Bota

Oferta 1 € për shtëpi në Sicili po jep efekt

Zyrtarët komunalë blenë shtëpi boshe, pastaj ofruan pronat me çmim nominal në tregun global për të tërhequr njerëz të rinj

Për shumë njerëz është ëndërr të jetosh në Itali. Ndaj një komunë e njohur e Sicilisë, e quajtur Sambuca, është duke ndihmuar të huajt që të vijnë të jetojnë atje duke propozuar çmime shumë të ulëta për blerjen e shtëpive; për vetëm 1 euro.

Në fillim të vitit 2019 zyrtarët e këtij qyteti të vogël rural, njoftuan një plan për të ringjallur komunitetin e tyre, i cili ishte në tkurrje, duke nxjerrë në shitje të gjitha shtëpitë e braktisura dhe të vjetra për vetë 1 euro.

Si shumë qytete të tjera të vogla në të gjithë Evropën, Sambuca vuante nga rënie e thellë e popullsisë ndërsa banorët e zonës lëviznin nga fshatrat drejt qyteteve, transmeton Scan.

Kështu që zyrtarët komunalë blenë shtëpi boshe, pastaj ofruan pronat me çmim nominal në tregun global për të tërhequr njerëz të rinj, përcjell albinfo.ch.

Kjo nismë funksionoi shumë mirë. Pas kërkesave nga e gjithë bota, si artistë, valltarë, muzikantë e më shumë, banorët e rinj të Sambuca po rregullojnë shtëpitë dhe po transferohen aty tashmë duke e ripopulluar këtë vend. Investimi për rinovim është kërkesa e vetme e këtyre blerjeve, të cilat po i japin një grupi të larmishëm blerësish ndërkombëtarë një vend të ri dhe të veçantë për të jetuar apo pasur një shtëpi pushimi.

Kryetari i bashkisë së Sambuca, Leonardo Ciaccio, u shpreh shumë i lumtur kur shikon shtëpitë boshe teksa shndërrohen në shtëpi të lulëzuara. “E gjitha u zhvillua shumë bukur”, tha ai.