Integrimi

Një yll Michelin dhe 17 pikë për restorantin e Agron Lleshit

Shqiptari që  u gatuan zviceranëve ushqimet që i hahen atij, është vlerësuar së fundmi nga Gault-Millau me 17 pikë dhe një yll Michelin

Agroni Lleshi është kuzhinieri i parë shqiptar në Zvicër që është vlerësuar për punën e tij me 17 pikë nga Gault-Millau. Ai është kuzhineri i vetëm shqiptar në Zvicër që ka fituar një yll Michelin. Në resorantin e tij, në St. Gallen, mund të hash peshkun më të mirë të rajonit, mishin e pastat më të mira. Risoto është specialiteti i tij. Kurse nëna e tij përgatit bukët më të mira në qytet. Por kur musafirët i kërkojnë t’i përgatisë një surprizë, ai ju përgatit vetëm ato ushqime që i hahen atij. Madje edhe speca të mbushur me mish e oriz kanë shkuar “flakë”, tregon ai.

 

Në prag të festave të fundvitit, Albinfo.ch sjell një intervistë, ku ai flet për sekretet e kuzhinës së tij; për kripën, piperin e sheqerin, të cilat përbëjnë tri komponentët kryesore të restorantit të tij.

Restoranti “Jägerhof” është një shtëpi e vjetër nga jashtë, por brenda ka një ambient të rregulluar me kujdes e me shumë ngrohtësi. Kuzhina nuk dallon nga ato të zakonshmet por pjatat e enët tjera shoqëruese janë një unikat i shtrenjtë porcelani që nuk i ka askush tjetër.

Agroni me të ëmën

Albinfo.ch: Ju jeni sigurisht kuzhinieri më i mirë shqiptar në Zvicër. Çfarë do të thotë për ju të jesh kuzhinieri më i vlerësuar shqiptar në Zvicër?

Agron Lleshi: E di që nuk ka shumë kuzhinierë shqiptarë në Zvicër dhe të jem prej atyre të vlerësuarve më pëlqen shumë, se Jägerhof ka pas një emër të veçantë në St. Gallen edhe para se ta merrja unë drejtimin e tij. Kjo më pëlqen edhe më shumë sepse kam arritur t’i kthej 17 pikët që kemi pasur dhe yllin Michelin gjithashtu.

Albinfo.ch: A jeni ju Renè Rexhepi i Zvicrës?

Agron Lleshi: Këtë nuk e di (qeshet), por besoj që po.

Albinfo.ch: Qyteti i Sankt Gallenit dhe ky rajon në pergjithesi i Zvicrës lindore, ka shumë restorante të njohura, si ia keni dalë ju te fitoni yllin Michelin dhe të shpalleni kuzhinieri më i mirë e ti merrni 17 pikë nga Gault-Millau kur dihet që konkurrenca është e madhe?

Agron Lleshi: Ne e kemi restorantin gjashtë ditë të javës hapur. Në ato gjashtë ditë unë nuk largohem asnjëherë, gjithnjë jam këtu në restorant. Kujdesem vazhdimisht që cilësia të jetë gjithmonë e mirë dhe jemi vazhdimisht në kërkim të ideve të reja e të mira. Në anën tjetër është e qartë që konkurrenca është e madhe dhe nuk flen, por për momentin në St. Gallen s’kemi konkurrencë. Jemi të vetmit që i kemi 17 pikë. 17 nuk i ka askush, as 16 jo.

Bukët e “Mama Lleshit”

Albinfo.ch: Ka shumë bashkatdhetarë që janë pronarë të suksesshëm restorantesh, kryesisht me emra e flamuj italianë këtu në Zvicër, por shumë pak restorante zvicerane dhe shumë pak të këtij niveli të lartë. A e keni pasur veshtirë të depërtoni si Agron?

Agron Lleshi: Që të jem i sinqertë, nuk e kam pasur lehtë. Unë kam qenë 29 vjeç kur e kam marrë Jägerhofin. Ky restorant ka qenë gjithnjë adresa numër një e qytetit për ushqime të mira. Ish-shefja ime, Vreni Giger, e ka pasur Jägerhofin dhe ka qenë gjithnjë më e vlerësuara. Në vitin e parë s’kam pasur fare notë dhe normalisht që nuk ka qenë lehtë se unë isha ri, kosovar dhe viti i parë ka vazhduar, ashtu pa ndryshime, se kemi pasur shumë klientë të njejtë që më kanë njohur se isha shef i kuzhinës. Por pasi kam marrë 15 pikë, një vit më vonë, ka filluar të rritet numri i klientëve. Kur u vlerësova një vit më pas me 16 pikë, atëherë numri i klientëve u rritedhe më shumë. Dhe kur u vlerësova me 17 pikë vitin e kaluar dhe me yllin Michelin, atëherë ka nisur puna me të madhe. Sivjet është rikonformuar vlerësimi me 17 pikë dhe kjo është pritur shumë mirë duke më vlerësuar në titullin e njoftimit që kanë lëshuar Gaullt- Millau si gastronimin më të dashur në St. Gallen. Synimi im ka qenë gjithnjë t’i kemi 17 pikë të mira me vlerësim maksimal dhe të qëndroj tek 17 pikët.

Albinfo.ch: Çfarë lloj mysafirësh keni?

Agron Lleshi: Ne i kemi zbritur edhe çmimet dhe me këtë dëshira ime ka qenë të fitojmë edhe klientë të rinj, sepse zakonisht i kemi klientët më të moshuar. Shumica janë firma, banka me dreka pune. Po ashtu kemi shumë edhe shërbyes civil e njerëz të jetës politike në institucionet e St. Gallenit.

Albinfo.ch: Cili është sekreti i kuzhines tuaj, çfarë bëni ju ndryshe?

