Kosova

NISMA e AAK përkrahin LDK-në për të thirrur mocion ndaj Qeverisë

Kryetarët e këtyre dy partive janë takuar sot me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, për të diskutuar mbi këtë çështje.

Kryetari i Nismas, Fatmir Limaj, ka thënë se e përkrahin iniciativën e LDK-së për t’i thirrur mocion Qeverisë. Në përkrahje të këtij mocioni ka dalë edhe AAK, në krye me Ramush Haradinaj, shkruan albinfo.ch.

Ai ka thënë se shumë shpejt ky mocion duhet të shkojë në Kuvendin e Kosovës,

“Mocioni në raste të tilla ka një rrugë të shpejtë të aktivizimit. Sot kemi biseduar për mocionin, për zhvillimet deri te ky mocion. Ai [Mustafa] më njoftoi për të gjitha telashet që kanë çuar deri te ndërmarrja e një akti të tillë”.

“Për hapat e tjerë do të ulemi dhe do të bisedojmë. Duhet t’i respektojmë ligjet. Konkludimi është se vendi është në vakuum institucional, duhet të ketë institucione stabile për t’iu përgjigjur situatës”, ka thënë Limaj pas takimit.

“Vendimi politik është marrë, tash duhet të formatizohet në Parlament dhe duhet të bëhet sa më shpejt. Nga dita e parë kemi thënë se ky koalicion nuk do të mbijetojë, por nuk kemi besuar se do të bie kaq shpejt”.

Limaj nuk është përgjigjur nëse janë për t’u bashkuar në një Qeveri teknike, por që ka thënë pas thirrjes së mocionit nuk është e domosdoshme që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

Kurse Ramush Haradinaj ka thë se sot  takoi ish-kryeministrin dhe Kryetarin e LDK-së, z. Isa Mustafa, për të diskutuar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.

Kjo është deklarata e plotë e Haradinaj:

E informova z. Mustafa se AAK do të votojë për këtë mocion, sepse Qeveria Kurti jo vetëm që do të jetë Qeveria më jetëshkurtër, por edhe më e dëmshmja për Kosovën. AAK përkrah një zgjidhje të shpejtë pas rrëzimit të Qeverisë përbrenda institucioneve të vendit.

Më poshtë gjeni qëndrimin e AAK-së në lidhje me votimin e mocionit të mosbesimit:

Pas deklarimit të LDK-së që do të propozojnë mocion të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti gjatë ditëve në vijim, janë mbledhur argumentet valide që ky mocion të jetë i suksesshëm.

Neni 100 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës rregullon mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë. Konsiderohet se mocioni i mosbesimit është pranuar, nëse për të kanë votuar shumica e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Argumentet më të qëndrueshme janë si në vijim:
• Kjo Qeveri prej fillimit ka qenë Qeveri e Mashtrimit, ka mashtruar partnerët me gënjeshtra por edhe ka mashtruar me Buxhet. Kjo Qeveri nuk do të mbahet në mend vetëm si Qeveria më jetëshkurtër por edhe si Qeveria më e keqe në historinë e Kosovës.
• Kjo Qeveri e bëri fakt të kryer heqjen e taksës duke i ndihmuar Serbisë dhe Rusisë e duke i prishur marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
• Kjo Qeveri edhe në kohë krize në situatën emergjente të COVID-19 ka përçarë dhe ka keqmenaxhuar. Qasja e qeverisë është përçarëse ndaj popullit, partive, por edhe marrëdhënieve tona me partnerët ndërkombëtarë si ShBA.
• Kjo Qeveri me sjelljet e papranueshme ka rrezikuar dhe humbur Fondet e mbi 200 milionë dollarëve nga Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC) të ShBA-ve dhe investimin më të madh të huaj prej 1.3 miliardë eurove me Contour Global.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të votojë për mocionin e mosbesimit dhe e përkrah një zgjidhje të shpejtë pas rënies së kësaj qeverie.