Kosova

Nexhmije Pagarusha jetësohet në skulpturë

E para që i dedikohet një artisteje në Kosovë

 

Bëhet e ditur se një ngjarje emocionuese që do të ndodhë së shpejti, do të ndryshojë pamjen e vendlindjes së saj. Nexhmije Pagarusha, e njohur si “Bilbili i Kosovës”, do të jetësohet në një skulpturë të veçantë në vendlindjen e saj, në fshatin Pagarushë të Malishevës, përcjell albinfo.ch.

Thuhet se kjo skulpturë është një frymëzim i artistit të njohur Agon Qosja dhe me aq sa kemi parë nga fotografitë e publikuara nga vetë skulptori, ajo do të jetë një pamje që na kujton kontributin e madh të Nexhmije Pagarushës në muzikën shqiptare.

Nexhmije Pagarusha është një ikonë e muzikës shqiptare, e njohur për zërin e saj të veçantë dhe interpretimet e mrekullueshme në muzikën popullore dhe opera. Kryevepra e saj konsiderohet ”Baresha”, por pa lënë anash edhe këngët si: ”Mora testin”, “Kur më shkon si zog n’hava”, “Ç’u ngrit lulja në mëngjes”, “Dallëndyshe”, këngë këto që publiku vazhdon t’i dëgjojë me shumë nostalgji.

Kjo skulpturë dedikuar Nexhmije Pagarushës pa dyshim do të jetë një ndër veprat më të rëndësishme artistike në Kosovë, veçanërisht në fushën e muzikës. Ky është një hap i madh në promovimin e artit dhe kulturës shqiptare, veçanërisht në një vend ku skulpturat kryesisht janë të dedikuara ndaj burrave të shquar të historisë së Kosovës.

Agon Qosja, skulptori i talentuar i kësaj vepre arti, ka punuar me pasion dhe përkushtim për të krijuar një skulpturë që reflektonë fuqinë dhe pasionin e Nexhmijes për muzikën dhe që përmes saj të mbetet përgjithmonë në kujtesën tonë, shkruan kultplus.

Në vendin e saj të lindjes, kjo skulpturë pa dyshim që do të bëhet një pikë referimi për turistët dhe për vendasit që do të kenë kënaqësinë të shohin këtë pamje të mrekullueshme të një artisteje të madhe.

Njëkohësisht, kjo është një ndër veprat e rralla që i dedikohet kontributit të një gruaje në Kosovë dhe ndoshta një shembull i mirë për rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e kontributit të grave në artin dhe kulturën shqiptare.

Kjo dhuratë e bukur për kulturën shqiptare do të përurohet më datë 21 tetor në Pagarushë, Malishevë.