E-Diaspora

No-Billag: Një Jo është e rëndësishme edhe për migrantët

SRG i siguron popullatës informacione, kulturë, sport dhe argëtim. Pa pagesën e taksës, as ky mandat nuk mund të përmbushet më. Një treg thjesht privat medial çon në përqendrim dhe monopol. Ai shkatërron në këtë mënyrë themelet e demokracisë së drejtpërdrejtë: informacionin e pavarur dhe të larmishëm në të gjitha pjesët e vendit. Për këtë arsye, një Jo është e rëndësishme edhe për migrantet dhe migrantët

Unë paguaj premitë e sigurimit shëndetësor edhe pse nuk sëmurem asnjëherë. Unë paguaj tatimet e mia edhe për projektet e rrugëve, përkundër faktit se nuk kam veturë. Unë paguaj në AHV (sigurimi i moshës dhe trashëgimisë) shuma dukshëm më të larta se sa që do të mund t`i gëzoja ndonjëherë. Unë nuk kam televizor dhe paguaj megjithatë taksat e televizionit. Përse e gjithë kjo është megjithatë në rregull? Për shkakun se mbështetet në idenë e solidaritetit. Për një sigurim të mirë bazë nevojitet një kontribut nga të gjithë, edhe nëse jo të gjithë e shfrytëzojnë në mënyrë të barabartë këtë sigurim.

Iniciativa No-Billag kërkon që të hiqen taksat e Korporatës Zvicerane të Radiotelevizionit (SRG). Në rast të miratimit të iniciativës No-Billag, Qeveria Federale nuk do të ketë të drejtë as të kërkojë taksa për stacionet radiotelevizive dhe as t`i mbështesë ato financiarisht. Kjo do të ishte jo vetëm fundi i SRG-së në formën e tanishme, por qeverisë së vendit po ashtu do t`i lidheshin duart për çfarëdo politike mediale.

Nga viti 2019 çdo ekonomi familjare do të paguajë nga një frangë në ditë në emër të taksave të përmendura (365 franga në vit). Një frangë në ditë për një diversitet medial është diçka kruciale në një demokraci. Kjo për faktin se SRG i siguron popullatës informacione, kulturë, sport dhe argëtim. Pa taksat e emetimit nuk do të jetë e mundur të përmbushet më as kjo detyrë. Shumë programe, në Zvicrën e vogël për nga hapësira, me katër gjuhët e saj vendore dhe regjionet periferike, nuk mund të financohen vetëm përmes reklamave dhe sponsorimit, për faktin se kemi të bëjmë me një treg shumë të vogël. Kjo sepse një treg thjesht privat medial çon drejt koncentrimit dhe monopoleve. Ai shkatërron në këtë mënyrë themelet e demokracisë së drejtpërdrejtë: informimin e pavarur dhe të larmishëm në të gjitha pjesët e vendit.

Pa programet e radios dhe televizionit që mbështeten në ligj, të cilat i trajtojnë në mënyrë të barabartë partitë dhe shoqatat, një demokraci si Zvicra nuk mund të funksionojë. Ky mandat i shërbimit publik për të prezantuar diversitetin e mendimeve në Zvicër në mënyrë të barazpeshuar, nuk guxon të fshihet nga kushtetuta. Kjo barazpeshë në raportimin medial është pikërisht për migrantët shume e rëndësishme.

Vetëm një Jo për No-Billag-un mund të pengojë që të shkatërrohet SRG me mijëra vende pune. Vetën një Jo do të shpëtojë 21 radiot lokale dhe 13 emetuesit regjionalë televizivë, të cilët po ashtu janë të varur nga taksat e Billag-ut. Për të gjitha këto arsye është e rëndësishme që më 4 mars të tregohemi solidarë dhe t`i  themi Jo  reduktimit të këtij shërbimi themelor.

 * Autorja është deputete kantonale në Kantonin e Lucernit, kryetare e Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate (SP)

(* Ky është një opinion i autores dhe si i tillë nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimin e redaksisë së albinfo.ch)