alimentacioni etj. Veç kësaj, fëmija ka të drejtën e kontaktit personal me të atin. (B.)