Lajme

16-vjeçarja Greta Thunberg sfidon Kongresin amerikan për klimën

Është e njohur nga e gjithë bota si aktivistja suedeze për çështjet e klimës, ajo është 16 vjeçarja Greta Thunberg e cila ka sfiduar Kongresin amerikan teksa ka folur përpara komisionit special për krizën klimaterike dhe komisionit të punëve të jashtme.

Greta Thunberg, e njohur nga e gjithë bota si aktivistja suedeze për çështjet e klimës, ka sfiduar Kongresin amerikan teksa ka folur përpara komisionit special për krizën klimaterike dhe komisionit të punëve të jashtme.

Edhe dje ajo nuk i kurseu kritikat ndaj ligjvënësve amerikanë, duke inicuar një apel për nevojën për të dëgjuar shkencëtarët dhe për t’u bërë bashkë me ta në reagimin për të shpëtuar planetin.

Fjala e aktivistes suedeze ishte në fakt një apel për legjislatorët amerikanë për të lëvizur nga stagnimi i tyre përballë krizës klimatike.

Një ditë më parë gjatë një takimi me një grup pune të Senatit amerikan, Greta kishte paralajmëruar duke thënë se ‘nuk kemi nevojë për lëvdatat tuaja, nuk duam të jemi të ftuar për të dëgjuar nga ju se sa të zotë jemi, dhe pastaj për të mos bërë asgjë”.

E ardhur në New York me një barkë me vela për të kursyer ndotjen e ambientit prej avionit, Thunberg ka shtrënguar duart e thuajse gjithë botës politike amerikane, mes të tjerash dhe ato të Barak Obama, me të cilin u takua të hënën duke i thënë: Unë dhe ti jemi një skuadër, transmeton Shqiptarja.com.

Me moton “Të Premten për Ardhmërinë”, më shumë se 1 milion aktivistë do të mblidhen në New York për të protestuar me shpresën për të zgjuar botën.

Para një jave Greta Thunberg mori pjesë në një protestë të të rinjve, përpara Shtëpisë së Bardhë.

“Unë jam jashtëzakonisht mirënjohëse për secilin prej jush, jam krenare për të gjithë ju. Ne jemi shumë, shumë më tepër nga sa mendoja në fillim. Ne kurrë nuk do të ndalemi. Le të vazhdojmë të luftojmë”- tha Greta Thunberg me një megafon në dorë.

Kush është Greta Thunberg?

Greta Thunberg, është një nxënëse suedeze që ka frymëzuar një lëvizje ndërkombëtare për të luftuar ndryshimet klimatike, ajo është nominuar si kandidate për të marrë çmimin Nobel për Paqen.

Adoleshentja suedeze, e cila në faqen e saj të Twitter përshkruan veten si “një aktiviste të çështjes së klimës, 16-vjeçarja me sindromën Asperger”, nisi për herë të parë një grevë të shkollës për klimën përpara parlamentit suedez në gusht të vitit të kaluar.

Që atëherë, ajo ka humbur mësimet për të organizuar protestat e saj të rregullta, ajo mori  vëmendje ndërkombëtare pas fjalimit në bisedimet e Klimës së OKB në Poloni në dhjetor dhe në Forumin Ekonomik Botëror në Davos në janar, përcjell albinfo.ch.