Shqiperia

Një platformë online për turizmin në trojet shqiptare

Ajo, në fakt, është platforma e vetme online “Triptoalbania.al” e lansuar të dielën, në të gjenden informacione rreth pikave turistike në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe në të gjitha trevat shqipfolëse, përcjell albinfo.ch.

Thekoshet se në prezantimin e kësaj platforme morën pjesë aktorë të rëndësishëm të këtij sektori, ndër to edhe Ministri i Turizmit dhe Mjedisit në Shqipëri, Blendi Klosi, Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, Ambasadori në detyrë i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani si dhe operatorë të suksesshëm turistikë.

Klosi ka thënë se pasuria turistike shqiptare duhet të vitalizohet.

“Duhet të shoqërohemi që të vizitojmë detin, por duhet të vizitojmë edhe bukuritë e bjeshkëve. Të vizitojmë bukuritë e Durrësit e të Vlorës, por operatorët turistikë duhet të shikojnë edhe Prizrenin dhe Prishtinën si një opsion, sepse lidhja është më e thjeshtë. Mundësitë i kemi shumë më të kollajshme dhe mundësitë i kemi shumë më të mëdha që të bëjmë një turizëm mbarëshqiptar”.

“Kjo është pasuri e madhe kombëtare. Kemi turizëm në të dy anët e bjeshkëve dhe kjo besoj është në përgjegjësinë tonë, administratorëve publikë të flasim dhe të promovojmë turizmin shqiptar“.

Nga ana tjetër, Minxhozi shprehu mirënjohje për krijuesin e kësaj platforme.

“Unë kam shumë bindje se në ballë të turizmit të Shqipërisë do të qëndrojë Kosova. Uroj që në Shqipëri të bëhet edhe më tepër një jehonë sa më e madhe edhe për turizmin malor të Kosovës, jashtë mase i lakueshëm”.

Hasani ka thënë se shpreson që turizmi në të dy vendet shqipfolëse të rritet, pasi të dy vendet i kanë potencialet e veta turistike.

“Kosova e ka malin, Shqipëria e ka detin, prandaj që të dy vendet ofrojnë shumë për vizitorët dhe pushuesit në çfarë do stine të vitit“.

Ndërsa Azem Bujupi, Drejtor Ekzekutiv dhe ideator i “Triptoalbania.al”, ka treguar rreth idesë së tij për krijimin e platformës.