Kosova

Paralajmërohet heqja e shumicës së masave kufizuese në Kosovë

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një takim të mbajtur me kryetarët e komunave, ka thënë se 90 për qind e rekomandimeve nga Asociacioni i Komunave lidhur me masat e pandemisë do të merren parasysh. Kështu është bërë e ditur nga ASK-ja.

Sipas një njoftimi të Asociacionit, ky takim vjen pas takimit të djeshëm të Këshillit të kryetarëve në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës për të vlerësuar situatën e tashme pandemike nëpër komuna me virusin Covid-19 ku edhe ka dalë me rekomandimet e Komunave.

Takimin e hapi ministri i MPL-së, Elbert Krasniqi, ndërsa për qëllimin e takimit foli ministri i MSH-së, Arben Vitia, i cili tha se duam të konsultohemi me kryetarët e komunave lidhur me masat e tashme dhe për hapat e ardhshëm në këtë drejtim.

Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, në fjalën e tij informoi dy ministrat për takimin e Këshillit të Kryetarëve.

“Kryetari Ahmeti tha se dje gjithë kryetarët e komunave janë dakorduar që të dilet me këto rekomandime: 1. Qeveria të ketë prioritet vaksinimin e popullatës, 2. Komunat kërkojnë dhe rekomandojnë heqjen e orës policore, 3. Komunat rekomandojnë dhe kërkojnë që masat ndaj gastronomisë të tërhiqen dhe kërkojnë që gastronomia të zbatojë udhëzimet për distancën fizike edhe përmes tavolinave, 4. Komunat kërkojnë që të amandamentohet Ligji mbi Pandeminë, 5. Kërkohet nga Qeveria zbatimi i pakos së fundit të përkrahjes ekonomike dhe që të fillohet me një pako të re përkrahëse, 6. Të ketë bashkëpunim dhe bashkërendim të aktiviteteve në mes nivelit qendror dhe lokal në ruajtjen e shëndetit publik dhe ekonomik, 7. Bashkëpunimi në mes inspektoratit qendror dhe atij lokal nuk është në nivelin e duhur. Ky bashkëpunim duhet të fuqizohet në zbatim të masave në mënyrë që të ruhet shëndeti publik”, thuhet në njoftimin e asociacionit.

Ministri i MSH-së, Arben Vitia, tha se duhet pasur kujdes në gjithë hapat meqë sipas tij, situata është mjaft serioze “prandaj duhet një bashkëpunim dhe koordinim mes të gjithë aktorëve, në mënyrë që të ruajmë shëndetin publik, por të mos dëmtojmë as sektorët e ekonomisë”.

Vitia tha se beson që 90 për qind e rekomandimeve që kanë nxjerrë Asociacioni i Komunave të Kosovës në takimin me këshillin e kryetarëve do të merren parasysh në vendimet për masat e ardhshme.

Në këtë takim kanë diskutuar edhe kryetarët e komunave ku kanë mbështetur rekomandimet e Këshillit të Kryetarëve, gjithnjë duke ruajtur shëndetin publik, duke respektuar masat por pa dëmtuar sektorët e caktuar të ekonomisë.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka thënë se nga e hëna sektori i gastronomisë dhe qendrat tregtare do të hapen duke i respektuar masat strikte shëndetësore.

Përmes një komunikate për media, kjo ministri ka dhënë detaje nga takimi koordinues me Ministrinë e Shëndetësisë dhe kryetarët e komunave.

Sipas njoftimit, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, që në fillimi të takimit ka theksuar se qëllimi i këtij takimi është bashkërendimi i veprimeve në mes institucioneve të nivelit qendror dhe atij lokal në parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID – 19.

Ai ka theksuar që në fillim se vendimet e Qeverisë së Kosovës merren bazuar në rekomandimet e profesionistëve shëndetësorë, përkatësisht të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

“Duhet ta kemi të qartë se situata në institucionet shëndetësore është mjaft alarmante, sepse këto institucione janë të stërngarkuara me pacientë të infektuar më COVID 19 dhe hapësira e këtyre institucioneve afër limiteve. Masat e ndërmarra përfundojnë më 18 prill 2021 dhe më 19 prill duhen masa të reja për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID 19. Është shumë e rëndësishme që sot të diskutojmë bashkërisht që masat që do të hyjnë në fuqi të koordinohen së bashku me nivelin lokal dhe propozimet e juaja si kryetarë dhe përfaqësues të komunave janë shumë të rëndësishme. Prioritet i Ministrisë së Shëndetësisë është furnizimi me vaksina anti-COVID. Jemi në rrugë të mirë që në muajt në vijim të gjithë të moshuarit mbi moshën 65-vjeçare do të kenë mundësinë të vaksinohen”, thuhet në njoftim.