Lajme

Nis kriza ekonomike në Rusi, falimentimi financiar me rreth 40 miliardë dollarë borxh

Raportohet se Rusia nuk do të jetë në gjendje të paguajë borxhet e jashtme për herë të parë që nga Revolucioni Bolshevik para një shekulli, duke u izoluar më tej nga sistemi financiar ndërkombëtar, pas sanksioneve të perëndimit për shkak të luftës së saj në Ukrainë.

Interesat fillimisht duhet të paguheshin më 27 maj, por dje përfundoi edhe periudha 30 ditore shtesë, që kredimarrësit kanë për të paguar borxhin, para se të shpallin falimentimin.

Duket se Rusia nuk do të jetë në gjendje të arrijë të paguajë kreditorët, pasi asnjë bankë nuk merr përsipër transferimin e pareve të saj, thotë Jay Auslander, avokat i njohur falimentimesh në New York.

Muajin e kaluar Departamenti amerikan i Thesarit i mbylli Rusisë mundësinë për të paguar investitorët e huaj përmes bankave amerikane.

Në përgjigje zyrtarët rusë thanë se do t’i paguanin borxhet me rubla dhe e ofruan një mundësi të tillë. Rusia thotë se i ka paratë për të paguar borxhet, por sanksionet i kanë bllokuar fondet e saj.

Zyrtarët rusë nuk e quajnë këtë falimentim.

“Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian qëllimisht kanë krijuar pengesa artificiale, që Rusia të mos jetë në gjendje të paguajë interesat e borxhit të saj të jashtëm”, tha ministri rus i Financavem Anton Siluanov.

Ana tjetër e argumentit është se “kjo po ndodh për shkak të sanksioneve, por sanksionet janë plotësisht nën kontrollin e Moskës, në se ajo heq dorë nga sulmi ndaj Ukrainës”, thotë avokati Auslander.

Sa është borxhi i Rusisë?

Rusia ka rreth 40 miliardë dollarë borxh në letra me vlerë, gati gjysma e tyre ndaj të huajve. Para fillimit të luftës, Rusia kishte rreth 640 miliardë dollarë në valutë të huaj dhe rezerva ari, shumica e të cilave të depozituara në shtete të tjera dhe tani janë të ngrira si rezultat i sanksioneve.

Rusia nuk ka dështuar të paguajë borxhet e saj ndërkombëtare, që nga Revolucioni Bolshevik, kur Perandoria Ruse u shemb dhe u krijua Bashkimi Sovjetik. Rusia dështoi me borxhet e saj të brendshme në fund të viteve 1990, por ishte në gjendje të rimëkëmbej pas ndihmave ndërkombëtare.

Praktikisht, Rusia ka muaj që në sytë e investitorëve të letrave me vlerë ka dështuar të paguajë, thotë Liam Peach, ekonomist i specializuar për tregjet evropiane në zhvillim te organizata Capital Economics.

Kompanitë e sigurimit që mbulojnë borxhin rus, prej disa javësh kanë paralajmëruar se rreziku i mos pagimit të borxhit arrinte deri në 80%, ndërsa agjencitë e vlerësimit si Standard & Poor dhe Moody e kanë vendosur borxhin rus në nivelin e letrave me vlerë me rrezikshmëri të lartë.

Si bëhet përcaktimi i falimentimit të një vendi?

Agjencitë e vlerësimit janë ato që përcaktojnë falimentim, por ato tashmë e kanë ndaluar vlerësimin e Rusisë. Gjykatat po ashtu mund të shpallin falimentimin e një vendi. Mbajtësit e letrave me vlerë, ose kompanitë që i sigurojnë ato, mund t’i kërkojnë një komiteti përfaqësuesish të firmave financiare, që të vendosin nëse është fjala për vonesë pagimi dhe të kërkojnë kryerjen e tij, megjithatë kjo ende nuk trajtohet si deklaratë formale e falimentimit.

Komiteti i Përcaktimit të Derivateve të Kredisë, një grup industrie bankash dhe fondesh investimi mund të jetë njëri prej atyre, që bëjnë vlerësime të tilla duke paralajmëruar për një “incident kredie”.

Paneli vendosi më 7 qershor se Rusia dështoi të paguante interesin shtesë për një pagesë të bërë me vonesë, afati i së cilës ishte më 4 prill. Por, komiteti shtyu marrjen e veprimeve të mëtejshme për shkak të pasigurisë se si sanksionet mund të ndikonin në arritjen e ndonjë zgjidhjeje.