Bizneset

Ostfinanz: Qendra shumëgjuhëshe e financimit të ëndrrës suaj

Cilat kompani mbulojnë sigurimet kasko në Kosovë? Çfarë është më e levërdishme, blerja e një veture me kredi apo me leasing? Pse premitë e sigurimeve janë më të shtrenjta për të huajt dhe shumë më të lira për poseduesit e pasaportës zvicerane? Për të gjitha këto flet eksperti i fushës së kredisë, sigurimit dhe çështjeve tatimore, pronari i kompanisë “Ostfinanz”, Nagip Memedi

Zvicra njihet si hambari i parave të botës, ku shtrijnë bizneset e tyre banka e institute financiare, të cilat bashkë me kompanitë e mëdha të sigurimeve ofrojnë shërbime në tregun financiar dhe të sigurimeve.

Për të qenë shërbimet sa më cilësore, bankat dhe kompanitë e mëdha të sigurimeve në Zvicër kanë të shtrirë në mbarë Zvicrën një rrjet të gjerë të firmave më të vogla bashkëpunues, e të njohura si „Backoffice“, të cilat ofrojnë në formë ndërmjetësuese shërbime financiare dhe sigurime.

Në këtë pikë „Ostfinanz“ është një kompani e njohur në Zvicrën lindore, e specializuar në sektorin financiar dhe të sigurimeve, e cila sjell një përvojë të gjatë në tregun konkurrues të bankave dhe kompanive të sigurimit në Zvicër. Drejtuesi i kësaj kompanie me qendër në St. Gallen, Nagip Memedi, ka ngritur një kompani të besueshme që bashkëpunon me bankat dhe kompanitë më të njohura në Zvicër.

„Kompania Ostfinanz është e regjistruar në grupin elitar të financave. Jemi pjesë e grupit financiar të quajtur Platinvermittler, që do të thotë ndërmjetësues i privilegjuar“, thotë Memedi për albinfo.ch.

„Ne jemi të licencuar për shkollim të nxënësve në drejtimin kontabilist (KV Lehrlinge) nga kantoni St. Gallen që nga viti 2007 dhe firma “Ostfinanz” posedon edhe licencën për ndërmjetësimin e shërbimeve financiare, si kredite dhe hipoteka. Deri më tani nga firma jonë kanë dalë 5 nxënëse me profesion kontabiliste apo KV. Ne punojmë me të gjitha sigurimet e mëdha të Zvicrës”, tregon drejtuesi i kompanisë, Nagip Memedi.

Ai ka ka lindur ne Gostivar dhe në moshë shumë të re, si 16-vjeçar, ka emigruar në Zvicër, në Bernë. Prej vitit 1986 është banor rezident në Zvicër. Ka qenë për 12 vjet i angazhuar, prej vitit 1997 te Baloise-Basler Versicherung.

„Shkollimin për ekspert sigurimesh e kam kryer në Arlesheim Baseland në vitin 2001. Kurse në vitin 2005 vendosa të bëhem agjent i pavarur. Në jetën time jam marrë regullisht me futboll, ku njëkohësisht kisha bërë shkollimin për refer. Angazhimi im si hobirefer dhe futbolli ndikuan që unë të marr ofertën për t’u angazhuar si agjent, e më vonë për t’u shkolluar si ekspert në fushën e sigurimeve.

Nagip Memedi udhëheq kompaninë e tij „Ostfinanz“ sipas parimit `gjithçka në shërbim të klientëve`, duke ofruar kredi të menjëhershme me norma të ulëta. Përvoja shumëvjeçare e Memedit në sektorin financiar garanton një shërbim kompetent, të shpejtë e të kombinuar me seriozitetin dhe ofertat më të mira në fushat e kredive, sigurimit të të gjitha llojeve dhe linjave të biznesit dhe pasurive të patundshme.

Stafi prej shtatë punëtoreve dhe punëtorëve dhe dy nxënësve ofron shërbime, përveç në gjuhën shqipe dhe gjermane, edhe frëngjisht, anglisht, hungarisht dhe serbokroatisht!

„Ostfinanz“ ofron të gjitha llojet e sigurimeve, duke filluar me ato sociale, shëndetësore, sigurimi i automjetit motorik, sigurimi i familjes, sigurimi i pasurisë dhe sigurimi i jetës.