Agron Lleshi: Ne megjithëse kemi vlerësime të larta, kuzhinën e kemi shumë të thjeshtë. Kripa, piperi dhe pak sheqer janë tri komponentet tona që ne përdorim në kuzhinën tonë. Tjetra pastaj, është një lloj arti, një lloj fantazie që unë përdor gjatë përgatitjes së menysë.

Albinfo.ch: Cili është specialiteti që ju parapëlqeni dhe ua propozoni klientëve?

Agron Lleshi: Janë shumë lloje, por nëse bazohem edhe në mediet që kanë shkruar për mua, atëherë risoton e përgatis shumë mirë. Pastaj shquhemi për pasta. Për pjekjen dhe pergatitjen e peshkut. Por pjesa dërmuese kërkojnë meny surprizuese dhe aty unë ju përgatis gjithmonë atë që do e haja për vete.

Albinfo.ch: Domethënë risoto…

Agron Lleshi: (qeshet)po, risoto, por edhe peshk, mish ose një pjatë vegjetariane

Albinfo.ch: A keni ndonjë specialitet që bartë emrin e vendit nga ju vini, Kosovës?

Agron Lleshi: Mua personalisht më pëlqen edhe kuzhina shqiptare dhe një recept i nënës sime që e përgatit mirë. Speca turshi, të mbushur me mish dhe oriz. Ekstrem më pëlqejnë dhe i kemi pasur njëherë meny dreke këtu. Krejt e porositën atë dhe specat i kanë pëlqyer më së shumti. Nëna ime ka punuar edhe përpara në Jägerhof dhe ajo i gatuan 12 lloje të bukëve për mysafirët. Sa herë i servojmë bukët në fillim, ju tregojmë musafirëve që këto janë bukë të përgatitura nga mama Lleshi. Këto bukë pëlqehen shumë dhe flitet se bukët më të mira në qytet, janë nga mama Lleshi.

Biografia

Agron Lleshi ka emigruar nga Gjakova në Zvicër kur ishte 11 vjeç. Për të ishte e qartë që herët që ai dëshironte të bëhej kuzhinier. Ai u frymëzua nga kuzhina e nënës së tij, e cila ende gatuan bukë në Jägerhof dhe ato njihen si bukët më të mira të qytetit. Zanatin e kuzhinierit e ka mësuar nga kuzhinierja e njohur, Vreni Giger. Pas shkollimit fillor, ai thjesht, ka hyrë në restorantin e njohur Jägerhof në St. Gallen dhe ka pyetur drejt shefen nëse ai mund të bënte zanatin e gatimit tek ajo. Giger i kishte premtuar dikujt tjetër këtë vend, por ajo i tha atij se nëse tjetri nuk do të paraqitej brenda një jave, ai mund të fillonte. Kështu ndodhi dhe Lleshi pas tre vjetësh, në vitin 2005 përfundoi shkollën e gastronomisë. Më pas punoi për shtatë vjet si kryekuzhinier dhe i qëndroi besnik “Jägerhof-it”. Mbi të gjitha, ai mësoi mjeshtërinë e teknikave të gatimit dhe përzgjedhjen e produkteve të freskëta organike nga rajoni prej shefes së tij,  Vreni Giger. Kur Vreni Giger u transferua në Cyrih në vjeshtë 2016 me 17 pikët e saj Gault Millau, Lleshi mori përsipër “Jägerhof-in”. Brenda një kohe të shkurtër ai ka arritur ti kthejë 17 pikët e Gault Millau në “Jägerhof” dhe t’i vendos kuzhinës së tij edhe një yll të Michelinit.

Yjet Michelin, kuptimi i tyre

Një nga çmimet më të rëndësishme për restorantet dhe hotelet, janë yjet Michelin.

Maksimumi i yjeve që mund të marrë një kuzhinier, përkatësisht restorant, është tre yje.

Tre yje: Mund t’i marrë vetëm një kuzhinë unike. Ata janë nënshkrimi i një kuzhinieri të madh! Produkte të klasit të parë, aroma të pastra dhe intensive, përbërje harmonike: Këtu gatimi bëhet një art.

Dy yje: Jepen për një kuzhinë të jashtëzakonshme. Produkte të jashtëzakonshme, të organizuara në mënyrë perfekte nga një kuzhinier i talentuar dhe ekipi i tij me shumë njohuri, frymëzim e gatime delikate.

Një yll: Nënkupton një kuzhinë plot finesë. Produkte me cilësi të zgjedhur, finesë e pagabueshme në pjatë, shije precize, një nivel i lartë i vazhdueshëm i përgatitjes.

Në Zvicër ka vetëm tre kuzhinerë, përkatësisht tre restorante me tre yje, dhe 24 me dy yje. Kurse me një yll ka 81 restorante. Me 19 pikë ka nëntë, me 18 pikë ka 23 dhe me 17 pikë ka 33. Të tjerët janë me 16 e më pak pikë.

 

Kuptimi i pikave

Nëse një restorant nuk merr më shumë se dhjetë pikë, kjo konsiderohet e pakënaqshme. Restorantet me vlerësimet më të larta apo thënë në gjuhën sportive, liga e kampionëve, fillon me 13 dhe përfundon me 20 pikë.

Marrja e 13 deri në 14 pikë nënkupton kuzhinë shumë të mirë. Me 15 dhe 16 pikë, ju dhe restoranti juaj vlerësoheni për cilësi të lartë dhe kreativitet. Kurse 17 e 18 pikë nënkuptojnë përgatitjen më të mirë të mundshme dhe kreativitetin maksimal. Ndërkaq “Non plus ultra” 19 e 20 pikë i jepen një restoranti për kuzhinën “më të mirë në botë”.

 

 

 

 

 

 


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI