Sport

NZZ: “Dikur pastroheshin në lumë, tani presin kualifikimin për Evropian”

As që bëhej fjalë për tribuna, nyje sanitare ose dushe, percjell albinfo.ch. Fotot tashmë legjendare tregojnë se si lojtarët, pas mbarimit të një ndeshjeje, pastroheshin në një lumë të afërm

Në prag të dy ndeshjeve kualifikuese me rëndësi vendimtare për  pjesëmarrjen e Kosovës në Evropianin 2020, mediat në gjuhën gjermane dhe të tjera janë fokusuar në “mrekullinë futbollistike” që po ndodh në vendin më të ri të Evropës, në Kosovë.

Një artikull të gjatë lidhur me këtë ka publikuar në botimin e sotëm gazeta më prestigjioze në Zvicër, Neue Zürcher Zeitung (NZZ), të cilin albinfo.ch e sjell me shkurtime.

NZZ shkrimin e fillon me sekretarin aktual të përgjithshëm të Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihun, ish futbollist i suksesshëm i Kosovës.

“Eroll Salihu kishte shënuar në vitin 1991 golin e parë në ligën kosovare. Ai angazhohet për ngritjen e futbollit në vendin e tij dhe ka plane që shkojnë shumë përtej ndeshjeve të pritshme kundër Anglisë dhe Çekisë”, tranmseton albinfo.ch. Salihu tani ndodhet para një detyre që duket e pamundshme të realizohet: duhet të plotësojë kërkesat e më shumë se 250 mediave ndërkombëtare që presin të akreditohen për ndeshjen kualifikuese kundër Anglisë. Dhe këtë fluks kërkesash duhet ta përshtasë me hapësirën prej vetëm 100 vendeve që kanë tribunat për media në stadium.

Nga ana tjetër, të gjithë telefonojnë duke kërkuar një biletë. “Në ndeshjen e fundit kishim 130 mijë kërkesa”. Ndërsa stadiumi “Fadil Vokrri” ka vetëm 13.000 vende. “10 këresa për një vend. Një entuziazëm i tillë për futboll ekziston vetëm n¨Ksoovë”, thotë Salihu.

Futbolli kosovar ka gjetur veten në Evropë. Fitoret kundër Bullgarisë dhe Çekisë si dhe rezultati spaktakular 3:5 ndaj Anglisë kanë sjellë tashmë kualifikimin“mbi tavolinë”. Kosova nuk është më xhuxh i futbollit, siç kishte thënë një vit më parë Rummenigge, shefi i Bajernit, shkruan gazeta.

Më tutje NZZ merret me historinë e rëndë të futbollit kosovar në periudhën e apartheidit. “Por rruga deri këtu ka qenë e vështirë. Pothuajse askush nuk e di këtë më mirë se Eroll Salihu. Ai ka luajtur në vitin 1991 me klubin më të rëndësishëm të vendit, KF Prishtina, në ligën më të lartë të ish Jugosllavisë.

“Por pastaj nuk ecte më. Jugosllavia ishte duke rënë. Të gjithë mendonin se lufta do të fillonte këtu, në Kosovë”, kujton Salihu. Por ndodhi ndryshe…

Edhe në futboll shenjat u bënë shpejt të dukshme. Salihu kishte refuzuar si njëri ndër të parët të vazhdonte të luante në ligën jugosllave, transmeton albinfo.ch. “Ne themeluam një ligë tonën, atë kosovare. Unë kam shënuar më 13 shtator 1991 golin e parë në këtë ligë. Ka qenë një moment historik”, thotë ai.

Në atë kohë dhe në ato kushte, siç thotë Lulzim Berisha, kreu i tifozëve dardanë, janë grumbulluar deri në 10.000 shikues për t`i parë ndeshjet, shumë më tepër se që ndodh tani, në kushte dukshëm më tüë mira.

Edhe Berisha kishte luajtur futboll në vitet 90` në ligën alternative të Kosovës. Ai tregon fotografitë dhe trofetë nga ajo kohë. Kishte vazhduar të luante derisa në vitin 1998 ishte inkuadruar në radhët e UÇK-së.

Ai tregon se në çfarë kushtesh është luajtur atëbotë dhe çfarë rreziku nga policia serbe merrnin mbi vete ata që luanin dhe organizonin futbollin.

“Stadiumet e rregullta ishin komplet në duar të serbëve. Prandaj ne na duhej të gjenim fusha alternative, private ose në oborre shkollash”, thotë Berisha. As që bëhej fjalë për tribuna, nyje sanitare ose dushe, percjell albinfo.ch. Fotot tashmë legjendare tregojnë se si lojtarët, pas mbarimit të një ndeshjeje, pastroheshin në një lumë të afërm.

I kërcënuar me ndjekje, Salihu kishte ikur në vitin 1992. Pas disa ofertave nga Lozana (Zvicër) dhe nga Verona (Serie A,Itali), ai ishte angazhuar në Turqi, në ligën e parë të atjeshme.

Pasi ishte kthyer, kishte marrë ftesë nga Arkani, shefi famëkeq i paramilitareve serbë për të luajtur për Prishtinën, të cilën i përmenduri e kishte marrë për ta udhëhequr. “Por unë i pata thënë vetes: Kurrë nuk luaj për të. Unë e dija se çfarë krimineli ishte ai”. Arkan (Raznjatovic) qe vrarë në vitin 2000 në Beograd.

Nga viti 2006, pas një periudhe angazhimi në liga regjionale të futbollit gjerman, Salihu bëhet sekretar i Federatës së Futbollit të Kosovës, transmeton albinfo.ch. Me Fadil Vokrrin në drejtim, ata kërkojnë në gjithë Evropën futbollistë që do të luanin për përfaqësuesen e re.

Lidhur me tifozët dardanë, NZZ shkruan se në krahasim me “ultrasit” e vendeve tjera, ata janë mjaft të moderuar. “”Ne nuk jemi huliganë. Ne nuk kemi shqiptuar parulla raciste. Nuk ka pasur asnjëherë deri më tash sanksione të UEFA-s kundër nesh. Nuk duam gjendje lufte. Ne duam që me shtetet tjera të matemi në futboll, kjo është  ajo që na duhet”,  thotë shefi i dardanëve. Lulzim Berisha, transmeton albinfo.ch. Ai e thotë këtë në shenjë kundërshtimi për regjimin e vizave, të cilit i nënshtrohen, si të gjithë kosovarët, edhe Dardanët, kur duan të shkojnë jashtë vendit për të ndjekur ndeshjet e kombëtares së tyre.