Kultura

Një “Skënderbe” që i flet të sotmes

Të shtunën që shkoi, në Glattbrugg të Cyrihut u dha shfaqja e poemës dramatike “Skënderbeu”, realizim i Teatrit Shqiptar në SHBA, me autor dhe regjisor Xhevat Limanin

Të vesh në skenë një njeri të veprimit, siç ka qenë Skënderbeu, në një shfaqje që nuk ka veprim as konflikt të hapur, duhet të jetë gjë e mundimshme për regjisorin. Por “Skënderbeu”, poema dramatike e inskenuar nga Xhevat Limani, veprimin e munguar fizik e kompenson me dramacitetin e brendshëm. Ai shpërthen nga monologjet e Skënderbeut të interpretuara nga Xhevat Limani dhe plotësohet me rrëfimet e narratores (Merita Çoçoli) si dhe me ariet e kënduara nga Era Hoxha.

Poemën dramatike “Skënderbeu”, të shtunën e kaluar ka pasur rastin ta shohë një publik i vogël në Glatbrugg të Cyrihut, në ambientet e restzorantit “Villa Miami”. Në një skenografi të kursyer, me një fron mbretëror dhe me stemat e shtatë principatave shqiptare, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, që po jetonte ditët e tij të fundit, shtjellon dramën e tij dhe të popullit të cilin e udhëhoqi për 25 vjet. Xhevat Limani me pamjen dhe sidomos me zërin e tij kumbues arrin ta mbushë skenën, edhe kur asaj i mungonte veprimi konkret dramatik. Monologjet e tij të gjata me shtjellime politike e etike, të mbështetura në faktografinë historike që kryesisht e njohim, nganjëherë rrëshqasin në patetizëm por është sërish figura dhe zëri i Limanit që i shpëtojnë ato nga ky rrezik. Veç kësaj, edhe intermecot me narratoren dhe Donikën me arie muzikore, i japin shfaqjes barazpeshën e duhur, që ajo të qëndrojë në këmbë.

Pas përfundimit të shfaqjes, autori i saj, Xhevat Limani, paksa i mërzitur nga prania e vogël e publikut, flet për përvojën e tij të ngritjes së një teatri në mërgim.

“Jam themelues i `Teatrit Shqiptar` në Amerikë, që vepron në Nju Jork, nga viti 2004. Shfaqja që patë sonte është premiera e shtatë e realizuar nga ky teatër. Të gjitha shfaqjet janë nga dramaturgjia kombëtare. Kemi dhënë deri më tash rreth 220 repriza. Kam bërë shfaqjen “Anatema”, me temë golgotën e Kosovës, pastaj shfaqjen “Muri i lotëve” që flet mbi masakrën që kanë përjetuar prespanët. Më tutje, komedinë “Vëllazëri e interes” të Kristo Floçit. Kam vënë po ashtu në skenë një dramë me motive nga Masakra e Tivarit dhe nga lufta e Shaban Polluzhës, pastaj dramën për Adem Jasharin dhe së fundi, vitin e kaluar, në 100 vjetorin e shtetit shqiptar, kam realizuar poemën dramatike “Skënderbeu”, i radhit Limani shfaqjet e realizuara deri më tash.

Ai thotë më tutje se ky teatër funksionon me projekte dhe nuk ka një trupë, sallë ose skenë të përhershme. “Kemi fituar disa fondacione nga shteti amerikan dhe një pjesë të mjeteve e ofrojnë edhe bashkatdhetarët. Pastaj unë realizoj shfaqje që nuk kushtojnë shumë financiarisht, marr sallat me qira ndërsa aktorët i angazhoj me projekte. Kam një përvojë jo të mirë me aktorët tanë, që nga koha kur kam punuar në Shkup. Ata, nëse marrin rrogë si të rregullt, nuk kanë motiv që të punojnë. Kështu, ata paguhen nga unë për ato shfaqje ku luajnë”, thekson Limani.

Megjithë faktin se teatri nuk është ndonjë veprimtari fitimprurëse, Xhevat Limani pohon se ende ia del që të jetojë duke u marrë vetëm me teatër. “Më parë kam qenë pedagog edhe në Tiranë, Prishtinë e Tetovë. Ndërsa tash, përveç realizimit të shfaqjeve, herë pas here jap ligjërata si bashkëpunëtor i jashtëm në “The Lee Strasberg Theatre Institute“, thotë ai.

Pak muaj më parë, bashkëbiseduesi ynë ka mbaruar një dokumentar prej katër serishë për shqiptarët e Amerikës dhe për luftën e Kosovës. “Kam punuar afër 5 vjet në këtë projekt, për të cilin kam marrë edhe një fondacion nga Pentagoni. Pjesë e filmit janë personalitete amerikane që janë të lidhur me luftën e Kosovës, si: Albright, Clark, Walker, përfaqësues të departmanetit të shtetit etj.”

Ndërsa për realizimin e shfaqjes së fundit, “Skënderbeu” ai thotë se ka huazuar fragmente nga Barleti e Fan Noli, por “strukturën dramatike, konceptin, e kam bërë vetë, duke dashur të bëj një qasje të re, për ta bërë teatrin më praktik, që ai të shkojë te publiku”, thotë aktori me përvojë mbi 30 vjeçare në Teatrin Shqiptar të Shkupit.

Realizimi i një drame për Skënderbeun, Xhevat Limanit i ka lindur si ide kur ka vizituar akademinë e njohur ushtarake amerikane “West Point”. “Aty mësova se studentët e studiojnë strategjinë e Skënderbeut për gjashtë muaj si lëndë”, thotë Limani, i cili mendon se Gjergji ka ende mjaft çfarë t`i thotë kohës sonë.

Me këtë shfaqje, tri premiera të të cilës i ka dhënë në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup, ai ka nisur një turne, fillimisht në SHBA e pastaj në Zvicër, Austri, Gjermani e më vonë do të shkojë edhe në Kalabri e Sicili.

Blerim Shabani