“Ne jemi një ofrues i shërbimeve financiare i përqendruar tek klientët në fushat e kredisë, sigurimit dhe pasurive të patundshme. Ne realizojmë për klientët tanë ofertat më të mira të disponueshme në treg. Vizioni ynë dhe premtimi për markën tonë për ju bazohen në parimet udhëzuese të efektivitetit të kostos, në mënyrë që të përfitoni nga normat më të mira të interesit. Parimet e tjera udhëzuese janë besimi, drejtësia dhe përgjegjësia”, plotëson Nagip Memedi.

Për të marrë informacione më të sakta rreth premive të sigurimit të makinave, sigurimeve shëndetësore dhe për të bërë dallimin sot mes një kredie apo leasing, albinfo.ch ka zhvilluar një intervistë me ekspertin në fushën e kredisë, sigurimit dhe çështjeve tatimore, pronarin e firmës „Ostfinanz“, Nagip Memedin.

Albinfo.ch: Kush i bën më të shtrenjta premitë e veturave, ku duhet pasur më tepër kujdes?

Memedi: Faktori numër një për ngritjen e premisë së sigurimeve janë dëmet që shkaktojnë të siguruarit. Sigurimet i realizojnë premitë në bazë të statistikave që bëhen për individët e caktuar nga vende të caktuara dhe mosha e caktuar.

Edhe në Zvicër për zviceranët ka premi të ndryshme nga njëri kanton në kantonin tjetër. Për ne që vijmë nga vendet e Ballkanit, premitë janë më të larta se sa për njerëzit që vijnë nga disa shtete të Bashkimit Evropian. Shkaktare për preminë e lartë janë shpesh aksidentet në vendet e Ballkanit që ndodhin gjatë pushimeve verore. Në shumë raste edhe kur klientët e sigurimeve në Zvicër kanë ndonjë aksident në Kosovë, Maqedoni apo Shqipëri dhe dalin të pafajshëm, sigurimet e kanë shumë vështirë.

Albinfo.ch: Si qëndron puna e kamatave, cila është më rentabile, leasing apo kreditë?

Memedi: Kur dy vjet më parë FINMA mori vendimin për të ulur interesat e krediteve private nga 14.9 % ne 9.9 %, në të shumtën e rasteve kanë përfituar edhe konsumatoret që më parë kanë blerë makina me Leasing nga 4.9 % .

Tani me uljen e interesave bankare nga 4.4% – 9.9 % më shumë leverdi ke të bleshë një makinë me kredi prej 6.9% Interes se sa një makinë me Leasing prej 4.9 %

Albinfo.ch: Leasing apo autokredit, ku janë përparësitë?

Memedi: Nëse merrni veturë me leasing paguani diku 10% më tepër sigurim. Kurse kamata e leasingut nuk mund të deklarohet në tatim. Përderisa me marrjne e një kredie paguani 10% më pak sigurim dhe interesin e kredisë mund ta deklaroni në tatim. Në këto kushte blerja e makinës përmes një kredie është më e lëvërdishme se marrja përmes leasingut.

Albinfo.ch: Cilat sigurime mbulojnë dëmet e plota në Kosovë dhe si qëndron puna me ata që kanë sigurimet shtesë pjesërisht (Teilkasko) dhe të plotë (Vollkasko)?

Memedi: Sigurimet që mbulojnë dëmet pjesërisht (Teilkasko) dhe plotësisht (Vollkasko) në Kosovë janë: Zürich, Allianz, Generali, Axa dhe sigurime të tjera.

Ata që udhëtojnë me makinë në Kosovë, duhet medoemos të konsulltohen me kompaninë e sigurimeve të tyre se a i pranon ajo kompani dëmet e sigurimit të pjesërishëm (Teilkasko) dhe të sigurimit të plotë (Vollkasko) në Kosovë. Sigurimi bazë (Haftpflicht) mbulohet nga sigurimi që ju paguani në doganën e Kosovës. Kartoni i gjelbër do të jetë akoma në fuqi për Kosovë deri sa Kosova të bëhet anëtare e plotë e Zyrës së Sigurimeve Europiane.