Lajme

Një tjetër kosovar bën propagandë për Iranin

Policia e Kosovës ka arrestuar dje Ikballe Berisha- Hudutin, nën dyshimin për lidhjet e saj me Iranin dhe thirrjet që kishte bërë ajo për hakmarrje ndaj Amerikës pas vrasjes së gjeneralit famëkeq Kasem Sulejmani.

Por, si duket Huduti nuk është e vetmja në Kosovë që po bën një propagandë për Iranin. Është edhe një shqiptar tjetër nga Kosova, i cili po bënë një propagandë të tillë përmes rrjetit social Facebook, kundër Amerikës, shkruan indeksonline, përcjell albinfo.ch.

Bëhet fjalë për Bujar Rogovën, i cili është nga Gjakova e që i përket sektit shiia. Ai vazhdimisht shpërndan nëpër rrjete sociale thirrje kundër Amerikës, por edhe kundër sektit tjetër mysliman sunit.

Bujar Rogova, me epitetin Kerim, që nga vrasja e gjeneralit Kasem Sylejmani nga SHBA-ja e ka vendosur në profilin e tij foton e gjeneralit iranian.

Ai ka shpërndarë edhe një videomaterial, ku shihet se si do të sulmohet me raketa eskorta e presidentit të SHBA-së Donald Trump. Gjithashtu ai shpërndan me dhjetëra postime në Facebook kundër Amerikës dhe në mbështetje të Iranit, madje ai kishte shpërndarë edhe postimet  e Ikballe Berisha- Huduti, ku kishte bërë thirrje për hakmarrje ndaj SHBA-së, e ku për shkak të këtyre postimeve ajo dje u arrestua nga Policia e Kosovës.